Aktualitet Investigimi i Fiks Fare, MB: PD të heqë dorë nga dhuna verbale

Investigimi i Fiks Fare, MB: PD të heqë dorë nga dhuna verbale

362
SHPËRNDAJE

Pas publikimit të videos së publikuar në Fiks Fare, ku një polic bënte pazare me kokainë, me një kriminel, sot PD ka hedhur akuza mbi policinë.

Pas akuzave të Partisë Demokratike se Policia e Shtetit nuk po i nënshtrohet vettingut dhe se punonjës të caktuar janë pjesë e krimit të organizuar, është përgjigjur dhe Ministria e Brendshme.

Në njoftimin për shtyp ministria hedh poshtë akuzat për rastin e oficerit të policisë që u denoncua dje në emisionin fiks-fare ku bënte pazar me kokainë. Ministria theksoi se punonjësi i policisë Julian Balliu është pezulluar dhe shpallur në kërkim.

Reagim i Ministrisë së Brendshme

Ministria e Brendshme, përmes Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) dhe Policisë së Shtetit reaguan menjëherë mbrëmë pas publikimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, duke pezulluar dhe shpallur në kërkim oficerin e dyshuar si të implikuar në këtë vepër penale.

Hetimet e plota nisën menjëherë nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë.

Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.

Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin. Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë.

Duke përfituar nga rasti, i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

16 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)