Kryesoret 105-vjetori i Policisë, Rama: Mbyllëm plagën e kanabisit

105-vjetori i Policisë, Rama: Mbyllëm plagën e kanabisit

804
SHPËRNDAJE

Me rastin e 105-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, në qytetin e Lezhës, ku ndodhet prej dy ditësh kabineti qeverisës, është zhvilluar sot një ceremoni në nderim të uniformave të policisë.

Para të pranishmëve ka folur kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se Policia e Shteti ka rilindur, pas reformave të ndërmarra që prej vitit 2013.

Rama u shpreh se “në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë e trafikojnë lëndë narkotike”.

“Jemi shumë krenarë për gjithçka është bërë në këtë periudhë rilindjeje të policisë pas asaj situate kaosi të vitit 2013. Jemi krenarë që mund të flasim me gjuhën e thatë të rezultateve, përtej opinioneve që kemi për këtë rilindje të Policisë së Shtetit. Gjuha e rezultateve thotë se në vitin 2017 Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë e trafikojnë lëndë narkotike. Shqipëria mbylli një plagë të vjetër e të thellë. Sot, nuk ka as Lazarat dhe as “Lazaratër” të shpërndarë në territorin e saj”, u shpreh kryeministri.

Rama shtoi se “policia ka hequr nga duart e organizatave kriminale mbi 40 milionë euro pasuri dhe garantoi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e statistikave pas vitit 1990”.

Sipas kreu të qeverisë ka ende sfida të rëndësishme për Policinë e Shtetit dhe më kryesorja lidhet padyshim me procesin e vettingut në këtë institucion, për ta pastruar nga elementët kriminalë.

“Sfida e policisë është përpjekja për t’u përballur me të keqen. Përzgjedhja në vazhdimësi e njerëzve të duhur është edhe sfida që garanton përballjen e policisë me të keqen jashtë saj, dhe përballjen e policisë me kërcënimin e së keqes brenda saj”, nënvizoi Rama.

13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)