Kulturë Artistët e ftojnë në teatër, Kumbaro: I pres në Ministri!

Artistët e ftojnë në teatër, Kumbaro: I pres në Ministri!

145
SHPËRNDAJE

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka deklaruar dje se do të vijojë tryezat e diskutimit me sindikatat e artistëve për projektligjin për artin dhe kulturën. Vetëm një ditë më parë Kumbaro takoi përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore të cilët i kërkuan një sërë ndryshimesh në ligjin për kulturën dhe artet që do të mund të bënte fuqizimin gjendjes së artistëve. Ndryshe nga ftesa e artistëve të Teatrit Kombëtar që e presin Kumbaron për të diskutuar në teatër (të mërkurën), ministrja tha se i pret artistët për tu takuar në ministri.

“Që ditën e shtunë kabineti i Ministrisë është vënë në kontakt me artistët e skenës dhe ekranit, të cilët i kemi ftuar dhe kemi konfirmuar ftesën e ministres për ta bërë një tryezë nesër me ta, të mërkurën në Ministrinë e Kulturës, për të diskutuar mbi të gjitha pyetjet dhe për të ndërmarrë iniciativa te reja. Ky proces konsultimi vetëm sa ka filluar dhe fillon siç e parashikon ligji me publikimin e nismave ligjore, të cilat diskutohen në të gjitha nivelet. Jemi duke organizuar tryeza. Dje kemi pasur një takim me përfaqësues të Skenës së Pavarur të gjinive të ndryshme, ku hapëm terrenin për të marrë inicativa të tjera të përbashkëta në interes të kulturës”, u shpreh Kumbaro. Ministrja ka folur dhe për rikonstruktimin e Teatrit Kombëtar duke thënë se ende nuk ka një projekt për një teatër të ri dhe se s’do ketë zhvendosje të Teatrit të Operas dhe Baletit tek teatri Kombëtar.

“Nuk është e vërtetë as përkohësisht dhe as përgjithmonë që aty do të vendoset Teatri i Operas dhe Baletit. Kur ta kemi projektin që kërkon kohën e vetë do t’ua bëjmë publik, çdo informacion hap pas hapi”, është shprehur Kumbaro. Prej disa ditësh artistët e Teatrit Kombëtar kanë nisur protestat ku refuzojnë zhvendosjen e këtij institucioni tek Turbina, si dhe projektligjin e hartuar për artet dhe kulturën.

13 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)