Ekonomi Eksportet u rritën, Instat: 95 mln më shumë se një vit më...

Eksportet u rritën, Instat: 95 mln më shumë se një vit më parë

303
SHPËRNDAJE

Eksportet shqiptare u rritën me rreth 95 milionë euro në tre muajt e parë të vitit krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se për periudhën janar-mars kompanitë shqiptare shitën 572 milionë euro mallra në tregjet e huaja, ose gati 19 për qind më shumë se një vit më parë.

Sipas Instat eksportet janë rritur për të gjitha grupet e mallrave, por efektin më të madh e kanë dhënë materialet e ndërtimit, industria e fasonit si dhe energjia dhe artikujt bujqësor. Për të gjitha këto grupe rritja e eksporteve krahasuar me një vit më parë ka qenë në rend dyshifror.

Të dhënat tregojnë se kompanitë shqiptare që punojnë për tregjet e huaja po kalojnë një periudhë pozitive, teksa kërkesa nga jashtë vazhdon të zgjerohet. Ky është viti i dytë rresht që eksportet rriten me ritme të larta, pas një periudhë trevjeçare stanjacioni përgjatë viteve 2014-2016.

Tendenca e shkëmbimeve tregtare ka qenë e njëjtë edhe në krahun tjetër, ndonëse në ritme më të ulëta.. Sipas Instat në tre muajt e parë të vitit importet e mallrave nga jashtë janë rritur me 9.6 për qind krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rritjen më të madhe tek importet e ka grupi i makineri pajisjeve. Krahasuar me tremujorin e kaluar, importi i makinerive dhe pajisjeve u rrit me 15.5 për qind duke sinjalizuar për zgjerim të investimeve të reja në ekonomi.

17 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)