Aktualitet Orët e papaguara të Vettingut

Orët e papaguara të Vettingut

208
SHPËRNDAJE

Premtimi i qeverisë se do të shpërblente financiarisht punën e vështirë të anëtarëve të vettingut me sa duket deri më tani nuk është realizuar në atë masë që u premtua.

Vetë Kryeministri pati premtuar përmbushjen e nevojave për mbarëvajtjen e punës së institucioneve të vettingut.

“Në rastin konkret kur është fjala për një proces kaq të rëndësishëm saç është procesi i vetingut, ne jo vetëm nuk do të kursejmë asnjë burim që qeveria ka dhe do tua vërë në dispozicion këtij procesi, po do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”, është shprehur Rama më 26 shtator të vitit të kaluar.

Në kohën aplikimeve për një vend në komisionet e vetingut, paga e premtuar ishte rreth 600 mijë lekë. Por në momentin e miratimit të buxhetit, pagat u rishikuan me zbritje dhe u vendosën 280 mijë lekë në muaj për komisionerët.

Ky reduktim drastik shkaktoi deri debate politike, sepse opozita akuzoi mazhorancën se kishte folur papushim për vettingun dhe tani po i privonte komisionerët nga burimet e nevojshme financiare.

Këtyre akuzave kryetari i komisionit të ligjeve i përgjigjej: “Edhe lekët nëse ka nevojë do tua japim prapë, vetëm vettingu do të bëhet”, shprehej Ulsi Manja më 13 nëntor të vitit të shkuar.

Pakënaqësitë nuk kanë vonuar dhe lidhen me volumin e punës shtesë, që qeveria refuzon të paguajë. Top Channel ka mesuar se 12 komisionerët e komisionit të kualifikimit i kanë kërkuar Ministrisë së Financave që t’u paguajë 5 orë shtesë në ditë, bazuar në kodin e punës, por Ministria e Financave ka refuzuar.

Puna e anëtarëve të vettingut nis me orarin zyrtar dhe nuk përfundon asnjëherë në orën 16.30. Komisionerët lënë ambientet pas orës 21.00 të mbrëmjes.

Paradoksi qëndron te niveli i pagave të njerëzve që punojnë në të njëjtën godinë dhe për të njëjtin qëllim: komisionerët e komisionit të pavaruar të kualifikimit paguhen nga shteti shqiptar 280 mijë lekë, kurse një vend pune si punonjës protokolli pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që asiston procesin e vettingut, paguhet 2 mijë euro, ose rreth 267 mijë lekë.

Por ONM respekton orarin zyrtar. Nëse edhe komisionet e vettingut do te punonin me ritmin e ONM, gjasat janë që peshqit e mëdhenj nuk do të kapeshin jo në janar, por as në verë.

13 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)