Kulturë Vlash Droboniku, themeluesi i filmit të animuar

Vlash Droboniku, themeluesi i filmit të animuar

132
SHPËRNDAJE

Viti 1975 shënoi një sukses të ri, u prodhua i pari film multiplikativ shqiptar (teknika e kartonave) “Zana dhe Miri” nga piktori Vlash Droboniku i cili mbasi kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, bëri një specializim të shkurtër në studion “Animafilm”në Bukuresht (Rumani).Filmi multiplikativ ishte një domosdoshmëri e kohës për të mbushur një boshllëk të ndijshëm për filmat për fëmijë, ndonëse tematika që trajtuan ata nuk ishte vetëm për botën fëminore; shkruan kritiku i kinemasë Abaz Hoxha.

Filmi multiplikativ mori një zhvillim të shpejtë, një vit më vonë, 1976, u prodhuan 4 filma. Ekipi krijues u zgjerua ndonse baza teknike ishte ende e dobët mbasi u përdorën aparatura të vjetra të cilat u adaptuan për këtë qëllim. Viti 1977 një hap cilësor, nga kartoni i animuar realizohet filmi i parë me vizatime “Zhgarravinat” me regjisor-piktor Bujar Kapexhiun.

Ky ishte një film mjaft i suksesëshëm i cili u nderua me Kupën e Festivalit të Dytë të Filmit Shqiptar për gjininë e tij më 1977 dhe me çmimin e Parë në Festivalin e Tretë të Filmit Ballkanik në Stamboll (Turqi); duke shënuar kështu edhe të parin çmim për filmat shqiptarë në Festivalet Ndërkombëtare të Filmave.

Teknikat e filmit multiplikativ kombinohen midis tyre, lëvizjet bëhen më ekspresive, me shprehje më të qarta karakteresh, me një ndërtim më origjinal në dramaturgji e me kërkesa të veçanta të stileve grafike për seicilin krijues. Më 1979 regjisori Esat Musliu, piktori Astrit Tota dhe operatori Faruk Basha prodhuan të parin film me kuklla “Vajza me pata”, teknikë që u pasua më vonë në një sëri filmash të Vlash Drobonikut. U rritën kuadrot dhe brenda pak viteve prodhimi i filmave të kësaj gjinie u rrit shumë shpejt. “Në fillim të viteve ‘80 prodhoheshin çdo vit 12 filma multiplikativë të teknikave të ndryshme.

Kjo rritje ishte rezultat i punës këmbëngulëse të krijuesve të këtij sektori. Këta filma u mirëpritën nga spektatorët e moshave të ndryshme, por veçanërisht nga të vegjëlit”; thotë Hoxha. Tipari dallues i tyre ishte karakteri kombëtar në subjekt,skenografi, psikologji. Ata transmetuan tek spektatori i vogël një moral të shëndoshë dhënë nëpërmjet të një humori bindës e të kuptueshëm por që nxiste fantazinë e tyre.

Baza teknike u rrit gradualisht duke kaluar në atelie më të modernizuara që dhanë mundësi për xhirime më të komplikuara dhe teknika më të avancuara. U krijua një bërthamë e konsiderushme krijuesish të gjithë profileve-skenaristë, regjisorë, piktorë, operatorë, multiplikatorë, kompozitorë etj të talentuar që e ngritën sektorin e tyre në lartësi përherë më të mëdha duke realizuar shumë filma cilësorë që u mirëpritën në publikun shqiptar dhe të huaj.

Duhet theksuar se filmi vizatimor iu shmang që në fillimet e tij politizimeve dhe diktatit ideologjik, ndoshta edhe vetë nga natyra e tij ku sundonte lufta midis së mirës dhe të keqes që përfaqësojnë një nga normat bazë të moralit të përgjithëshëm njerëzor sikurse u mbështetën edhe në përrallat popullore.

Ndërsa themeluesit e filmit vizatimor u bënë Vlash Droboniku e Bujar Kapexhiu, mbas tyre vijuan një plejadë e tërë piktorësh dhe regjisorësh të suksesëshëm si Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Muharremi, Esperanca Konomi, Majlinda Agolli, Artur Dauti, Robert Qafëzezi, Artan Maku, Sokol Xhahysa, Gjin Varfi, Stefan Taçi, etj si dhe një ansambël i tërë piktorësh ekzekutues dhe multiplikatorësh si Natasha Vodica, Diana Hoxha, Beti Kumi, Suzana Thaçi, Alma Bengu, Ana Arapi, Suzana Varvarica, Elefteri Milla,…. etj.

Një kontribut të rëndësishëm në xhirimin e filmave për fëmijë dhanë kinooperatorët Tomi Vaso, Diana Diamanti, Jovan Kondakçi, Beqir Vaqari,Vangjush Valla, Sonja Mamaqi, etj. Në këtë mënyrë xhirimi i filmave vizatimorë filloi të konsolidohesh dhe të rritej nga viti në vit duke u bërë e mundur që deri në vitin 1995 të ishin realizuar mbi 160 tituj filmash vizatimorë të teknikave të ndryshme.

13 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)