Ekonomi Rama mohon taksat e rritura: Biznesit të vogël i janë ulur në...

Rama mohon taksat e rritura: Biznesit të vogël i janë ulur në 5%

78
SHPËRNDAJE

Në një interpelancë me Sindikatën e Minatorëve, kryeministri Rama ka deklaruar se taksat e vendosura nga qeveria e tij janë disa herë më të vogla dhe të arsyeshme në krahasim me vitet e kaluara.

Rama iu drejtua ish-minatorëve duke u shprehur se ka një keqkuptim të madh në çështjen e taksave të rritura.

“Ne e kemi hequr taksën e ilaçeve, që ishte 10% për çdo lloj aspirine që merrnin njerëzit për medikamentet, kemi përfshirë në listën e rimbursimeve 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve; kemi rritur listën e ilaçeve të rimbursueshme, por nëse do bënim një llogari, të gjitha këto para të kursyera njerëzve, janë para që i paguan buxheti i shtetit, – theksoi kryeministri. – Përjashto taksën mbi më të pasurit dhe që kaloi 10-15% te kompanitë, si dhe taksën e karburantit që e ne e rritëm, duke konsideruar rënien e çmimit në tregun ndërkombëtar, janë 120 mln dollarë të kursyera, ndaj unë ju sfidoj të më thoni një taksë tjetër të rritur”.

Rama shtoi se “e kemi bërë 5% taksën e biznesit të vogël nga 10% që ishte. Nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin ujë e drita, e sot i paguajnë, këto nuk janë taksa, por pagesa si shërbime malli që duhen paguar. Kemi aplikuar zero taksë për rrogat deri në 30 mijë lekë”.

Po ashtu deklaroi se janë ulur taksat për 97% të punonjësve që deri dje paguanin 10% taksë .

Sipas tij, kush ka pagë deri në 300 mijë lekë nuk paguan asnjë taksë, zero tarifë dhe se për biznesin e vogël nga 10% është 5%, dhe për biznesin e vogël me llogari 5 deri në 10 milionë lekë po aq.

Rama e vlerësoi takimin me ish-minatorët dhe i ftoi ata të diskutojnë së bashku edhe kur kanë probleme apo paqartësi të tjera.

Interpelanca e sotme u kërkua nga themeluesit e Sindikatës së Minatorëve “Janar 1991”sot të dalë në pension, të cilët kanë kërkuar shpjegime për ecurinë e Statusit të Minatorit.

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)