Opinion ANGAZHIMI RUS I BASHËS, ANTIKOMBËTAR

ANGAZHIMI RUS I BASHËS, ANTIKOMBËTAR

226
SHPËRNDAJE

Spartak Ngjela

Pas publikimit të skandalit që revista amerikane Mather Jones nxori për Lulzim Bashën.
Kanë filluar shmangiet e para.
Bashën po e lënë bashkëpunëtorët e korrupsionit.
I pari e la serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, domethënë: Demir Faslliu.
Po, shenjat janë që, ashtu siç u distancua Fazlliçi, nga Basha do të distancohet dhe vetë Saliu.
Po, pse do të distancohet Berisha prej Bashës? Sepse marrëveshjen sekrete kuptohet që e ka firmosur Basha.

Atëherë logjika është kjo: Basha do të digjet për të shpëtuar Saliun; se është e kuptueshme që Basha domosdoshmërisht në këtë rast ka qenë nën urdhërat e Saliut.
Çfarë do të sjellë kjo?
Në fakt ky do të jetë fillimi i tragjedisë së korrupsionit të djathtë, por edhe fillimi i komedisë që do të ndjekin shqiptarët duke qeshur me abuzuesit e tyre. Por duhet theksuar se kjo njëherësh ka të bëjë edhe me frikën e Edi Ramës, se ky, nuk mund të ketë më shpresë për bllokimin e Reformës në Drejtësi.

Po korrupsionit të majtë, kur do t’i fillojë tragjedia?
Nëse Mather Jones do të publikojë edhe skandalet financiare të Edi Ramës, atëherë goditja penale në krerët, majtas dhe djathtas, do të jetë e njëjtë.

Po kjo nuk do të thotë që gjithçka do të pritet vetëm nga revista Mather Jones, sepse afërmendsh që ka edhe investigime të tjera që mund dhe duhet t’i ekspozojnë skandalet financiare të lidershipit politik shqiptar.

Si pasojë e kësaj dhe të fakteve korruptive që dihen, goditja penale duhet të jetë e njëkohshme në të dy krahët e politikës.
Dhe sigurisht që kjo do të jetë masa më e drejtë në besueshmërinë që duhet të fitohet kundrejt opinionit publik shqiptar.
Gjithsesi, tani kuptohet se koha ka hyrë në një stad të ri antikorrupsion: po fillojnë ekspozimet faktike të skandaleve financiare, por edhe antikombëtare.
Në të vërtetë, duhet të kuptohemi: skandali i fundit i marrëveshjes së Bashës me agjensitë ruse, është identik si edhe rastet historikë të liderëve shqiptarë me Beogradin, gjithmonë në kundërshtim me interesin kombëtar shqiptar.

Pse, a ka njëri sot me pak mend në kokë që të mos e kuptojë që angazhimi i Rusisë për Bashën dhe Berishën është angazhimi i këtyre të dyve që ta kalojnë Shqipërinë drejt interesit rus?
Dhe po ta mendosh disi më thellë, e kupton qartë se gjithçka është bërë për të shkatërruar çdo të drejtë që kanë marrë shqiptarët deri tani nga pushtuesit sllavë të territoreve shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Por gjithçka ama, për të shpëtuar nga rreziku që po iu vjen prej reformës antikorrupsion.

E kuptoni se me çfarë individësh kemi të bëjmë? Me njerëz që po kërkojnë që t’i shpëtojnë ndëshkimit të tyre si të implikuar në korrupsion, duke shkatërruar gjithçka të arritur për të drejtat e dhunuara të shqiptarëve, deri me genocid antishqiptar.

E gjithë kjo ka vetëm një konkluzion: likuidimi i kësaj bande antikombëtare duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

11 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)