Sociale Manastirliu në OKB: Masa për fuqizimin e grave dhe vajzave

Manastirliu në OKB: Masa për fuqizimin e grave dhe vajzave

108
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu po merr pjesë në sesionin e 62 të Komisionit për Statusin e Gruas, që po mbahet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York.

Gjatë tryezës ministeriale të zhvilluar sot për Praktika dhe shembuj pozitivë për fuqizimin e grave dhe vajzave rurale, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në fjalën e saj evidentoi sfidat me të cilat përballet gruaja shqiptare në zonat rurale si: lufta kundër stereotipeve gjinore, pabarazia gjinore, parandalimi i të gjitha formave të dhunës ndaj grave, aksesi në shërbimet shëndetësore dhe sociale, etj. Në këtë kontekst, Manastirliu theksoi fokusin që Qeveria Shqiptare i ka kushtuar fuqizimit ekonomik dhe social të grave rurale nëpërmjet skemave të punësimit dhe gjithëpërfshirjes së grave.

“Adresimi  i pengesave me të cilat përballen gratë dhe vajzat rurale, është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, si pjesë integrale e angazhimit të marrë për më shumë barazi gjinore dhe përfshirje sociale. Puna jonë është kryesisht e fokusuar në parandalimin e dhunës me bazë gjinore në zonat urbane dhe rurale; rritja e aksesit të grave dhe vajzave në sistemin gjyqësor, përmirësimi i jetës në zonat rurale, falë reduktimit të punës së papaguar në sektorin bujqësor, duke bërë të mundur që më shumë gra dhe vajza në zonat rurale të përfitojnë nga skemat e subvencionit, si dhe të garantohet e drejta mbi pronën dhe tokën bujqësore”, tha Manastirliu.

Ministrja gjatë fjalës së saj u ndal në disa nga praktikat dhe shembujt pozitiv të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për fuqizimin e gruas rurale:

“Të dhënat më të fundit tregojnë se gratë dhe vajzat në zonat rurale dhe urbane, sot ndihen më besimplotë për të raportuar pranë autoriteteve, rastet e dhunës dhe abuzimit. Në vitin 2017 kemi pasur 10% më shumë raportime të dhunës në familje pranë organit të policisë krahasuar me një vit më parë.

Parandalimi i dhunës është një nga qëllimet kryesore të Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Planit të saj të Veprimit 2016-2020, që synon në rritjen me 30% të numrit të qytetarëve, që mbështesin strategjinë dhe vizionin e Zero Tolerancë nga dhunës kundër grave”, tha Manastirliu.

13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)