Kulturë Shqipëria mungon në Sallonin e Librit në Francë

Shqipëria mungon në Sallonin e Librit në Francë

184
SHPËRNDAJE

Shqipëria nuk është as këtë vit pjesë e “Livre Paris” Panairit të madh të Librit që mbahet çdo vit në Francë, një prej eventeve më të rëndësishme të botës së letrave. Panairi i cili vetëm një ditë më parë u vizitua e nga presidenti francez, konsiderohet si një pikë e rëndësishme takimi mes botuesish e agjentësh të librit, dhe renditet ndër panairet e mëdha si ai i Frankfurtit, apo Londrës.

Ndërkohë i vetmi botues shqiptar në këtë panair është Buzuku nga Kosova, Ministria e Kulturës e së cilës ka më shumë mbështetje ndaj botuesve. I vetmi panair ku Shqipëria merr pjesë zyrtarisht është ai i Lajpcingut në mbështetje nga Traduki, i cili është duke u zhvilluar aktualisht. Letërsia shqipe në Lajpcing prezantohet me autorët Thanas Medi, Gazmend Kapllani dhe Manjola Nasi të cilët kanë nisur diskutime të hapura me vizitorët e pranishëm në panair.

Sigurisht që pjesëmarrja në panaire të ccdo niveli është e rëndësishme për një kulturë e gjuhë si e jona, por ndër prioritete të Ministrisë duhet të jetë dhe mbështetja e botuesve për të marrë pjesë në Panaire siç është dhe “Livre Paris”, duke patur parasysh krizën në të cilën ndodhet libri dhe botuesit. Livre Paris ka hapur siparin më 16 mars e do të qëndrojë deri më 19 mars.

Për tre ditë gjithë bota e librit është përqendruar në Paris, ku prezantohen jo vetëm autorët e momentit, por dhe projekte të së ardhmes përsa i përket librit. Në stendën e Buzukut ka ndaluar dhe autorit fitues i çmimit Goncour 2017 Eric Vuillard.”Romani (Rrëfimi) “Rendi i ditës” është tashmë i përkthyer nga Urim Nerguti dhe Buzuku vazhdon me traditën e sjelljes në shqip të Goncourt 2014, 2015, 2016 dhe 2017! Me Vuillardin biseduam jo pak, madje edhe për një vizitë të tij në Prishtinë!“, shkruan botuesi Abdullah Zeneli.

Buzuku ka botuar autorë francez si Patrick Modiano, J.M.G. Le Clézio, Jean-Paul Sartre, Mathias Énard, Nathalie Sarraute, Roland Barthes, Tzvetan Todrov, Éric Vuillard, Lydie Salvayre, Leïla Slimani, Carole Martinez, Edouard Louis, Olivier Adam, Pascal Roze, Juan Asensio, Jenny Dorny, Lucie Léanne, George-Olivier Châteaureymaud, Maylis de Kerangal dhe autorë tjerë.

17 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)