Opinion PSE NUK DUHET TË SHKËMBEHEN TERRITORET DHE POPULLATA?

PSE NUK DUHET TË SHKËMBEHEN TERRITORET DHE POPULLATA?

312
SHPËRNDAJE

Nuk mund të themi se Kosova dhe Serbia si dy shtete kanë apo nuk kanë nevojë për shkëmbim të territorit e as të popullatës, por kemi të bëjmë me dy popuj që ka kuptimin në raportet Shqiptaro-Serbe. Ne Shqiptarët nuk jemi në territore të huaja, por Serbët janë në territore tona stërgjyshore – kjo është arsyeja kryesore pse nuk duhet të shkëmbehen territore  e as  popullata. Nuk mund dhe nuk kemi asnjë të drejtë të japim apo shkëmbejmë territorin tonë që na përket neve.

Mr.Sc.Refik HASANI

Lufta shqiptaro-serbe, asnjëherë nuk është shpallur nga asnjëra instancë Nacionale, por edhe armëpushimi ende nuk është shpallur, prandaj duhet të shpallet ky armëpushim, pasi deri sa mos të shpallet lufta shqiptaro-serbe, do të vazhdojë e mbyllur në forma e mënyra të kohës.

Sa më parë që Serbia do ta njohë Republikën e Kosovës dhe shkëmbehen ambasadorët, aq më mirë do të jetë për fillimin e një epoke për, normalizimin e raporteve shqiptaro-serbe”. Njohja e realitetit të ri nga Serbia do ta lironte vetë këtë shtet, që më së shumti është i ngarkuar nga barrierat e kaluara nga ish-ngrehina artificiale e quajtur Jugosllavi. Këto dy shtete nuk kanë nevojë për shkëmbim të territorit e as të popullatës, por të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të njohin njëri tjetrin si shtete të barabarta.

Të kërkojmë vënien e marrëdhënieve diplomatike dhe caktimin e kohës për shkëmbim të ambasadorëve. Këto bisedime, pas shpalljes pavarësisë – tani sivjet festohet një dekadë nga shpallja e Republikë së Kosovës – do të jenë të nivelit të lartë dhe në nivel të komisioneve të ndryshme. Në këto bisedime do të duhej të afroheshin këto dy shtete, prandaj roli i bashkësisë ndërkombëtare është ta detyrojë Serbinë që sa më parë ta njohë Republikën e Kosovës. Pas këtyre bisedimeve praktiko-tekniko, Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe asgjë tjetër të mos kërkojë faktori ndërkombëtar, por vetëm të shkëmbehen ambasadorët. JO shkëmbim i popullatës, ideja e shkëmbimit human të popullatës është e vjetër, prandaj edhe nuk ka rezultate dhe nuk do të realizohet.

Në këtë projekt, humbës do të jemi ne shqiptarët, kurse serbët do të jenë përfitues më të mëdhenj. Lëvizja e organizuar e popullatës prej një vendi përmes një marrëveshje dhe popullata të bëhet banore një shteti tjetër. Kjo formë e shkëmbimit kolektiv asnjëherë në rrjedhat historike nuk është treguar e dobishme. Kur marrim këto parasysh këto, nuk duhet kërkuar dhe përkrahur se edhe nuk do të ndodhë në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Faktori politik dhe ushtarak Ndërkombëtar, ka përgjegjësinë dhe nuk duhet të lejojë që të ndodhë një shkëmbim në mes të dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit.

Jo shkëmbim i territoreve, sepse ne shqiptarët nuk kemi të japim territore tona, pasi komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës janë hapësira tona etnike. Për serbët lokalë të Kosovës, po ashtu do të bisedohet, por pasi këto standarde për pakicat Kosova tashmë i ka plotësuar tërësisht.

Kurse Mitrovica nuk është territor i huaj, por është qytet i trungut shqiptar. Shkëmbim nuk duhet të kemi, pasi pjesët e trupit tonë Kombëtar nuk jepen për pjesën tonë. Interes i reciprok i popullit shqiptar dhe atij serb është normalizimi i raporteve. Me këto bisedime, Serbia nëse do të fitojë dhe të afrohet më afër me NATO-n, duhet të pranojë Kosovën si shtet. Interes i dy shteteve është që të shkëmbehen ambasadorët. Kemi parasysh që Serbia shumë vështirë e ka të pranojë që në Beograd të jenë dy ambasada të shteteve shqiptare, por ky është rendi dhe rregullimi i ri botëror.

Në këto bisedime duhet të shtrohet drejtë dhe me kompetencë edhe çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevë të mbetur nën administrimin e Serbisë. Vetëm pasi Serbia ta njohë Kosovën, atëherë do të fillojë faza për një ecje në të gjitha aspektet e jetës, për dy popujt. Shkëmbim i popullatës dhe shkëmbim i territoreve nuk është kurrfarë zgjidhje dhe do të krijonte probleme zinxhirore në tërë rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. E vetmja është që të kalohet ish-hapësira e ngrehinës së quajtur Jugosllavi, të stabilizohet dhe të krijohet së paku një treg unik dhe fillohet të bashkëpunohet në shumë fusha të interesit reciprok.

12 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)