Politikë Vizita në burgun e Peqinit, Noka: Shantazhuan Aldo Baren; Gjonaj: Sulm i...

Vizita në burgun e Peqinit, Noka: Shantazhuan Aldo Baren; Gjonaj: Sulm i ulët i PD

249
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, ka reaguar për vizitën e ministres së Drejtësisë në burgun e Peqinit.

Në një postim në Facebook, Noka përmend faktin që Etilda Gjonaj vizitoi edhe qelinë ku qëndron ish-kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

Për këtë fakt, Noka ngre disa pikëpyetje nëse Edi Rama po shtantazhon dikë me dërgimin e ministres në qelinë e të dënuarit Bare.

“Ministrja e Drejtësisë sot zhvilloi një vizitë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Dhe çuditërisht i shkon në qeli Aldo Bares. Të jetë vallë rastësi apo e planifikuar??? Çfarë mesazhi po përpiqet të përcjellë ministrja me këtë vizitë??? A po shantazhon dikë Edi Rama duke i çuar ministren Aldo Bares?”, shkruan Noka.

Ai bën një paralelizëm me atë që e quan braktisje të Ramës për shtresat në nevojë.

“Si shpjegohet një ndjeshmëri e tillë e Edi Ramës për kushtet e Aldo Bares kur ndërkohe nuk ja ndjeu fare dhe i flaku me një të rënë të lapsit 26 mijë familje që nuk kanë as bukë për femijët …A e patë se si ministrja lumturohej kur krerët e bandës së Lushnjës flisnin me gjuhën e Edi Ramës???? A tregon ky kontrast se Edi Rama nuk është Kryeministër i shqiptarëve por i bandave dhe krimit?”, përfundon reagimi i Flamur Nokës.

Deputetit demokrat i është përgjigjur vetë ministrja me një deklaratë të shpërndarë për mediat ku shprehet: “Kthej mbrapsht me përçmim sulmin e ulët të Partisë Demokratike, përmes një prej figurave më të diskredituara të teatrit politik opozitar, lidhur me vizitën time të punës në IEVP e Peqinit”.

Gjonaj nënvizon se vizita është zhvilluar brenda normalitetit të detyrës si Ministre e Drejtësisë, ndërsa për reagimet kundër nga opozita thekson se ato janë thjesht deklarata prej humbësi dhe zhgarravitësi të debatit publik.

“Këtë detyrë e kam marrë me të gjithë përgjegjësinë që ajo ka dhe prej ditës së parë, e kam pasur plotësisht të qartë edhe detyrën, edhe me çfarë do të duhet të përballesha. Përfshirë edhe zhgarravitësat profesionistë të mjedisit të debatit publik. Kam bindjen se çdo njeri normal që i lexon apo dëgjon marrëzira si kjo e sotmja ndaj meje (dhe fatkeqësisht ndodhin përditë), e kupton pa asnjë mundim se burimi i tyre është dëshpërimi i një opozite që ka humbur gjithçka”, reagon ministrja.

13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)