Sociale Siguria publike, certifikohen 25 policët e parë bashkiakë

Siguria publike, certifikohen 25 policët e parë bashkiakë

915
SHPËRNDAJE

Punonjësit e Policisë Bashkiake po trajnohen nga Akademia e Sigurisë për t’u aftësuar në fushën e sigurisë publike. Grupi i parë i punonjësve të kualifikuar u certifikuan në një aktivitet ku mori pjesë zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku tha se në tre vjet Policia Bashkiake nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. “Gjenerata e Policëve Bashkiakë nuk ka ndryshuar vetëm imazhin, por mbi të gjitha cilësinë e shërbimit. Gjithmonë ka njerëz që mundohen të gjejnë një cen te Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake. Por, po të shohim sa rrugë kemi bërë dhe ku e morëm si shtetin, si qytetin, them se më e mira është përpara. Kemi bërë mjaftueshëm për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit edhe për ta falenderuar”, deklaroi Veliaj.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Brendshme, efektivët e Policisë Bashkiake po ndjekin një program mësimor që do të formojë dhe zhvillojë më tej aftësitë teoriko-profesionale, në shërbim të qytetarëve.

Kreu i Bashkisë tha se puna e Policisë Bashkiake dhe asaj të Shtetit për menaxhimin e qytetit, duke rritur sigurinë dhe krijuar një imazh pozitiv për vendin, ndikojnë pozitivisht në gjithë zinxhirin ekonomik të qytetit.

“Një nga arsyet pse të huajt që vijnë raportojnë për një qytet perëndimor është pikërisht se shikojnë trotuare të lira, prona publike të pavandalizuara, shikojnë një qytet ku njerëzit respektojnë semaforin, vijat e bardha, ku shohin një polic të shtetit apo të bashkisë që ndihmon fëmijët që kalojnë trotuarin. Përshtypja që jep qyteti përkthehet në një shkrim, i cili lexohet nga miliona të tjerë që nesër vijnë turistë, sjellin para për ekonominë”, theksoi ai.

Bashkia e Tiranës pritet të ndërmarrë një tjetër nismë për të rritur më tej sigurinë në kryeqytet, atë të policimit në komunitet. Veliaj tha se bashkë me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është rënë dakord që në çdo njësi administrative të ketë një punonjës policie, i cili do të ketë si fokus të punës zgjidhjen e problematikave të qytetarëve në drejtim të sigurisë dhe rendit.

16 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)