Kulturë Dasma e Skënderbeut, rikthehet të dielën në Kaninë

Dasma e Skënderbeut, rikthehet të dielën në Kaninë

473
SHPËRNDAJE

Kanina do të rikthejë edhe njëherë atmosferën e 23 prillit të vitit 1451, kur Skëndërbeu vuri kurorë me të bukurën e këtyre anëve Donikën. Një delegacion prej 60 vetësh do të vijë nga Arbëreshët e Italisë për të festuar 567 vjetorin e dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590 vjetorin e lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. Festimeve do i bashkohen dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare e Kosovës.

Dasma historike do të realizohet më 22 prill të dielën në orën 12.00 në Kalanë e Kaninës, nën kujdesin e deputetit të kësaj zone Fate Velaj, në bashkëpunim me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës. Mbas festimeve në Kaninë në orën 16.00, të pranishmit do të nisen për te Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesēn e tyre në kishë. Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skëndërbeut.

Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë.

Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skëndërbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit.

Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike.

Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre: “…

Ç’dasmë që bë Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…” Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur, pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

19 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)