Politikë Mbledhja e qeverisë, Rama: Nisim programin e agroturizmit

Mbledhja e qeverisë, Rama: Nisim programin e agroturizmit

107
SHPËRNDAJE

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama është zhvendosur për dy ditë në qytetin e Lezhës, ku është zhvilluar mesditën e sotme mbledhja e kabinetit të ministrave.

Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i qeverisë ka dhënë një konferencë për mediat, ku ka paraqitur një listë të vendimeve që janë ndërmarrë.

Rama e vendosi theksin tek zhvillimi i zonave rurale për të cilat tha se “qeveria do të lançojë të plotë programin e agroturizmit”.

“Një tjetër vendim është ai i përcaktimit të një liste pas një procesi relativisht të gjatë bashkëbisedimi me të gjithë kryetarët e bashkive të 100 fshatrave në Shqipëri, ku ne do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural për të krijuar modelin e ri që do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të hapësirë rurale. Fishta është një prej këtyre dallëndysheve të para të këtij procesi të ri zhvillimi rural që do të mbështetet me një program të ri nga qeveria. Ky model ka të bëjë me zhvillimin e kulturës, kapitalit social, ndërhyrjes në dobi të trashëgimisë kulturore e kështu me radhë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se të gjitha bizneset që do të klasifikohen si agro-turizëm do të pajisen me një çertifikatë të posaçme, që do t’u garantojë atyre lehtësitë fiskale dhe stimuluese.

“Këtu potenciali është i madh dhe ka një hapësirë për rritjen e konsiderueshme të punësimit. Në javët në vijim do të miratojmë edhe programin përkatës të nxitësve fiskalë dhe do të kemi një konferencë për të lançuar të plotë programin e zhvillimit të agro-turizmit”, deklaroi Edi Rama.

Kryeministri nuk la pa thumbuar as opozitën, duke i kujtuar projektin e ri për rrugën Balldren-Torovicë, e cila sipas tij u la në kushte skandaloze nga qeverisja e shkuar.

“E vërteta është që mundësitë tona këto janë dhe prioriteti është rruga nacionale Milot-Balldren, shumë e rëndësishme rruga Shëngjin-Velipojë dhe patjetër edhe rruga e Torovicës është pjesë e planit, sepse është absolutisht siç e cilësojnë banorët një rrugë ferri”, tha kreu i qeverisë.

12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)