Kryesoret Në pritje të herceptinës, nëna e 4 fëmijëve nuk bën dot kimioterapinë

Në pritje të herceptinës, nëna e 4 fëmijëve nuk bën dot kimioterapinë

90
SHPËRNDAJE

Merita, nënë e 4 fëmijëve, është diagnostikuar me kancer gjiri. Herceptina, medikamenti që përdoret pas seancave të kimioterapisë, është shndërruar në makth, pasi askush nuk po e njofon që të shkojë për seancën e radhës.

“Kam një muaj që pres të më telefonojnë, por telefonata nuk po vjen”, tregon Merita.

Ka bërë tanimë 13 seanca me herceptinë, por tregon se e ka tejkaluar edhe deri në dy muaj afatin për shkak se ka munguar ky medikament: “Vetëm tre seancat e para i kam bërë në kohë. Seancën e 14 duhet ta bëjë që në 28 mars. Po vjen radha e seancës së 15 pa bërë ende 14-n”.

Merita jeton në Fushë-Arrëz, në vështirësi ekonomike, pasi burrë e grua janë të papunë. Diagnostikimi me këtë sëmundje i ka rënduar edhe më financat e familjes. Para se të vijë në Tiranë për herceptinën, duhet të udhëtojë drejt Shkodrës për të bërë analizat që i kërkon mjeku, por shpesh thotë se nuk i ka bërë.

“I kam anashkaluar 3-4 herë analizat sepse nuk i përballoja dot shpenzimet. Kam gënjyer doktoreshën sepse më vjen turp t’i them që nuk kam mundësi ekonomike për të bërë analizat”, shprehet Merita.

Për të ardhur në Tiranë, i duhet të niset në 5 të mëngjesit nga Fushë-Arrëzi dhe vetëm udhëtimi me të shoqin i kushton 2 400 lekë. Në spital tregon se i duhet të presë me orë të tëra, pasi hyn i pari ai që njeh apo manovron në mënyra të tjera, tregon ajo.

“E kam parë vetë që njerëzit kanë dhënë lekë për të hyrë pa radhë”, thotë Merita.

Ka qenë në QSUT kur kryeministri Edi Rama premtoi se do të zgjidhte çështjen e herceptinës dhe mendoi se do të arrinte t’i mbyllte edhe 5 seancat e fundit, por sot duket se është zhgënjyer: “Mbajta shpresë te kryeministri, por vazhdon i njëjti avaz”.

17 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)