Kulturë Ndahet nga jeta poeti Basri Çapriqi

Ndahet nga jeta poeti Basri Çapriqi

255
SHPËRNDAJE

“Thinjat e hershme të profesorit/ Bashkë me fijet e borës që bien nga qielli/Sot e zbardhën tokewn/ Në pranverë/ Lulet më të bukura do të shpërthejnë nga to… Me këto vargje poeti nga Kosova Sali Bytyqi shoqëronte foton e lamtumirës së poetit Basri Çapriqi që u nda nga jeta ndje, pas një sëmundjeje të rëndë.

Një nga figurat e rëndësishme të poezisë dhe studimeve shqipe Çapriqi, do të kujtohet gjithnjë përmes studimeve dhe vargjeve që la pas. Ikja e tij e parakohshme ka prekur të gjithë. Mehmet Kraja shkruante se “Dua t’i them dy fjalë për Basri Çapriqin, t’ua bëj të ditura atyre që e njohën dhe atyre që nuk e njohën.

Sonte letërsia shqipe mbeti pa njërin nga poetët e saj më të mirë. Ishte mjeshtër i vargut dhe i metaforës, poet i ndjeshmërisë së hollë dhe mendimit të thellë. Do të më mungojë poezia e tij, që gjithmonë më ngjante me një kurorë degësh ulliri…Të falëm mik, nuk jetove gjatë, por nuk bëre jetë pa vlerë”.

Ali Podrimja e quante Capriqin njw poet tw vecantw. Basri Çapriqi (1960) qysh nga botimi i përmbledhjes së tij të parë me poezi, “Ulli me dy mijë unaza” (1983) ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare. Më pastaj ka botuar edhe përmbledhjet: “Në fund të verës” (1986), “Ma qet gjuhën” (1989), “Frutat bizare” (1989) etj. Përveç poezisë, Çapriqi, përndryshe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, ka botuar edhe tekstet studimore: “Mikrostruktura e tekstit” (1990), “Përmasat e kontekstit” (1998) . “Basri Çapriqi (1960, Ulqin) nga publikimet e poezive të para në revistën letrare “Koha”, e cila botohej në gjuhën shqipe në Podgoricë (1979), do zgjojë kërshërinë e recepientit për shtresimet tekstore që të pakapshme ishin për borizanët e letrave; se në tekstin e tij hetohej “ndjesia e tmerrit”, siç do thoshte Roger Caillos.

Nga poezitë e publikuara kisha veçuar “Ulli me dy mijë unaza” dhe “Ubla e Krajës”. Në të parën lexoja fletët e librit të ardhshëm, tek depërtoja nëpër fjalë e imazhe të servuara nga kujtesa historike, mësoja për origjinën e poetit; në të dytën përballesha me mistikën e magjinë, ku humbiste ai cep verior dhe mbetej ndonjë kujtim për ndonjë kështjellë ilire, për ndonjë liburnë të humbur në botën e algjeve, për ato pak fjalë e toponime që i kishin shpëtuar harrimit.

Vërehej se në letrat shqipe hynte një poet me vokabular mesdhetar, ku fjalëve dhe figurave u vinte era det, krip, ulli, peshk si dhe shkrum nga shpërbërjet dhe rrënimet e vazhdueshme të qenies sonë. Një poezi e tillë kërkon angazhim dhe lexim të vëmendshëm se kemi të bëjmë me një qasje të re, me tekst të dendur e shprehje të zgjedhura gati abstarkte. Duhet kërkuar dhe një detaj, thoshte poeti amrikan, Xhon Bishop, për të shpalosur botën magjike, atë mister.

Basri Çapriqi nuk nxiton në hapësirën e letrës së bardhë. U kthehet shpesh herë edhe teksteve të mëparshme, duke e përkrahur mendimin se poezia nuk shkruhet kur duam dhe se është art më se i vështirë”, shkruante Podrimja. Çapriqi mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988.

Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme.

Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Ishte Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherësh themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

15 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)