Sport Shpërthimi i Gurit, në gjurmët “bomberave” shkodranë Salihi e Balaj

Shpërthimi i Gurit, në gjurmët “bomberave” shkodranë Salihi e Balaj

42
SHPËRNDAJE

Fatal në zonë me saktësinë e një snajperi, pothuajse e pamundur ta markosh në luftën në ajër, siç e provoi së fundmi dhe Atanda, i gatshëm të veshë dhe kostumin e asistuesit për të nxjerrë te goli shokët e skuadrës, dhe qershia mbi tortë një perlë alla Ronaldo apo Messi nga goditjet standarde.

Sindrit Guri kryeson listën e golashënuesve më 15 gola në total, por statistika merr më shumë vlerë po të marrësh në konsideratë se ka shënuar 2/3 e kësaj shifre në vitin aktual. Kjo është 2018-a e Sindrit Gurit, për këtë nuk ka diskutim. Plot 11 gola të shënuar nga janari e këtej në ndeshjet zyrtare, një zbulim i vërtetë duke bërë të harrohet Elis Bakaj, pa harruar dhe golat e rëndë në Kupën e Shqipërisë. Janë pikërisht dy golat e tij në përballjen e dyfishtë me Tiranën që çuan Kukësin në gjysmëfinalet e Kupës, ndërkohë që gjithsej këtë sezon në edicionin e dytë futbollistik në vend për nga rëndësia Guri ka shënuar gjithsej 6 gola.

Shifra që evidentojnë shpërthimin e 24- vjeçarit shkodran që nga ndeshja në ndeshje po konfirmohet si një sulmues i kompletuar dhe me shumë rrugë përpara. Një prodhim i kampionatit shqiptar dhe ky është një fakt që përbën një motiv më shumë krenarie për të gjetur shpërthime si ai i Gurit, duhet u kthyer jo pak pas në kohë, për t’u përballur me sulmues që kanë bërë goxha rrugë dhe emër.

Mjaft interesant fakti se edhe analogjitë vijnë nga i njëjti qytet, Shkodra. Kategoria Superiore ka nxjerrë vitet e fundit edhe sulmues klasi si Cikalleshi apo Sadiku, por kavajasi shpërtheu në gola në sezonin 2013-2014 me Kukësin, 17 të tillë, pasi kishte luajtur me Besën, Tiranën apo kishte provuar një aventurë në Korçë, ndërsa Sadiku shpërthimin e vërtetë për sa i përket golave të shënuar e pati në Zvicër, me Locarnon.

“Bomberi” i fundit i zbuluar në Superiore, duke patur parasysh edhe numrin e golave në një sezon të vetëm, është Bekim Balaj, 17 gola në 38 ndeshje me Vllazninë në sezonin 2009-2010, për të vijuar më pas një rrugëtim të gjatë në etapat e një karriere sportive. Shpërthimi tjetër i krahasueshëm me atë të sulmuesit të Kukësit është një ndër talentet më të mëdhenj të futbollit shqiptar në këto dekadat e fundit, Hamdi Salihi, me 30 gola në 53 ndeshje me Vllazninë gjatë sezoneve 2002-2004, për t’u kthyer më pas në një nga emblemat e sulmit të Kombëtares.

Për Gurin ky është viti i parë i evidentimit në Superiore pas eksperiencës me Korabin në të parën. Te Kukësi vështirë se do të mund ta mbajnë edhe pas kësaj vere. Falë vlerave dhe aftësive që po shfaq, duket i destinuar për një rrugë si ajo e bashkëqytetarëve të tij, Balaj apo Salihi.

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)