Kulturë Bluza e kuqe e bukur e kooperativistes (Foto)

Bluza e kuqe e bukur e kooperativistes (Foto)

418
SHPËRNDAJE

E pse jetoi shumë pak, Ferdinand Paci ka lënë pas një koleksion të jashtëzakonshëm tablosh, duke u bërë një prej artistëve shqiptarë më të rëndësishëm të gjysmës së dytë shekullit të XX-të. ”Kooperativistja” tabloja ku gruaja ka veshur një bluzë të kuqe është vetëm një nga koleksioni që ruhet prej artistit në Galerinë Kombëtare të Arteve.  Paci është piktor i grupit të artistëve të provincës shqiptare, që krijimtarinë e tyre e vunë në shërbim të shtetit komunist, të atij që u quajt “arti i propagandës”. Shkodra pati traditën e pasur të një arti realist të krijuar gjatë shekullit të XIX- XX-të nga piktorët e njohur shkodranë Kol Idromeno, Zef Kolombi, Simon Rrota, Vladimir Jani.

Pas viteve ’60 u kthyen nga studimet piktorët Jakup Keraj, Danish Jukniu e Ismail Lulani, të cilët luajtën rol të rëndësishëm në jetën artistike të qytetit. Paci e filloi krijimtarinë e tij në atmosferën e ekspozitave të mëdha kombëtare të viteve 1960-1975. Ferdinand Paci vinte nga një familje argjendarësh, ndërsa formimin e parë artistik ai e mori kur ishte nxënës në shkollën pedagogjike nga piktori i njohur Simon Rrota.

Duke dalluar talentin e veçantë të nxënësit të tij, piktori Rrota dhe piktori Vladimir Jani e inkurajuan dhe ndihmuan që Ferdinandi të kryente Liceun Artistik në Tiranë. Piktori Paci, mori pjesë në disa ekspozita kombëtare me tablo kompozicionale me temë nga aksionet e rinisë dhe nga ndërtimi i hidrocentralit në Vaun e Dejës (Shkodër).

Në këto punime ndjehet ndikimi i rregullave strikte të realizmit socialist dhe slloganit të kohës “krijimi i njeriut të ri”. Temat politike apo më saktë orientimi artistik i diktuar nga shtetit komunist në artin shqiptar, i cili ishte mbështetësi i vetëm i artistëve (mbështetësi, organizatori dhe blerësi kryesor i krijimtarisë të tyre). Pas gjysmës së viteve ’60 të shekullit XX, gradualisht temat e “ditës”politike & propagandistike (puna, bujqësia, ushtria) u bënë dominuese në krijimtarinë e artistëve figurativë. Edhe Paci ishte pjesë e këtyre artistëve.

Arti pamor shqiptar ashtu si dhe letërsia, muzika, teatri, filmi u dominuan nga diktati politik dhe u bënë pjesë e propagandës së shtetit komunist, duke krijuar skematizmin dhe shabllonizmin sipas shëmbullit të artit sovjetik. Një rol aktiv fillimisht luajtën artistët që studjuan në akademitë lindore dhe kryesisht grupi i studentëve të Leningradit.

Kështu në punimet e para të piktorit Paci me titull “Kooperativistja” 1966, “Minatori i gjigandit të dritës” 1971, ndjehet më qartë ecuria artistike e artistit që kërkon të krijoi stilin e tij të dallueshëm artistik edhe pse duken qartë që figurat e tij pozojnë apo dhe kryejnë gjestikulacione jo të zakonshme. Tek disa vepra të tjera të artistit si ato me titull, ”Në qytetin muze” 1974, “Veterani” 1974, Paci ngulmon më qartë në “largimn” nga qëndrimi natyralist, akademik duke mbajtur një qëndrim estetik me prirje drejt një arti ku përparësi merr ngjyra, loja grafike dhe interpretimi artistik. Piktori Paci, ka ditur të evidentojë bukur imazhin e zgjedhur duke synuar vlera estetike, qoftë edhe formale brenda tematikës së kohës që ai ishte i detyruar të pikturonte.

Krijimtaria e Ferdinand Pacit edhe pse u ndërpre mjaft shpejt në moshën e pjekurisë artistike (35 vjeç), ka disa karakteristika dhe element dallues. Në kompozimet e tij shumëfigurëshe kushtuar njerëzve të thjeshtë artisti Paci, fillimisht mban qëndrimin e një grafisti me kontraste të fuqishme si tek tabloja me titull: “Heroina e Popullit Marta Tarazhi”, ndërsa tek tablotë e mëvonshme të viteve ’70 si tek tabloja “’Këngë për kufitarin trim“ apo dhe tek vepra ”Shqipëria në festë”, vërejmë që në të dy veprat mbizotëson ka një dritë të përgjithëshme.

Në ciklin e peizazheve që artisti ka realizuar në natyrë, ndjehet një atmosferë më transparenete dhe një qëndrim mjaft realist nga ana e piktorit, i cili preferon të jetë i drejtpërdrejtë ndaj imazheve të zonës së veriut të Shqipërisë. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 11 punime të artistit të viteve 1957-1975.

Tabloja “Natyrë e qetë”, (GKA) e realizuar nga artisti në moshën 17 vjeçare, e evidenton qartë piktorin Paci si një vrojtues të vemëndëshëm ndaj ç’do objekti dhe detaji që ai materializon mjaft bukur. Ferdinand Paci ka hyrë në historinë e artit shqiptar si një artist i formuar në shkollën shqiptare të pikturës. Edhe pse krijimtaria e tij u mbështet në parimet e realizmit socialist, ai ishte pjesë e grupit të piktorëve të shquar shkodranë që realizuan vepra dinjitoze si në gjininë e kompozimit, portretit por edhe në peizazhe e natyrat të qeta.

Paci konsolidoi stilin e tij, me tipare të veçanta artistike brenda kufizimeve, censurës dhe kontrollit të rreptë partiak të kohës kur ai jetoi dhe krijoi. Kontakti që ai mbajti me natyrën e pasuroi paletën artistike të piktorit me elementë që ai diti t’i përdorë me mjeshtëri në kushtet e vështira të diktaturës komuniste. Ylli Drishti / Studjues arti Biografia 30 maj 1940 Lindi në qytetin e Shkodrës. Ai ishte fëmija më i vogël i Nush dhe Luçia Pacit nga pesë fëmijët e martesës së tyre. Babai Nush dhe xhaxhai i tij Zefi ishin argjendarë të Njohur.

Kreu shkollën Pedagogjike në Shkodër dhe ishte nxënësi i piktorit Simon Rrota dhe i Vladimir Janit të cilët e inkurajuan që të vazhdonte Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë me disa provime plotësuese nën drejtimin e pedagogëve Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi dhe Kel Kodheli. Punoi si piktor në repartin e Dekorit të qytetit të Shkodrës dhe disenjator në kabinetin pedagogjik të arsimit. 1960-1965 Kreu studimet e larta për pikturë në Institutitn e Arteve, Tiranë nën drejtimin e pedagogut Vilson Kilica e Danish Jukniu.

Ai ishte në të njëjtën atelje me ish studentët Fatmir Haxhiu, Bajram Mata, Naxhi Bakalli, Kujtim Buza, Llambi Blido, Andon Lakuriqi, Llazar Myzeqari, Sotir Capo, Gavril Priftuli dhe Skënder Kamberi. Ekspozita 1970 Ekspozita Kombëtare e piktorëve dhe skulptorëve të rinj me temë ’’Rinia në punë dhe në jetë” Tablotë: “Brezi ynë i ri”, “Vajza aksioniste”. 10.02.1971 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar klasës punëtore Tabloja: “Minatori i gjigandit të dritës” (GKA) 1972 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar klasës punëtore.

Tabloja: “Minatori i gjigandit të dritës” (GKA) 1974 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 30 Vjetorit të Çlirimit Tablotë: “Veterani”, ‘Shqipëria në festë” (GKA); “Ditë pranvere”, “Në qytetin muze” (GKA) 1975 Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative dhe e fotografisë artistike kushtuar 30 vjetorit të armës së kufirit dhe Policisë Popullore. Tablotë: “Këngë për kufitarin hero”; “Kufitarët”. 09.09.2005 Ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë me 15 punime të artistit, kuruar nga i biri Ardian Paci. 20 .04.-25.09.2017 Ekspozitë në Muzeun e Artit San Rocco në Trapani, Siçili (Itali), kurator Giovanni De Lazzari. Ekspozita titullohet “Ferdinand dhe Ardian Paci”. Shoqërohet dhe me Katalogun me të njëjtin titull, (shqip – italisht).

12 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)