Opinion MBAJTJA NË BURG E KUKSIANËVE, KRIM SHTETËROR!

MBAJTJA NË BURG E KUKSIANËVE, KRIM SHTETËROR!

51
SHPËRNDAJE

Luan Rama

Policia, prokuroria dhe gjykata kanë kryer një krim shtetëror me mbajtjen në burg të 11 kuksianëve të pafajshëm, protestues në “Rrugën e Kombit”. Sepse e gjithë veprimtaria e tyre është kryer në kundërshtim me kërkesat që parashikon Kodi i Procedurës Penale!

Titullarë dhe përfaqësues të këtyre institucioneve, në bashkëpunim, kanë falsifikuar dokumentet zyrtare dhe kanë shpërdoruar detyrën!

Pas dëshmive të qindra qytetarëve kuksianë, pas provave shkresore e së fundmi, edhe pas provave filmike, provohet katërcipërisht e pa asnjë ekuivok se jemi përpara një krimi shtetëror të organizuar e të realizuar në bashkëpunim.

Qytetarët e pafajshëm kuksianë janë ndaluar nga policia rreth orës 2 dhe 3 pas mesnate, ndërkohë që në gjykatë janë paraqitur urdhër ndalime që mbajnë orën 10 ose 11 të ditës në vijim, pra 7-8 orë më vonë nga koha e ndalimit të tyre nga policia.

Një precedent i rrezikshëm, një akt unikal e i pashembullt, për të cilin përgjegjësia kryesore bie mbi Prokuroren e Përgjithshme, e cila edhe vetë është gjithashtu në kushtet e kryerjes së veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Ndaj, sipas Kodit të Procedurës Penale, meqenëse është subjekt i posaçëm, për të duhet bërë menjëherë kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të rënda! Dhe për të tjerët, drejtuesit vendorë të policisë e prokurorët shërbëtorë që në bashkëpunim janë pjesëmarrës në këtë krim, duhet bërë kallëzim në prokurorinë më të afërt me prokurorinë e Kukësit, për falsifikim të dokumenteve zyrtare në bashkëpunim!

Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit e një tufë me komisionerë e zyrtarë që vegjetojnë nëpër zyra me gjithfarë emrash sugjestionues si për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për mbrojtjen nga diskriminimi apo organizime të të ashtuquajturës shoqëri civile duke filluar me Komitetin Shqiptar të Helsinkit e me radhe, duhet të ngrihen në alarm! Menjëherë dhe pa asnjë hezitim!
Është shkelur Kushtetuta, janë shkelur Konventat Ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, janë shkelur ligjet e shtetit, janë shkelur dhe dhunuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut!

11 qytetarë të pafajshëm kuksianë mbahen padrejtësisht në burg!
Kur shteti kryen krim, është detyrë e popullit të bëjë drejtësi!

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)