Opinion PATRIOTIZMI STERIL NUK E NDIHMON SHQIPËRINË

PATRIOTIZMI STERIL NUK E NDIHMON SHQIPËRINË

95
SHPËRNDAJE

Nga Ledian DROBONIKU

Të kuptojmë se cili është patriotizmi steril:

1.Patriotizëm steril është ai që kërkon shpëtimin e Kombit nga forca të jashtme dhe jo forcim të sovranitetit popullor.

2.Patriotizëm steril është ai që trumbeton sharjen apo mburrjen e fuqive të huaja. Patriotizmi kërkon konvergim të energjive brenda pa i derdhur jashtë në mënyrë centrifugale.

3.Patriotizëm steril është krijimi i grupimeve udhëhequr nga njerëz mediokër, pa arsim apo të kompromentuar me sistemin dhe partitë e tranzicionit. Kjo fashit ndjenjën patriotike tek shqiptarët e ndershëm e patriotë. Kauza të larta duan dhe njerëz të lartë që ta udhëheqin. Sjellja e një ligjërate banale eksiton turmat por nuk është e aftë për bashkimin rreth një projekti të përbashkët.

4.Patriotizëm steril është ai që kërkon shpëtimin tek regjimet despotike të mëparshme, si enverizmi, zogizmi apo otomanizmi, në vend të krijimit të një shoqërie moderne si popujt e civilizuar.

5.Patriotizëm steril është ai që bombardon rininë me koncepte neoliberiste si kozmpolitizëm, multikulturalizëm, globalizëm etj. Këto koncepte janë “kalë troje” për të rrënuar shtetin komb si një relike demode dhe për ta zëvendësuar me pushtetin e lobeve apolide financiare. Popujt kanë ditur historikisht të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, me kusht që secili të ketë një shtëpi të tijin ku është Zot.

6.Patriotizëm steril është ai që vë axhendën e Brukselit apo Ëashingtonit para axhendës kombëtare. Integrimi europian pa ç’bërë Shqiptarizmën.

7.Patriotizëm steril është ai që kërkon thjesht rotacion dhe jo rrëzimin e këtij sistemi pol-ekonomik, partive, monopolet, mediave, lobet, ambasadorët dhe masoneritë që po i pinë gjakun popullit.

8.Patriotizëm steril është ai që llomotit me slogane, por nuk tregon “SI” do bëhet Shqipëria?

————-

Patriotizëm autentik është ai:

1.Që kërkon ngritjen e vlerave kombëtare e jo importimin e tyre duke vijuar rrugën e Rilindjes Kombëtare.

2.Që kërkon fuqizimin e popullit shqiptar e rënien e partive e lobeve.

3.Fuqizim Politik e Kulturor duke i dhënë më shumë pushtet popullit e më pak partive. Demokracia Pjesëmarrëse është i vetmi sistem ku shteti togëzohet me popullin dhe i shërben atij.

4.Fuqizim Ekonomik. Adoptimi i atij sistemi ekonomik që mundëson begati ekonomike për të gjithë e jo një pakicë si sot.

5.Ngritja e një Ekonomie Kombëtare dhe braktisja e kursit neoliberist që po boshatis Shqipërinë duke na kthyer nga popull autokton në popull endacak

6.Kombëtarzimin e sektorëve strategjikë dhe pasurive kombëtare.

7.Sovranitet Monetar dhe vënien e Bankës Kombëtare në shërbim të Ekonomisë Kombëtare e jo lobeve. 8.Vënien e Bashkimit Kombëtar si axhenda kryesore, si rruga e vetme për ti shpëtuar zhdukjes nga forcat globalitariste.

————–

Patriotizmi nuk është thjesht një koncept shpirtëror apo simbolik. Ai është mbi të gjitha fryma ku ngjizen themelet e shtetit modern. Popujt kuptuan që të drejtat e tyre mund t’i mbronin më mirë, brenda një shteti kombëtar. Vetëm një popull që ka gjuhë të njëjtë, kulturë e histori të njëjtë mund të luftojë beteja të përbashkëta kundër çdo forme tiranie, të jashtme apo të brendshme. Ndjenjat e lirisë, barazisë apo solidaritetit farkëtohen vetëm brenda një komuniteti që njihet në një identitet të përbashkët.

Nëse ajo që bashkon qytetarët është më e fortë sesa ajo që i ndan, edhe konfliktet ekonomike, sociale e politike kompozohen më lehtë drejt një bashkëjetese paqësore të një shoqërie pluriklase. Por nëse istanca e bashkimit është e dobët, integriteti i një shoqërie rrezikohet nga çdo dinamikë konflikti. Edhe nga ana ekonomike, krijimi i mirëqenies së përgjithshme vjen vetëm nga mobilizimi i energjive materiale e shpirtërore brenda një ekonomie kombëtare.

Kjo nuk të do të thotë ekonomi autarkike të mbyllur si në regjimin komunist. Por as transformim në koloni importi e dhurimi të sektorëve strategjikë e pasurive kombëtare të të huajve. Në këtë mënyrë energjitë kombëtare (pasuritë e punëtorët) nuk konvergojnë brenda sistemit por dalin jashtë tij. Ky model pervers nuk lejon as krijimin e pasurisë materiale e as atë shpirtërore të një populli që detyrohet të kthehet në popull endacak për mbijetesë.

Por cilat janë ato grupime shoqërore ekonomike që si çdo organizim politik, edhe brenda shtetit-komb ka forca që punojnë për bashkim, ashtu sikundër ka dhe forca centrifugale kundër tij. Ata që kanë interes për bashkim, janë punëtorët dhe borgjezia e prodhimit, në një cikël virtuoz, ku rritja e njërit është dhe fuqizim i tjetrit. Pavarësisht konfliktit në mikro, sipërmarrësit janë të interesuar në radhë të parë që prodhimi i tyre të shitet e kjo mundësohet nga rritja e fuqisë blerëse e punëtorëve.

Prandaj dhe shteti del garant për kompozimin e konfliktit mes dy palëve, me politika page, politika monetare, fiskale, politika industriale, arsimore, infrastrukturë etj. Por ky kompozim virtuoz i konfliktit nuk ndodh në çdo model ekonomik. Kjo është e mundur vetëm në një ekonomi kombëtare, ku operatorët konvergojnë Forcat antikombëtare që janë tregtarët e importit e që nuk duan rritjen e prodhimit në vend.

Armik tjetër i kombit është bota e financës, që synon që pasuria e krijuar nga shqiptarët të qarkullojë në tregjet ndërkombëtare sesa të rihidhet për investime e punësime. Armiku politik janë dhe partitë oligarkike që mbrojnë interesat e lobeve të importit dhe lobeve të huaja që kanë shtënë në dorë pasuritë kombëtare. Forca e këtyre partive qëndron pikërisht në dobësimin e popullit ekonomikisht dhe kulturalisht, për të krijuar armata militantësh.

Një rrezik konstant mbetet gjithashtu dhe devijimi i besimeve fetare, nëse këto nuk drejtohen nga shqiptarë dhe brenda Kushtetutës shqiptare. Që një komb të mbijetojë e populli të prosperojë, duhet që pushteti të tokëzohet në popull, si i vetmi garant i funksionimit të shtetit dhe ekonomisë. Nëse kuptojmë cilat janë interesat kombëtare shqiptare, do të mund edhe t’i mbrojmë edhe zhvillojmë ato. Në të kundërtën, rrezikojmë të bëjmë lojën e kastës dhe qarqeve antishqiptare. Shqipëria kërkon kontributin e të gjithë shqiptarëve patriotë kudo, e jo një pakice të “ndritur” apo një shpëtimtari hyjnor. Një popull që pret të shpëtohet, vdes skllav! Punojmë pra për ngritjen kulturore e politike të popullit shqiptar, si bënë rilindasit e patriotët e kësaj toke!

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)