Ekonomi Rritja ekonomike? Instituti i Vjenës dhe BB, parashikime të ndryshme

Rritja ekonomike? Instituti i Vjenës dhe BB, parashikime të ndryshme

89
SHPËRNDAJE

Banka Botërore dhe Instituti i Vjenës për studime ekonomike janë të ndarë në lidhje me rritjen ekonomike të Shqipërisë në dy vitet e ardhshme. Por më optimiste nga të gjithë tregohet qeveria shqiptare.

Instituti i Vjenës për studime ekonomike parashikon se Shqipëria do të jetë një nga tre vendet me rritjen më të shpejtë ekonomike në Europën Qendrore dhe Lindore gjatë dy viteve të ardhshme, me rreth 4%.

Vetë qeveria është zotuar për një rritje mesatare prej 4.5 për qind në katër vitet e mandatit, por deri tani të gjitha parashikimet e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë ato më optimistet, nuk e kalojnë kufirin e 4 %.

Megjithatë kaq mjafton që sipas Institutit të Vjenës Shqipëria të renditet pas Rumanisë dhe Turqisë në listën me 22 vende të Europës Qendrore dhe Lindore. Instituti i Vjenës, një nga institucionet më prestigjoze për kërkimet dhe analizat financiare, vlerëson se të gjitha ekonomitë në zhvillim të Europës Lindore po përjetojnë një moment pozitiv, falë edhe situatës së mirë ekonomike të eurozonës.

Sipas Institutit kjo spirale pozitive do të vazhdojë të paktën edhe në dy vitet e ardhshme. Perspektiva pozitive e ekonomisë europiane konfirmohet edhe nga Banka Botërore. Por në lidhje me Shqipërinë, banka ka një parashikim më pak optimist se sa Instituti i Vjenës. Në raportin e fundit të perspektivës globale, Banka Botërore ka ruajtur të njëjtin parashikim për rritjen ekonomike të Shqipërisë, që gjatë këtij viti do të jetë 3.6 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm 3.5 për qind.

14 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)