Kryesoret Klima po ndryshon, shtohen përmbytjet dhe ditët e nxehta

Klima po ndryshon, shtohen përmbytjet dhe ditët e nxehta

273
SHPËRNDAJE

Mbi 1,6 miliardë euro financime i duhen Shqipërisë në 10 vitet e ardhshme për të siguruar ujë për popullatën, bujqësinë dhe industrinë.

Në strategjinë e miratuar nga qeveria, thuhet se burimet ujore pritet të ulen me 14 për qind deri në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe kjo gjë kërkon ndërhyrje me investime.

Por, sipas Institutit të Gjeo-Shkencës, ndryshimi klimës është fakt. Profesor Petrit Zorba, përgjegjës për Departamentin e Klimës në Institutin e Gjeo-Shkencës thotë se rritja e temperaturave dhe ulja e sasisë së reshjeve është konstatuar në 10 vitet e fundit.

“Sipas modeleve të ndryshme klimatike pritet në shkalle globale, kontinentale apo në shkallë rajonale që në vitin 2050, apo në 2070 të kemi reshjet të ulta me 15 apo 20 për qind, ndërkohë që praktikisht vetëm në 10 vitet e fundit këto ndryshime janë verifikuar tashmë. Pra nuk ka nevojë që të presim deri në 2030 apo 2050, ku ndryshimet do të jenë akoma më të theksuara”, paralajmëron profesori Zorba.

Rënia e sasisë së reshje është shoqëruar me përqendrimin e tyre në pak ditë, çka rrit rreziqet që mund të vijnë nga përmbytjet.

“Nëse më parë këto reshje binin në një numër ditësh 100 të supozuar, këto tani bien në një numër sigurisht më të vogël, por numri i ditëve me reshje me prag mbi 30 milimetra që janë reshje intensive është shtuar”, sqaron profesor Petrit Zorba.

Por ndryshimi i klimës nuk duhet parë nën këndvështrimin problematik. Ka sektorë të ekonomisë që mund të nxjerrin përfitime.

“Për energjitë alternative, apo të rinovueshme ne kemi më shumë mundësi të kemi energji diellore, gjithashtu po të marrim periudhën e vegjetacionit, ajo ka një kohë zgjatje më të madhe, i fillon pak më herët, fillon 2 javë më herët dhe mbaron 1 javë më vonë, që do të thotë që kemi një periudhë vegjetacioni më të gjatë me mundësi të prodhimeve bujqësore më të mëdha”, deklaron kreu i Institutit të Gjeo-Shkencës.

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)