Opinion MJEKU “ARMIK” NUK VRITET AS NË LUFTË

MJEKU “ARMIK” NUK VRITET AS NË LUFTË

243
SHPËRNDAJE

Nga Lorenc Vangjeli

“Denonco! Telefononi në numrin pa pagesë dhe denonco menjëherë këtu korrupsionin”! Nuk ka spital universitar apo qendër mjekësore, në Tiranë apo në skajet më periferike, ku nuk ka mbërritur posteri i gjelbër që fton qytetarët të denoncojnë bluzat e bardha. Nuk ka vend tjetër në botë, as në perëndim dhe me shumë gjasa as në lindje që të ketë një ftesë të tillë. Mjekët kursehen edhe në luftë, por në Shqipëri ka vite të tërë që ka një luftë të shpallur ndaj tyre, një kriminalizim të skajshëm të bluzave të bardha që konsiderohen si mbartës fundorë të korrupsionit.

Me 400 apo 500 euro rrogë që ju jepet në muaj, atyre ju kërkohet në të njëjtën kohë që të mos shohin nga xhepat e pacientëve, por të thellohen në profesion, të ndjekin të rejat e fundit të shkencës mjekësore, të ndjekin një konferencë shkencore jashtë njëherë në gjashtë muaj apo të shkojnë në ndonjë kongres ndërkombëtar njëherë në vit. Ju kërkohet që për etikë edhe të jenë të veshur mirë dhe t’i përgjigjen telefonit me zilen më të parë.

Hipokrizia ndaj tyre është gjithashtu e skajshme. 400 – 500 eurot që ju jep shteti në muaj, nuk janë të mjaftueshme për asgjë nga ato çfarë ju kërkohet në këmbim. Dhe rezultati është që shumë prej tyre kanë nisur të mësojnë gjermanisht për të bërë emigrantin ekonomik në vendin e madh. Duke krijuar sidomos në vitet e fundit një boshllëk që ka nisur të ndjehet, por që shpejt do të bëhet një problem i frikshëm. Sepse mund të ketë mure spitalesh dhe aparatura laboratorësh, por jo mjekët e nevojshëm për t’i populluar muret dhe përdorur ato. Thjesht se do të ikin. Dhe ata që do të vijnë janë produkt i një sistemi arsimor që gjithmonë e më tepër po jep diploma, por nuk prodhon profesionistë.

Në gjykata, në zyra hipotekash, në komisariate policie a kudo tjetër gjetkë ku shteti afron shërbime, janë shtuar në mënyrë të frikshme postera antikorrupsion që i ftojnë qytetarët të denoncojnë konkretisht shërbimin e munguar apo të dhënë kundrejt rryshfetit.

Në komisionin e verifikimit të prokurorëve dhe gjykatësve janë me qindra rastet që qytetarët kanë denoncuar njerëzit e drejtësisë për padrejtësitë mendojnë se ju janë bërë apo paratë që kanë paguar nën dorë. Madje ligji i njeh të drejtën denoncuesit që në këmbim të akuzës për njerëzit e drejtësisë, të rimarë mbrapsht edhe paratë e paguara.

Kaq larg ka arritur nguti për denoncim sa vetë komisioni përsërit publikisht se ai nuk bën rivlerësim të vendimeve të gjykatave, por vetëm verifikon njerëzit e sistemit që po tronditet nga reforma. Nuk mbeti ekran, gazetë apo portal pa dhënë lajmin se dy nëpunës të tatim-taksave u arrestuan mbas një hetimi disa mujor për disa mijëra euro të marra në një biznes të vogël dhe që një nëpunës hipoteke është në pritje të arrestit për një mitë 500 eurosh që i mori një qytetari.

Ka një pritje të fortë për arrestet e paralajmëruara të korrupsionit në nivele të larta. Sipas traditës së vjetër, shumëkush është i gatshëm të lutet për të hequr vullnetarisht një sy, me kusht që fqinji i pasur t’i humbasë të dy sytë. Vjet në vjeshtë u tha se do të ndodhte në janar. Janar është në gjysmën e tij dhe e vetmja gjë që po duket është se po përgatiten grepa e rrjeta, por ende nuk ka ndodhur asgjë.

Shqipëria është përfshirë në një klimë gati histerike denoncimi, e nxitur edhe nga qeverisja, edhe nga opozita. Madje qeveria e quan një gjë të tillë edhe si bashkëqeverisje me qytetarin. Opozita flet për qindra milionë euro abuzime çdo ditë. Me një aritmetikë tronditëse ajo bën një shumatore të thjeshtë të buxhetit në zëra të ndryshëm, koncesionet janë të parat nën akuzë, dhe të gjithë shumën e quan vjedhje dhe fshehje në xhepat e kryeministrit dhe ca pak të tjerëve rrotull tij.

Dje, në pozita të kundërta, njerëzit e kryeministrit të sotëm, thoshin ekzaktësisht të njëjtën gjë për akuzuesit e sotëm, që qeverisnin dje Shqipërinë. Po t’u besosh të dy palëve, përtej bindjes së përgjithshme se ka gjithmonë një gjë aty ku ulërin një zë, në Shqipëri fund e krye nuk është bërë asgjë, por vetëm është vjedhur dhe grabitur gjithçka. Dhe në të vërtetë shumëçka ka pasur këtë fat. Dhe ky është një realitet i pandëshkuar deri më tani që duhet ndryshuar.

Me urgjencë dhe me shpejtësi. Sepse është shndërruar në një gur në këmbët e gjithë shoqërisë që po e mban vendin në moçale të rrezikshme për sot e nesër.

Por a është kjo mënyra më e mirë? A është i nevojshëm ky amok denoncimi, kjo klimë hakmarrjeje e frike dhe këto ngjyra prej gati-gati revolucioni kulturor kinez, me masa që ngrihen në këmbë dhe marrin fatin e vendit në dorë? Me të gjitha gjasat jo! Vreshtin nuk e ruan as frika dhe as rojet që mund të ruajnë rojet që janë vënë të ruajnë rojet në roje të vreshtit. Rrushin e ëmbël nuk e këput vesi, por e mbron uria e munguar.

Në mos sot, nesër, mjekët do të vazhdojnë të ikin nga një politikë që i ka konsideruar si mish për cirkun publik ku rri e duartroket turma. Edhe në kohë lufte një mjek ka jetuar më mirë se shtresat e tjera të shoqërisë për shkak të profesionit. I duhet mundësuar sot e njëjta gjë dhe jo të shihet nga shumëkush si subjekti i parë që duhet vënë në pranga. Mjeku duhet ndëshkuar kur refuzon të shërbejë apo e kushtëzon shërbimin me para; në të kundërt, nëse dikush i dhuron sot diçka pa e kërkuar, ajo quhet mirënjohje. Ndodhte dhe në kohën e komunizmit, kur korrupsioni apo krimi ishte shtetëror dhe i sistemit dhe jo i individëve.

Mjekët nuk vritet as në luftë. Dhe kjo është beteja e parë që duhet bërë me një mentalitet gjithmonë e më të ngulitur që po e sheh mjekun shqiptar si një kriminel që herat a vonë duhet të paguajë. Mënyra e sjelljes me gjykatës dhe prokurorë, me punonjës hipotekash apo policë dhe me gjithkënd që afron një shërbim publik ndaj qytetarit po shkon shumë larg dhe ka nevojë të rishihet. Ka një rrjedhë të fortë në një drejtim të gabuar që pretendon se ndëshkimi është gjithçka.

Se denoncimi është ilaçi magjik që shëron korrupsionin. Se ai është ilaçi dhe shpëtimi i vetëm. Por në këtë dozë që po e jep dhe e mer shoqëria shqiptare, me këtë pritshmëri për shndërrimin e çdo qytetari në një denoncues, ka rrezik të vuajmë më shumë jo shërimin e munguar, por efektin anësor të tepruar. Siç i bëjmë zakonisht ne shqiptarët gjërat zakonisht: me shumë zhurmë e bujë. Dhe duke shkuar nga ekstremi në ekstrem. Si lavjerësat që masin kohë, por që në Shqipëri thjesht kanë humbur kohën e të gjithëve.

13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com) / Javanews