Sport Kontestimet e Finos për shoqatat, FSHF: Ekzistojnë prej 20 vitesh

Kontestimet e Finos për shoqatat, FSHF: Ekzistojnë prej 20 vitesh

33
SHPËRNDAJE

Fushata zgjedhore për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit ka nisur të nxehet. Institucioni që drejton sportin më popullor në vend, doli me një qëndrim zyrtar rreth kontestimeve për anëtarësinë e Shoqatave, që sipas kandidatit për postin e kreut të presidentit, Bashkim Fino nuk janë të regjistruara në gjykatë dhe nuk duhet të kenë të drejtë vote në Asamblenë Zgjedhore të 7 Shkurtit.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka 66 anëtarë, të cilët në bazë të statutit, mund të jenë Klube futbolli ose subjekte të cilat përfaqësojnë grupe të caktuara profesionesh, apo rajone të caktuara gjeografike. Ky numër aktual anëtarësh është vendosur me ndryshimet statutore të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, në mbledhjet e datës 26.04.2011, 28.02.2013, 28.02.2014 dhe 19.03.2015. Përmes këtyre vendim-marrjeve unanime, Asambleja e Përgjithshme si autoriteti më i lartë i FSHF-së, në përputhje me tagrin që i jep Neni 23/m i Statutit, ka definuar listën e plotë të anëtarëve të Federatës, listë e cila nuk është kontestuar as përmes mjeteve statutore, as përmes ankimimeve gjyqësore” u shpreh Gerti Çarçani.

Sipas shefit të marrëdhënieve me shtypin në Federatë, problematika e ngritur ka më tepër efekt publicitar dhe nuk ndikon në mbarëvajtjen e FSHF-së.

“Formalizimi i anëtarësisë është diskutuar në mënyrë shteruese më specifikisht në asamblenë e datës 28.02.2013, ku është bërë një fotografim i situatës së atëhershme, duke u pranuar unanimisht përfshirja e të 66 anëtarëve pjesëmarrës në Asamble. Ky vullnet është ligjëruar sakaq edhe përmes vendimeve gjyqësore, që kanë regjistruar në regjistrin e OJF-ve, vendim-marrjet e Asamblesë. Rezulton se vullneti i anëtarëve themelues të këtyre shoqatave është shprehur përpara noterit publik, shumë kohë përpara se kjo të ishte objekt kontestimi, duke ekzistuar qysh nga viti 2011, statute, akte themelimi dhe evidenca të depozitimit pranë regjistrit përkatës të gjykatës. Vendimi i gjykatës ka më tepër efekt publicitar ose deklarativ dhe nuk e prek kurrsesi për mbarëvajtjen e aktivitetit të FSHF-së” deklaroi Shefi i Marrëdhënieve me shtypin, Çarçani.

Në qëndrimin e saj, Federata e Futbollit konfirmoi se pavarësisht akuzave për entitete fantazmë, shoqatat ekzistojnë dhe punojnë prej 20 vitesh, duke bërë një pasqyrë edhe të shifrave të punës së tyre.

“Së fundmi, vlen të theksohet se këto entitete nuk janë “fantazmë”, siç po përflitet rëndom në disa medie, por kanë mbi 20 vjet që ushtrojnë aktivitet dhe përfaqësojnë realisht pjesën më të madhe të futbollit të luajtur, që është ai amator. Ato organizojnë aktivitete në rang qarqesh dhe madje kanë edhe ekipe përfaqësuese që ndeshen midis tyre, ku janë 18 ekipe përfaqësuese rajonale, me 360 lojtarë dhe 48 ndeshje në sezon. Aktualisht janë 605 ekipe rajonale, me 13.310 lojtarë, të cilët zhvillojnë rreth 4840 ndeshje në sezon. Shoqatat Rajonale kanë në krye figura të nderuara të futbollit shqiptar, integriteti i të cilëve nuk mund të vihet në dyshim për interesa momentale”, mbylli deklaratën e tij Gerti Çarçani.

13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)