Kulturë Meta e Basha, mesazh ngushëllimi për vdekjen e Rexhep Çelikut

Meta e Basha, mesazh ngushëllimi për vdekjen e Rexhep Çelikut

302
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur dhimbjen e thellë dhe vlerësimin më të lartë, për mjeshtrin e valles shqiptare, Rexhep Çelikun, i cili ndërroi jetë sot, vetëm 4 ditë pasi Meta e dekoroi “Nderi i Kombit”.

Meta shkruan sot në rrjetet sociale këto radhë:

Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritëshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj.

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme.

Edhe Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, ka reaguar me dhimbje sot, pasi lajmit se mjeshtri i madh i skenës shqiptare, Rexhep Çeliku ndërroi jetë.

Basha shkroi në rrjetet sociale:

“Jam i hidhëruar nga lajmi se u largua sot shumë para kohe, një zot i skenës, Rexhep Çeliku. Që në fëmijëri më ka lënë mbresa arti i tij dhe kam menduar se askush më mirë se ai nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, sepse askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë.

Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë. I detyrohemi shumë Rexhep Çelikut, i cili, ishte bërë me kohë me talentin, pasionin dhe virtuozitetin e tij, nder i kombit. I mundur nga sëmundja e rëndë, por fatlum që do jetojë gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare”.

12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)