Opinion PRANË EVROPËS, LARG EVROPIANIT!

PRANË EVROPËS, LARG EVROPIANIT!

333
SHPËRNDAJE

Arben ManajARBEN MANAJ

Shqipëria me kryeministër Edi Ramën, nëse u vjen keq apo mrekulloheni prej këtij fakti, e kaloi provimin e maturës me nota të larta, përmes hapjes së negociatave për në BE.

Por jemi ende në mes të rrugës për të demostruar, se ne si shqiptarë, sillemi, veprojmë dhe jetojmë si evropian, në nivel personal dhe shtetëror.

Qoftë edhe ngazëllimi prej këtij lajmi apo pezmatimin prej tij, do dëshmojë sesa larg ose afër, jemi të qenit evropian në esencë.

Përtej madhështisë, pritshmërisht të sfumueshme të këtij lajmi, pas tre ditësh, edhe pse nuk është çudi që na erdhi ky lajm, në rast se gjithçka shqiptare nuk kupton se çdo të thotë realisht të jesh shtetas dhe shtet i Bashkimit Evropian, do shpërdorojmë edhe asistin rus përmes gjykimit për më shumë influencë të Moskes drejt Ballkanit, ç’ka është një faktor, goxha vendimtar në dashamirësinë evropiane drejt aspirantëve të gadishullit.

Edhe pse jemi kandidat për në BE, edhe pse do fillojnë të negociojnë me ne, se çfarë duhet të bëjmë dhe kur do duhet ti bëjmë detyrat, akoma më të vështira, që ligjërisht, por edhe efektivisht të kualifikohemi për anëtarësim, ne si shtet dhe qytetar të tij, jemi larg shumë praktikës së të funksionuari me mentalitet evropian, thuajse në çdo aspekt të jetës.

Ne ende kemi një drejtësi, “ku thërret qameti”, pasi ende kemi njerëz të drejtësisë që nuk justifikojnë dot pasuritë, edhe pse është e thjesht matematika e rrogave dhe të ardhurave të tyre, si për ata, ashtu edhe politikanët.

Ne ende kemi përfaqësues të sistemit të drejtësisë që tërhiqen nga vettingu, dhe mendojne se kjo është amnisti ndaj korrupsionit të tyre, ç’ka nuk duhet të jetë.

Ne kemi politikanë dhe funksionarë të shtetit që janë kamur nga “dhuratat” e anëtarëve të familjeve të tyre, dhe që vilat e pasuritë që shpalosin pacipërisht dhe publikisht, me të ardhurat zyrtare që marrin nga puna në shtet, nuk do i bënin dot as deri në fund të mijëvjeçarit që kemi hyrë.

Ne s’kemi asnjë prej tyre të vetuar apo dërguar në dyert e drejtësisë për të vërtetuar jetën lluksoze të familjeve të tyre apo të maceve me një duzinë banjosh në një vilë.

Ne kemi, një shtet që është pronë private e çdo kryeministri të ditës, e ku opozitat nuk funksionojnë siç veprojnë rëndom në vëndet e BE-së.

Ne kemi një pabarazi të frikshme dhe kontrast social të pamëshirshëm, mes shqiptarësh, ku afro gjysma e kombit jeton jashtë, si asnjë vënd tjetër, ç’ka një pjesë e tyre, është e vetmja pjese evropiane dhe e integruar në BE realisht, për nga të ardhurat dhe mentaliteti i përftuar përmes të jetuarit në këto vende.

Ne kemi një shtet që i mungon frikshëm sensi i kujdesit social, ku më shumë merakoset për xhaguarët dhe arredimet e zyrave të shtetit, sesa për mijëra familje të varfëra shqiptare, që kur i shikon nëpër emisione investigative televizive, ulërasin për distancën me standartin evropian te shteteve, që duan të na fusin edhe ne, në BE.

Ne kemi një shoqëri, që gjysma pi kafe e gjysma e shërben atë, ku përveç call center-ave, një investitor i huaj e ka të vështirë të gjejë një krah pune të kualifikuar, qoftë edhe për punë të delegueshme nga vendet e tyre.

Ne kemi një vend, ku droga dhe krimi nisen prej andej me tonelata dhe “me ushtri”, drejt vëndeve ku ne duam të integrohemi, si asnjë tjetër nga vendet aspirante si ne.

Ne ende jemi një popull i armatosur në kohën e “këllirës e mallkimit të shqiptareëve” për menderen e tij dixhitale, që të vret se ka armë dhe që gjënë më të pavlerë ka kohën dhe jetën, duke të lënë shakull, për një vijë uji, apo pse më gërvishe makinën.

Ne kemi një media, që i bën fresk qeverive, dhe ku gazetarët pranojnë të punojnë pa kontrata pune, e imagjino të tjerët.

Ne kemi të zgjedhur në nivele lokalë apo qendrorë, që s’guxon t’i kritikoj kush, se i kanë blerë të gjithë ata, që kanë një platformë mediatike për t’i shërbyer publikut, opinionit të tij dhe llogaridhënies.

Ne jemi një popull që aty ku hamë, aty… hedhim gjithçhka, duke mosrespektuar as natyrën, as higjenë më elementare, që nuk e gjen p.sh në Varshavë, ku nuk hedh dot një bisht cigare në rrugë, qe është futur rishtazi në BE, pa folur për Gjermaninë apo ndonjë vend tjetër.

Ne jemi një popull që duam të fitojmë dhe arrijmë në jetë gjithçka brenda natës, dhe nuk e shikojmë suksesin në jetë, përmes arsimimit dhe përkushtimit, por përmes militantizmit partiak dhe poezive për çizme.

Ne nuk jemi si evropianët, që edhe kafenë e pijnë në këmbë apo e marrin me vete rrugës me nxitim për në punë, por shullehemi me orë të tëra me një vanitet allashqiptar të gërdirë, nëpër kafenera, ku çdo ditë nëpër qytetet shqiptare, rutina e përditshme duket më shumë si e një ditë pushimi, sesa e një ditë normale pune.

Ne jemi një vend që mbahemi në një masë të madhe nga remitancat e emigrantëve, dhe nuk kemi një ekonomi, që të ketë prioritete strategjike zhvillimi, ku të investohet fuqishëm në to, si turizmi i bërë në mënyrë profesionale, dhe një bujqësi që të sigurojë ushqimin dhe të eksportojë produktet e veta, falë motit bujar nga Zoti, dhe afërsisë gjeografike, që kemi me tregjet evropiane.

Ne nuk kemi nje forcë pune që të vij Toyota, të montojë makina në Shqipëri, madje ne nuk paketojmë dot as reçel luleshtrydhe, apo pako të vogla gjalpi, për t’i shërbyer nëpër hotelet, por i marrim nga Serbia, për të mos folur që mungon manifaktuara e mirëfilltë.

Ne kemi një rini që ka probleme të mëdha me arsimimin dhe të involvuar keqas me rrugën e krimit në vend dhe jashtë, nëpër vendet e BE-së, që për një arsye a një tjetër, vendi ku kanë lerë, nuk u ofron më shumë, apo ku mentaliteti i vendit nga vijnë, e shikojnë suksesin, përmes botës së krimit me sentencën e pashpjegueshme, se “burgu për burrat është”.

Sa për kujtesë, nuk janë maqedonasit për shembull të këtillë.

Jemi një vënd që kemi vetëm një aeroport funksional, e asnjë linjë tramvaji, pa folur për metro, e hekurudha funksionale, ndryshe nga shumë kryeqytete e qytete të Evropës.

Rruga drejt transformimit dhe modelimit si evropian në pamje dhe thelb, është e gjatë.

Në rast se ata që drejtojnë dhe administrojnë punët e atij vendi, nuk do kenë më frikë nga ligji, për çdo mëkat dhe shpërdorim, që do bëjnë, duke e vjedhur arkën publike, harrojeni se do na fusin në BE.

Në rast se shqiptarët nuk do kenë besim se mund ta gjejnë të vërtetën në gjykata, dhe të korrektojnë çdo padrejtësi ndaj tyre, përmes rrugës ligjore, është iluzion se do hymë në BE me të drejat të plota.

Nëse nuk do ketë, jo raste të veçuara të ndëshkimit të korrupsionit, por më shumë luftë të vërtetë ndaj atyre, që kanë abuzuar historikisht, por edhe momentalisht, nuk do jemi të kualifikuar për anëtarësim, pavarësisht nga favorizimi që mund të rrjedhë nga gjeopolitika e ditës dhe brishtësia e rreziqet e marrëdhënieve ndërkombëtare, që po shpërfaqen në Ballkan.

Nëse keni pasur shansin të shëtisni apo jetoni, qoftë edhe shkurt në ndonjë vend të BE-së dhe kur ktheheni në Shqipëri nuk e ndjeni diferencën dhe distancën me mentalitetin evropian dhe mënyrën e tyre të jetësës, thjesht keni humbur kohë kot, duke lexuar deri në fund këto rreshta.

Nëse e keni pikasuar atë dhe jeni ndjerë keq dhe realist, gjysma e së keqes dhe e rrugës së gjatë, që na pret si komb.

18 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)