Sport Ju hap koka në përplasjen me Cahill, Mason lë futbollin pas 1...

Ju hap koka në përplasjen me Cahill, Mason lë futbollin pas 1 viti

135
SHPËRNDAJE

Ishte 22 Janari i 2017-ës, kur në “Stamford Bridge” luhej takimi Chelsea-Hull City, me blutë në ndjekje të titullit kampion dhe “The Tigers” në kërkim të mbijetesës.

Një harkim nga këndi provokoi një nga çastet më tronditëse, kur Gary Cahill dhe Ryan Mason në një duel ajror, u përplasën me njëri-tjetrin dhe situata u shfaq menjëherë dramatike për mesfushorin e Hull City.

Ndërhyrja e mjekëve ishte e menjëhershme dhe 26-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital. Më pas iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në kokë për shkak të frakturave të pësuara.

Për fat të mirë gjithçka shkoi në mënyrën e duhur dhe Mason iu rikthye një jete normale, megjithatë ajo përplasje e pavullnetshme ka shënuar edhe fundin e karrierës së ish-lojtarit të përfaqësueses angleze. Ka qenë vetë Ryan Mason ai i cili nëpërmjet një postimi prekës në rrjetet sociale, ka konfirmuar se nuk mund të luajë më në futbollin profesionist.

Përpjekjet e tij për t’iu rikthyer pasionit më të madh ishin titanike, por mjekët pas një sërë testimesh, vendosën që rreziku është tejet i madh, për të dhënë dritën jeshile dhe natyrisht jeta e tij vjen përpara gjithçkaje, pavarësisht dashurisë për këtë sport unik.

“Lidhja me futbollin nuk është e thënë të përfundojë me mbylljen e karrierës aktive në fushë. E dua këtë lojë dhe të shohim se ku do më dërgojë futbolli në të ardhmen”, ishte pjesa përmbyllëse e postimit të Mason.

13 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)