Kryesoret Shtrëngata shiu e ulje temperaturash, IGJEUM parashikon përmbytje në Shkodër

Shtrëngata shiu e ulje temperaturash, IGJEUM parashikon përmbytje në Shkodër

392
SHPËRNDAJE

Kushtet atmosferike aspak të qëndrueshme gjatë ditëve të fundit duket se do të kenë të njëjtin trend edhe gjatë mbrëmjes së sotme dhe ditës së hënë.

Sipas parashikimit meteorologjik të IGJEUM, priten reshje në të gjitha qarqet, ku shirat do të jenë intensivë në qarqet Dibër dhe Tiranë, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. IGJEUM paralajmëron për shtrëngata, ndërsa situata më e rënduar do të jetë gjatë paradites së nesërme.

Në njoftimin e fundit të IGJEUM bie në sy fakti se, “nga llogaritjet hidrologjike rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta”, duke paralajmëruar një avancim të mëtejshëm të ujit në disa fshatra, që ndodhen aktualisht të përmbytura në zonën e NënShkodrës.

“Sot (e diel, dt.18) në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të vazhdojë të ketë RRITJE të niveleve të ujit dhe RRITJE TË HARTËS SË PËRMBYTJEVE. Nesër (e hënë, dt.19) do të vazhdojë RRITJA E PRURJEVE në pjesët e larta malore të basenit duke përfshirë edhe hidrocentralet mbi lumin Drin. Nesër nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të vazhdojnë TË RRITEN për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna”, sqaron IGJEUM.

Por, parashikimet e IGJEUM nuk janë pozitive as për ditët në vazhdim, pasi “tregojnë RRITJE TË PRURJEVE DHE NIVELEVE përgjatë datave 20, 21 dhe 22 Mars 2018”.

“Pritet ZGJERIM I HARTËS SË PËRMBYTJEVE në pjesën e Nën Shkodrës dhe përmbytjes të zonave periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit. Për arsye të shtimit të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Ngjyra e kuqe e qarkut është vendosur për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Në pjesën tjetër të territorit përgjatë ditëve në vazhdim parashikohet RRITJE E NDJESHME E PRURJEVE duke rritur rrezikun nga përmbytjet në gjithë pjesët fushore të lumenjve”, theksohet më tej në njoftim.

TEMPERATURAT
Nesër (e hënë, dt.19) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 10 / 12 °C
në vendet e ulëta: 10 / 11 °C
në vendet malore: 4 / 8 °C

ERA
Sot pasdite (e diel, dt.18) era pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare, ndërsa nesër (e hënë, dt.19) era pritet të fryjë mesatare deri në e fortë.

18 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)