Sport Humbje për Partizanin, Flamurtarin dhe Kamzën në Antalia

Humbje për Partizanin, Flamurtarin dhe Kamzën në Antalia

42
SHPËRNDAJE

Partizani ka zhvilluar ditën e sotme një ndeshje miqësore në Antalia të Turqisë, ku po zhvillon edhe përgatitjet dimërore, ashtu si disa skuadra të tjera të Superiores. Kundërshtari i të kuqve të drejtuar nga Sulerjman Starova ishin turqit e Kasimpasa S.K.

Loja ka qenë më shumë e kontrolluar nga kundërshtari, sidomos në pjesën e parë, megjithatë nuk kanë munguar kundërsulmet e rrezikshme të “demave”. Sidoqoftë, Partizani ka vuajtur në rrjedhshmërinë e aksioneve dhe ka mbetur më së shumti nën presionin e turqve.

Një minutë para fundit të miqësores, 15 herë kampionët e Shqipërisë pësuan golin e vetëm të këtij 90-minutëshi, duke dalë të mundur nga ky test. Starova hodhi si formacion startues: Hoxha, Kalari, Ibrahimi, Atanda, Kotobelli, Telushi, Trashi, Batha, Progni, Asani dhe Bardhi. Nga prurjet e merkatos së dimrit, nga fillimi e nisi lojën vetëm Telushi. Në pjesën e dytë u aktivizua edhe mbrojtësi Egzon Belica, në vend të Kotobellit. Po kështu, disa minuta iu rezervuan edhe Realdo Filit, që zëvendësoi Asanin.

Edhe Flamurtari dhe Kamza janë thyer në miqësoret e luajtura në Antalia. Në testin e parë të zhvilluar në tokën turke, vlonjatët e drejtuar nga Shtëpim Duro humbën 1-0 përballë modestëve të Erzurumspor. Për skuadrën që militon në kategorinë e dytë turke, goli i fitores u realizua nga Osman Şahin në minutën e 81-të.

Humbje minimale pësoi edhe Kamza, në ndeshjen e luajtur përballë ekipit të Superligës turke, Alanyaspor. Miqësorja u vendos nga goli i realizuar nga Isaac Sackey në minutën e 33-të.

12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)