Opinion OFENSIVA MEDIATIKE KINEZE NË EVROPË

OFENSIVA MEDIATIKE KINEZE NË EVROPË

148
SHPËRNDAJE

Një studim aktual paralajmëron për rrezikun e ndikimit në rritje të Kinës në mediat evropiane dhe mendimin publik. Edhe gazetat kryesore gjermane futen këtu. Është ky shqetësim i drejtë apo jo?

Kina është e gjithëpranishme në media. Vetëm vitin e kaluar revista britanike “Economist” i kushtoi Republikës Popullore dy artikuj me të cilat hapte revistën. Revista gjermane “Spiegel” e deklaroi Kinën në nëntor të 2017 në një artikull kryesor në “Superfuqinë nr 1”.

Artikulli fliste për projektin madhështor të presidentit Xi Jinpings “rrugën e re të mëndafshit”, luftën e tij (verbale) për tregtinë e lirë, investimet masive në Evropë dhe për frikën e kopjimit të ideve (për shembull me blerjen e firmës së prodhimit të robotëve, Kuka), për armatimin ushtarak ose për planet e Kinës për t’ u kthyer në shtet krejtësisht të kontrolluar.

Debati për mbrojtjen e pronës intelektuale nga investitorët kinezë ka kohë që zhvillohet. Por së fundi me Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të zhvilluar më tetor 2017 debati nuk zhvillohet më për ndikimin ekonomik, por për ndikimin ideologjik të Kinës. Në Kongres presidenti Xi lëvdoi modelin autoritar kinez si alternativë për të ardhmen e trashëgimisë perëndimore të demokracisë liberale, e cila gjoja është në shkatërrim.

Kina si shtet model

Instituti kërkimor berlinez “Instituti Mercator për studimin e Kinës” (Merics) dhe “Global Public Policy Intitute” (GPPI) paralajmërojnë në një studim aktual për mungesën e vetëdijes për ndikimin në rritje të Kinës mbi elitat politike dhe ekonomike, mbi medien si dhe shoqërinë civile dhe botën akademike të Evropës. Kina është aktive në të gjitha këto fusha, “për të përmirësuar perceptimin e sistemit politik dhe ekonomik të Kinës në botë dhe për tu pozicionuar si alternativë e besueshme e demokracisë liberale.”

Një rol kyç zë, sipas bindjes së autorëve të studimit “Authoritarian Advance”, ndikimi i opinionit publik nga mediat. Mjeti më i rëndësishëm këtu është gazeta në gjuhën angleze “China Watch”. “China Watch” prodhohet nga e përditshmja më e madhe në gjuhën angleze “China Daily”, e cila si të gjitha mediat në Kinë ndodhet në duart e shtetit dhe mund të kualifikohet si gazetë partiake. Gazeta “China Watch” futet si reklamë për shembull në “Washington Post”, në “New York Times”, tek “Daily Telegraph” britanik, “Le Figaro” në Francë si dhe “Handelsblatt” dhe “Süddeutschen Zeitung” në Gjermani.

Përdoret besueshmëria e mediave të etabluara

Përfitimi i kësaj mënyre është shumë i qartë, thonë autorët: “Është më efektive të përdorësh më mirë mediat e tabluara sidomos ato që gëzojnë besueshmëri, se sa mediat kineze.” China Watch raportohen si reklama, por në Layout i ngjan gazetës me përmbajtje thonë autorët e studimit. Kina ndikon në rrugën e saj debatin në Evropë. Meqenëse gazetat marrin para për të nxjerrë China Watch, ato futen në marrëdhënie varësie gjë që Kina mund ta shfrytëzojë.

Gazeta Süddeutsche Zeitung shpjegoi e pyetur nga Deutsche Welle, se “China Watch” 2017 është publikuar vetëm një herë si shoqëruese e huaj e gazetës. Ajo është shpjeguar si vijon: “Ky publikim i veçantë shoqëron gazetën Süddeutsche Zeitung. Redaksia e SZ nuk ka marrë pjesë në prodhimin e këtij publikimi të paguar”.

Në gazetën Handelsblatt ky publikim i veçantë futet si shoqërues çdo muaj që nga fundi i vitit 2015. Për Deutsche Wellen gazeta shpjegoi: “Në faqen 1 të shoqërueses thuhet qartë: ‘Ky publikim i paguar i vendoset gazetës Handelsblatt. Për përmbajtjen redaksionale dhe Layout është përgjegjëse redaksia e gazetës China Daily (në Republikën Popullore të Kinës).'”

Blerje dhe kooperime të tjera mediash

Sipas mendimit të autorëve të studimit Merics, Kina është aktive edhe në kanale të tjera. Investorët kinezë përpiqen të blejnë sipërmarrje perëndimore mediash, por deri tani nuk kanë pasur sukses. Në vitin 2017 dështoi përpjekja e Kinës për të blerë revistën amerikane “Forbes”. Megjithatë konglomerati kinez “CEFC China Energy” sapo ka ofruar të blejë “Central European Media Enterprises” që është aktive në Bullgari, Republikën Çeke, Rumani dhe Sllovaki, siç njoftoi Reuters në muajin dhjetor. Procesi i pranimit të ofertave të blerjes nuk ka përfunduar.

Një pikë tjetër ku përqendrohet Kina është edhe kooperimi me mediat dhe forumet e mediave. Kooperimet shërbejnë për këmbimin e përmbajtjeve, të cilat në këtë mënyrë i nënshtrohen kontrollit të mediave shtetërore kineze. Forumet e mediave i shërbejnë Kinës, që të propagandojë idenë e vetë të gazetarisë: “Praktikisht kjo do të thotë që Kina propagandon bindjet e veta, sipas së cilës mediat nuk i kritikojnë të pushtetshmit, por duhet të bashkëpunojnë me ta. Në kontekstin ndërkombëtar kjo logjikë ka të bëjë me nxitjen e miqësisë midis shteteve.” Si shembull për forume të tilla mediative studimi përmend për shembull forumin “Media Forum China – Germany – USA”, i krijuar ndër të tjera nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung dhe nga Global Times kinez nga viti 2010 deri në vitin 2017.

Debat kritik dhe transparencë

Autorët e studimit shohin rrezikun që ekziston tek “hapja e njëanshme” e Evropës, gjë që Kina e shfrytëzon për të futur mesazhet e saj duke penguar njëkohësisht futjen e mediave evropane në tregun kinez.

Nga kjo censurë preket edhe Deutsche Welle, e cila ofron një program online në gjuhën kineze. Njëkohësisht Deutsche Welle i jep revistën e saj televizive të Lifestyle që quhet Euromaxx platformës televizive kineze CPD dhe i ofron falas platformave kineze online kurset e gjuhës gjermane.

Duke pasur parasysh mediat autorët e studimit kërkojnë debat kritik për ofensiven kineze mediatike dhe më shumë transparencë kur kemi të bëjmë me mediat shtetërore kineze.

11 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)