Kulturë Homazhet për Rexhep Çelikun, Meta: Mungesa e tij do ndihet gjatë

Homazhet për Rexhep Çelikun, Meta: Mungesa e tij do ndihet gjatë

111
SHPËRNDAJE

Në ambientet e Muzeut Historik Komëbtar janë zhvilluar sot homazhet në nder të solistit të parë dhe koreografit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Rexhep Çeliku.

Mjeshtri i valles shqiptare u nda nga jeta dje për shkak të një sëmundje të rëndë.

I pranishëm në homazhe ishte edhe Presidenti Ilir Meta, i cili e dekoroi Çelikun vetëm pesë ditë më parë me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule, bëri homazhe u përul në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës dhe veprimtarisë artistike të të ndjerit Rexhep Çeliku, duke u shprehur ngushëllimet familjarëve e duke lënë shënim në Librin e Zisë.

Meta u shpreh se Çeliku e mundi sëmundjen kur dy muaj më parë hipi në skenë dhe ngriti peshë shumë zemra me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit Kombëtar.

“Luftoi me një sëmundje të poshtër të cilin ai e mundi kur dy muaj më parë hipi në skenë me rastin e 60 vjetorit të Ansamblit. Ky njeri kishte tre vjet që luftoi me sëmundjen. Aty e mundi sëmundjen në emër të dashurisë për vendin dhe artin. Ai do të jetë burim frymëzimi për artistët tanë më të rinj sepse skena jonë do ta ndjejë gjatë mungesën e tij”, tha Meta.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me vlerësimin që Presidenti i Republikës, i bëri pikërisht Rexhep Çelikut vetëm pak ditë më parë, duke i dhënë Dekoratën “Nderi i Kombit” dhe si e kujton atë moment Presidenti Meta u përgjigj: “Mund t’ju përmend një moment si kanë reaguar dje shqiptarët e Kroacisë, kur kanë mësuar këtë lajm tronditës dhe jam i bindur se të gjithë shqiptarët jo vetëm janë tronditur, por edhe janë përlotur, pasi nuk ka akt dhe nuk ka fjalë të mjaftueshme për të vlerësuar atë që për më shumë se 40 vite Rexhep Çeliku ka bërë për Shqipërinë, ka bërë për kombin shqiptar, ka bërë për shqiptarët kudo ku kanë jetuar, të cilët i ka ngritur peshë, i ka frymëzuar dhe i ka bërë krenarë që janë shqiptarë.

Më tej Kreu i Shtetit shtoi se për Rexhep Çelikun ka “vetëm përjetësi dhe do të jetë gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë”.

13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)