Sport Zgjedhjet në FSHF, Fino: Kali im i betejës është kufizimi i mandatit

Zgjedhjet në FSHF, Fino: Kali im i betejës është kufizimi i mandatit

70
SHPËRNDAJE

Ai është një tifoz në shkallët e stadiumit, por pas dy dekadave në politikë, Bashkim Fino vendosi që të bëjë kapërcimin e madh drejt sportit. Pas shpalljes së kandidaturës për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, përballë Armand Dukës, në një intervistë për Top Channel, Fino shpalos platformën e tij.

TCH: Zoti Fino, mund të na tregoni arsyet përse vendosët që të kandidoni? Përse pas kaq kohe dhe si mbërritët deri te ky vendim?

Bashkim Fino: Unë e kam thënë edhe dje në RTSH, edhe sot, që në fund unë jam një politikan që kam ardhur në karrierë nga kryetar bashkie e deri lart. Futbollin e kam pasion dhe me futbollin kam qenë i lidhur, siç ka qenë edhe politika. Duke filluar nga kryebashkiak i Gjirokastrës në vitet ’92-’96, kur ka pasur disa ekipe që unë i kam ndihmuar si kryetar bashkie dhe kam pasur rezultat në 4 vitet që unë kam qenë aty, qoftë basketboll e volejboll femrash, qoftë futbollin e Shqiponjës së Gjirokastrës. Edhe në vazhdim, pasi kam qenë kryeministër dhe deputet prej 20 vitesh kam qenë pasionant pas futbollit, kam qenë njeriu i sportit në shumë emisione sportive, për kampionate europiane dhe botërore, edhe me ju kam bërë shumë intervista të tilla, e natyrisht që ky pasion i brendshëm ka bërë që në vitin 1997, kur njerëzit ishin të frikësuar e rrinin brenda në shtëpi, ne e vramë frikën duke i nxjerrë politikanët të zhveshur nga kostumi në një fushë si “Qemal Stafa”, bashkë me gazetarët sportivë, ku u mblodhën mbi 20 mijë vetë. Ajo ka qenë gjëja më e bukur që unë kam bërë në jetën time, në kuptimin që vramë frikën në ato momente të vështira për Shqipërinë. Duke vijuar më tej, ne kemi krijuar një ekip të Parlamentit shqiptar me futbollistë, kemi luajtur me parlamentarët italianë, ata turq, e kemi vazhduar aktivitetin sportiv edhe me ju. Ky pasion i brendshëm dhe të gjithë diskutimet që ne kemi bërë në të gjitha këto vite për sportin, për të mirën e futbollit, natyrisht mendova që të vij me një platformë, edhe me propozim dhe dashamirësinë e shumë kolegëve dhe miqve që më thoshin se duhet t’i jap më shumë sportit sepse e kam mundësinë ta bëj një gjë të tillë, vendosa të bëj një kandidim shumë “fair play”, shumë të pastër, pa lënduar askënd, sepse në fund të fundit janë anëtarët e Asamblesë të futbollit shqiptar, të cilët duke gjykuar mbi platformat e dy kandidatëve deri më sot, por mund të ketë edhe kandidatë të tjerë deri në datën 18 apo 23 kur mbaron afati i regjistrimit, të bëhet një “fair play” në sensin e platformave që kandidatët do të paraqesin për datën 7 shkurt. Më vjen keq që koha është pak e shkurtër. Mbase do të ishte mirë, e ndoshta duhet rregulluar në Statutin e futbollit shqiptar, duhet që pasi të bëhet një asamble paraprakisht për të pranuar kandidaturat se kush mund të jetë kandidat për president, të lihet një kohë relativisht e mjaftueshme për të shkuar të gjithë kandidatët te të gjithë anëtarët e Asamblesë për të shpalosur platformat e tyre, për atë çfarë është bërë e mirë dhe atë që duhet bërë edhe më mirë, e pastaj janë ata që vendosin me votën e tyre në një asamble të caktuar. Por rregulli dhe Statuti e kanë kështu tani dhe ne jemi të detyruar që të bëjmë këtë fushatë nëpërmjet medieve, faqeve të ndryshme “online”, apo edhe në takimet që do të bëjmë me anëtarët e Federatës për të pasqyruar platformat tona.

TCH: Edhe dje ju përmendët që jeni dikush dhe vini të kontribuoni, pra nuk është se nuk jeni askushi dhe vini për t’u afirmuar. Në këto 20 vite karrierë si politikan, mendoni se mund të kishit bërë diçka më tepër, sa i përket ligjit të sportit?

Bashkim Fino: Në pozicionet që kam pasur, natyrisht që kam pasur mundësi të bëj dhe kam bërë, sepse ne kemi një ligj sportesh shumë të mirë në këto momente. Natyrisht që mund të ketë mundësi për ta përmirësuar edhe më shumë atë në funksion jo vetëm të futbollit, por në funksion të të gjitha sporteve, sepse ju e dini që janë të gjitha federatat dhe mbi to është “ombrella”, Komiteti Olimpik, e duhet të jenë të mbrojtura KOKSH dhe nga një ligj i sporteve që të ardhurat të ndahen edhe për federatat e tjera, paçka se Federata e Futbollit ka të ardhura shumë herë më të larta se ç’mund të kenë federatat e tjera. Në ligjin e sportit, ku ne kemi lënë ndihmesën së bashku me kolegët e mi deputetë, si Fidel Ylli e të tjerë, jemi munduar të bëjmë ndryshimet që na kanë kërkuar federatat. Kemi ndikuar te qeveria dhe te Ministria e Arsimit dhe e Sportit për ndryshimet e nevojshme, duke bërë një sërë ndryshimesh në Parlament në momentin e fundit, për t’iu ardhur në ndihmë të gjitha federatave, sidomos për të drejtat televizive, të ardhurat më të larta, e të tjera. Kjo do të thotë se në pozicionin që kam pasur, me atë mundësi që kam pasur, edhe në mediet ku kam dalë për të vlerësuar pozitivitetin e atyre që janë arritur, sikurse edhe kam bërë kritikat për ato që mund të bëhen më mirë, besoj se kam bërë mjaftueshëm për aq sa më lejon mundësia dhe kuadri i pozicionit që kam. Në këto momente që pretendoj që të kërkoj votëbesimin e anëtarëve të Federatës së Futbollit natyrisht do të kem mundësi më shumë për të kërkuar dhe folur me zë më të lartë dhe për të qenë avokat i futbollit me qeverinë shqiptare. Absolutisht në qoftë se votëbesohem do të thotë që unë nga ai moment e tutje do të jem avokat i futbollit në të gjitha gjërat që futbolli do të kërkojë, edhe në raport me qeverinë, apo me institucionet e tjera të shtetit tonë.

TCH: Dje deklaruat se nuk do të jepnit dorëheqjen si deputet, apo edhe si Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste. Mendoni se kjo ju lidh me partinë dhe dukeni si i sponsorizuar nga partia?

Bashkim Fino: Kjo është një nismë e imja, nismë e shumë miqve të mi që më kanë inkurajuar që ta ndërmarr. Qesha pak në fillim sepse e di që këto janë pyetje të sponsorizuar, jo në sensin negativ, por problemi qëndron se ju e dini që Federata është një organizatë jofitimprurëse (OJF). Nga pikëpamja ligjore nuk pengon askënd për të kandiduar, në qoftë se plotëson kriteret apo nëse ke një kërkesë zyrtare qoftë edhe nga një klub i vetëm për t’u futur në një garë. Kjo nuk duhet të trembë askënd, sepse unë nuk jam qeveria dhe realisht nuk jam pjesë e qeverisë, duke mos pasur vendimmarrje, nuk kam të drejtën e firmës që të ndikoj dhe të ndikohet drejtpërdrejt në këtë proces. Unë jam vetëm 1 e 140-a e deputetëve, teksa edhe të tjerë mund të kandidonin për këtë gjë, e natyrisht po them dhe po e riktheksoj edhe njëherë që në qoftë se unë do të mandatohem, nëse platforma ime do të fitojë, të jeni të bindur që puna ime si avokat i futbollit të nesërmen e 8 shkurtit do të jetë me kohë të plotë 24 orë vetëm për futbollin shqiptar dhe për asnjë detyrim tjetër politik. Këtu nuk ka të bëjë frika nëse lë apo marr një mandat, unë jam në respekt të ligjit, të cilin nuk e kam shkelur. Nuk kërkoj asnjë lloj favori, e madje më lejoni të them që dëshira ime e madhe është që më shumë presidentë apo anëtarë të Federatës së Futbollit, nëse u mbushet mendja për platformën time se mund të japë diçka më shumë se ç’është arritur deri tani, dhe e vlerësoj punën e mirë që është bërë, do të isha i lumtur nëse do të më votëbesonin për t’u vënë në krye, por natyrisht që jo si anëtar i Partisë Socialiste, edhe pse ligji ia lejon kujtdo nga çdo forcë politike. Dua ta them sërish se futbolli është mbi partitë, mbi politikën. Në futboll dhe në një stadium, të gjithë sportdashësit e pranishëm mund të jenë të partive të ndryshme, por në fakt brohorasin dhe bëjnë tifo për fanellën e atij ekipi për të cilin kanë vajtur, apo për fanellën e Kombëtares. Ashtu jam edhe unë në këto momente.

TCH: Duke qenë se është krijuar imazhi si një person që vjen nga politika dhe duke menduar se janë shumë kryebashkiakët e klubeve në varësi të bashkive ata që votojnë, për këtë arsye krijohet përshtypja e sponsorizimit të partisë.

Bashkim Fino: Nuk ka asnjë sponsorizim, as në thonjëza dhe as pa thonjëza. Nëse ju doni që t’i hyjmë historikut dhe të flasim, unë kam lexuar, kam studiuar, kam folur edhe me drejtuesit e UEFA-s, sot ke precedentin e futbollit francez, presidentin e futbollit gjerman, të dy të ardhur nga politika. Pas 20 vitesh në politikë janë kthyer të drejtojnë futbollin. Ku është mëkati, nëse unë kam qenë 20 vite deputet dhe s’jam pjesë e qeverisë, të vij e të kandidoj me një platformë dhe nëse votëbesohem të jem nesër një president në funksion të futbollit, për të mirën e futbollit dhe një avokat i futbollit? Me kaq dua ta mbyll, pastaj komentet e tjera mund t’i bëjë kushdo.

TCH: Një kalë beteje tuajën për këtë fushatë dhe një pjesë më të atakueshme të presidentit aktual që është kandidati tjetër për zgjedhjet e shkurtit?

Bashkim Fino: Kali i betejës sime nuk ka të bëjë me presidentin aktual. Platforma ime ka të bëjë me futbollin, sikurse edhe platforma e presidentit aktual, që të dy i kemi paraqitur ato për të mirën e futbollit. Nuk kemi paraqitur platforma personale, por natyrisht që ato ndryshojnë në përbërje, por edhe në ekzekutim. Doja të thoja se unë jam për kufizimin e mandatit, sepse ju e dini që edhe UEFA ka vënë së fundi e ka vënë kufizimin për presidentin me 3 mandate. Gjithmonë nëse votëbesohem, unë do t’i paraqes Asamblesë ndryshimin e Statutit. Do të thoja se 2-3 mandate janë të mjaftueshme për këdo kandidat që vendos të drejtën për të qenë drejtuesi numër një i qeverisë së futbollit shqiptar. Në rastin konkret kjo është pika ime e parë dhe e fortë, që unë do të dua të kandidoj për dy mandate, sepse kjo është një kohë e mjaftueshme dhe i jep mundësinë që të bëjë gjëra të mira. Kjo është një risi që i lë mundësi dhe hapësira brezave të tjerë, njerëzve të tjerë që vijnë me vizione e mendime në të ardhmen, të cilët të mos e mbajnë me dhunë një vend në krye të Federatës thjesht se Statuti thotë që mund të jesh “i pavdekshëm” atje, e mund të ikësh vetëm kur të duash vet. Por të jetë e shkruar me dy mandate, që t’u jepet mundësia edhe të tjerëve që do të vijnë më pas. Kjo është një risi që mendoj se edhe anëtarët e Asamblesë do ta mirëkuptojnë dhe do ta pranojnë, sepse ka të bëjë me presidentin dhe jo me ata vet. Ata janë presidentë që hedhin parà nga xhepi i tyre dhe investojnë për skuadrat e tyre. Nga ana tjetër ne pretendojmë të bëjmë një futboll të pastër, sepse për hir të së vërtetës ka humbur besimi. Sot në stadiumet tona ka më pak tifozë se ç’ka pasur. Dhe që të krijohet besimi për një lojë të ndershme dhe të pastër, ndoshta ka ardhur koha që të gjitha strukturat, duke filluar nga presidenti, nga Komiteti Ekzekutiv, nga komisionet e caktuara, duhet të jenë në zbatim të ligjit dhe rigorozë që të përballen me ligjin dhe të përballen me Prokurorinë nesër, nëse ka të dhëna të problematikave që ne i kemi dëgjuar gjatë këtyre viteve. Një futboll i pastër do ta bëjë më tërheqës dhe më të mirë edhe ardhjen e tifozëve, të cilët vijnë për t’u argëtuar. Ne duam të krijojmë një futboll si argëtim, jo thjesht si një ndeshje që të shkojmë e pas ndeshjes të komentojmë vendimet arbitrare. Të gjitha këto mendoj se janë mëse të mjaftueshme, përveç të tjerave që unë kam në platformën time, për të bërë të mundur që anëtarët e Asamblesë të ndihen të qetë nëse më votëbesojnë mua në krye të saj. Unë kam dy parime kryesore: decentralizimin dhe transparencën. Decentralizimi do të thotë t’i japësh kompetenca atyre që janë të zgjedhur, qoftë nga Komiteti Ekzekutiv, qoftë si komisione, e të kenë kompetenca të plota, pa ndërhyrjen e presidentit apo të treguesve të tjerë që mund të bëjnë sepse e thotë presidenti diçka të tillë. Absolutisht, por të mbajë edhe përgjegjësi përpara ligjit deri në fund për atë vendimmarrje që do të marrin, në raport duke respektuar Statutin apo rregulloren e futbollit. Ideja që unë dua të përhap, që e kam parë edhe në shumë vende të tjera, janë akademitë e ekipeve. Ekipet duhet të kenë akademi. Nuk mund të ngrihet një ekip thjesht se unë mund të blej disa futbollistë, e gjithmonë ta rinovoj ekipin duke hequr dy e duke marrë 3 të tjerë. Nëse nuk kemi zinxhirin e ekipeve, nga fëmijët e moshave e deri tek ekipi i parë, atëherë nuk kemi të ardhme për futbollin në tërësi të Shqipërisë. Mbase një ekip mund ta zgjidhë problemin me dy apo 3 blerje, por nuk zgjidh problemin e jetëgjatësisë dhe të futbollit shqiptar në tërësi, pasi na duhet të kemi lojtarë vërtet të talentuar për Kombëtaren. Jo vetëm t’i gjejmë në të gjithë Europën, ku ka shumë dhe i falenderojmë ata që vijnë, por të prodhojmë edhe vet të tillë. Në planet e mia afatshkurtra, e para dhe e menjëhershme është financimi në mënyrë urgjente i të gjithë akademive për fusha sportive stërvitore. Sot ne nuk kemi fusha sportive stërvitore, edhe ekipet që janë elitare në Kategorinë Superiore, ju e dini që bëjnë stërvitje me orare të kufizuara. Kjo do të thotë se një investim i përbashkët i Federatës dhe klubeve të bëjë të mundur që ata të kenë mundësinë për të stërvitur jo vetëm ekipin e parë, por të gjithë zinxhirin e lojtarëve. Nga ana tjetër do të kemi një program me Ministrinë e Sportit dhe Arsimit edhe për klasat sportive, të cilat të ndikojnë në këtë rrjedhë. Sipas shkollave ku janë, me afërsinë e klubit që janë, mund të kalojnë fëmijët nga klasat sportive në akademitë e ekipeve përkatëse. Kjo do të bëjë të mundur rritjen e cilësisë sportive, por duke pasur edhe pastërtinë, që do të jetë kryefjala jonë, do të thotë që ne do të kemi mundësinë të rrisim një futboll të shëndetshëm dhe të kemi më shumë futbollistë. Kam disa të dhëna se para disa vitesh kemi pasur plot 80 mijë fëmijë të klasave sportive. Sot ky numër është ulur në 2.000. Pse, nga se vjen kjo gjë? Kjo vjen sepse mungon infrastruktura e nevojshme, apo se fëmijët nuk kanë mundësi. Sot mund të ketë prindër që me dëshirën e tyre e marrin fëmijën dhe e dërgojnë te një profesor apo trajner për të bërë stërvitje, por kjo të mos jetë sporadike. Kjo të jetë një traditë e akademive të të gjitha ekipeve. Nëse ne do t’i ndihmojmë ata dhe do ta mirëkuptojnë, kjo është një gjë për të mirën e futbollit. E di që është bërë një përpjekje edhe nga kjo Federatë për Ligën Profesioniste, është e domosdoshme të bëhet dhe jo vetëm për 10 ekipet e Superiores, por edhe për Kategorinë e Parë. Ndërkohë që duhet bërë edhe Liga Amatore. Por këtë duhet ta bëjnë ata vet, duhet ta kuptojnë se çfarë të mire ka ajo ligë dhe çfarë detyrimesh kanë. Federata duhet të rrijë në fund të tavolinës, të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme që ata ta krijojnë sa më shpejt, sepse duke bërë këtë do të krijojnë edhe kushte të tjera, si vendosja e dizenjatorëve vet, ndërsa ne do të merremi thjesht me trajnimin e gjyqtarëve e të tjera me radhë. Të gjitha këto, e shumë probleme të tjera deri në ndërtimin e stadiumeve të reja, po e theksoj 5 stadiume të reja në 8 vite besoj se janë mëse e mjaftueshme me mirëkuptimin e qeverisë dhe të Federatës, siç vlerësoj mirëkuptimin e deritanishëm për dy stadiume të përfunduara dhe këtë që po ndërtojmë këtu në Tiranë. Ka ardhur momenti që të bëjmë stadiume të tjera, sepse nëse kemi një ekip elitar siç është Skënderbeu, atëherë ia vlen të ketë një stadium. Nëse kemi një ekip shumë të mirë siç është Flamurtari, pse të mos ketë një stadium, apo edhe Teuta e Durrësit. Pse të mos kemi disa stadiume, që të gjitha ekipet kombëtare, të të gjitha grupmoshave, por edhe ajo e Femrave, të kenë mundësinë të luajnë në stadiume më të mira, jo thjesht në dy stadiume të limituar, si në Elbasan apo Shkodër.

TCH: Zoti Fino, keni mbërritur këtu te kandidimi me një platformë, që sigurisht nuk është bërë sot për nesër. Ndoshta e keni menduar më herët, ndoshta e keni filluar fushatën më përpara me kontaktet me anëtarët apo…

Bashkim Fino: Jo absolutisht dhe jam i sinqertë në këtë që po them. Këto që vijnë si pika të platformës janë gjëra që ne i kemi diskutuar dhe kanë qenë pjesë të debateve të shumë emisioneve sportive, nuk janë gjëra të reja. Platforma le të themi se është thjesht e seleksionuar (përzgjedhur), e bërë tani rishtazi, por nuk është një gjë e paditur. Nuk po bëjmë një gjë të re, thjesht kemi parë si e kemi sot futbollin dhe ku duam ta shpiem. Unë për hir të së vërtetës nuk kam filluar asnjë kontakt, të paktën deri në datën 6 janar, që Komiteti Ekzekutiv vendosi të mbajë Asamblenë në datën 7 shkurt, një kohë shumë e shkurtër do të thoja unë, e që është në disfavorin tim konkretisht. Por jam mësuar me fushata dhe kjo pak rëndësi ka. Çështja e platformës është gjë që dihet, ndërsa çështja e kontakteve jo. Duke filluar nga dje e në vazhdim do të shkoj vet në të gjitha qarqet e Shqipërisë për të takuar të gjithë anëtarët e Asamblesë, kushdo qofshin ata, edhe nëse kanë bindje të plotë që nuk e pëlqejnë platformën time. Unë thjesht do t’i kontaktoj, t’iu flas hapur siç po flas me ju, e pastaj është në dorën e tyre për të vendosur.

TCH: Ju duket një “kalë beteje” i fortë kualifikimi në Europian për rivalin tuaj?

Bashkim Fino: Absolutisht e kam vlerësuar, në radhë të parë merita iu takon atyre djemve që shkrinë talentin e tyre, djersën e tyre. I takon stafit, e pastaj iu takon edhe drejtuesve. Natyrisht që është një pjesë shumë e rëndësishme, por është shumë pak për të gjithë ato njolla që ne kemi dëgjuar për futbollin shqiptar, që është i papastër, që janë dënuar ekipe, edhe pse mua më vjen keq, që mund të dënohen ekipe në të ardhmen, e sërish më vjen keq sepse është çështje imazhi i futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në fund të fundit nuk mund të barazpeshoj kalimin historik në Europian që bëri Shqipëria me të gjithë këto problematika që ka futbolli shqiptar, e në rastin konkret kampionati shqiptar, i cili duhet të rregullohet. Po u bënë këto që unë them në letër momentalisht, jam shumë i bindur se të mirat do të jenë edhe më të mëdha për ekipin kombëtar.

12 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)