Politikë LSI: Presion qeverisë për integrimin, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore

LSI: Presion qeverisë për integrimin, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore

93
SHPËRNDAJE

Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar se do të marrë pjesë në seancën plenare të së hënës në Parlament, ndonëse po përgatitet ashtu si Partia Demokratike për protestën e 27 janarit.

Nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama, tha se vendimi u mor në mbledhjen e grupit parlamentar të LSI-së.

Rama po ashtu theksoi se protesta e pas dy javëve do të jetë një revoltë popullore kundër varfërisë, abuzimit dhe pakënaqësisë së njerëzve kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

“27 janari do të jetë revolta e qytetarëve, do të jetë një protestë që do të përcjellë revoltimin qytetar. Ndërsa 2018, do të jetë viti kundër abuzimit dhe varfërisë. LSI do të vijojë presionin ndaj qeverisë për zbatimin e reformës në drejtësi. Do rrisim falë presionit tonë luftën ndaj papërgjegjshmërisë së qeverisë”, – shtoi Luan Rama në një dalje për mediat.

“Kredo politike për 2018 integrimin europian të vendit dhe ne jo vetëm do ushtrojmë presion mbi qeverinë dhe strukturat e saj po do të jemi të vendosur që Shqipëria të çelë negociatat me BE si tregues i seriozitetit, angazhimit dhe përgjegjësisë që kemi përballë qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë dhe do të rrisë presionin mbi papërgjegjshmërinë e qeverisë në mënyrë që viti 2018 të jetë viti i realizimit, implementimit, zbatimit të reformës në drejtësi si një kusht i rëndësishëm për të kthyer legjitimitetin, kushtetutshmërinë dhe integritetin kushtetues të institucioneve ligjzbatuese për ti mbrojtur ata nga kapja abuzivizmi dhe shpërdorim i pushtetit”, tha Luan Rama.

12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)