Opinion SHAJ SHQIP…!

SHAJ SHQIP…!

209
SHPËRNDAJE

Fadil LepajaNga Fadil LEPAJA

“Pa me shau poçari rëndë turqisht,

unë shqip ja ktheva n’men i rash

për çudi, poçari nuk u ligsht

veç dy pika lot në sy ja pashë.“

Ka shumë gjasë, që krye parlamentari të kaloj në “Vetëvendosje”! Po, u jep përparësi, produkteve vendore. Po shanë shqip! Ju kujtohet, “Kënga e poçarit”?

Në Stamboll, aksidentalisht thyet një poç, në një dyqan poçarie. Pastaj, pason një sharje turqisht, dhe malli i mërgimtarit rrjedh sikur uji kur derdhet nga poçi i thyer. “Aman, më shaj edhe njëherë, shqip”, lutet ai.

Më shaj shqip, sikur lutet edhe opozita…! Dikur, na shanin serbisht, turqisht dhe në gjuhët e ndryshme të rajonit dhe botës. Bazuar në analizat gjenetike, te popujt e Ballkanit, duket se gjërat nuk kanë mbetur vetëm në të shara, por … anash historinë. Fillova të flas për një këngë, një ideologji dhe një kulturë debati, në parlament. Tash, kulturë i thonë, edhe kur nuk është kulturë.

Nëpër shekuj, na vranë, na përdhunuan, na rrahën, na shanë dhe krejt këto si duket po shpërfaqen edhe në gjenet e politikës tonë, sado-mazohiste. Por, lezetin e të sharit shqip, opozita, sidomos një pjesë e saj, po e përjeton veç tani, dhe atë nga niveli ma i lartë. Kjo, ka marrë përmasa aq të dukshme, sa edhe nxënësit në shkollë, kur shajnë, i qortojnë: “mos shaj fëlliqtë, se këtu nuk është, parlament”

Por, ju mos u dëshpëroni, me parlamentin. Ka edhe më keq se parlamenti i Kosovës. Janë komentet me porosi, nga mercenarë të politikës, në media, rrjete sociale, transmetime të drejtpërdrejta. Ata, zakonisht, nuk kanë argumente, por kujt i duhen argumentet. Nuk paguhen të argumentojnë. Shajnë, fëlliqtë, me nënë, me babë, motër e vëlla, pa dallim gjinie edhe pse faji i vetëm i “robëve” tu, është se janë të lidhur me ADN, me ty.

Pas kalimit të “demarkacionit”, nuk po dihet se në çka po ngjet parlamenti. Opozita ka mbetur pa armë, dhe po shanë politikisht, e pozita, po shanë “roptë”!

Problemi nuk është krejt i ri. Para disa viteve, në njërën nga kolumnet e mija të, pata shtruar dilemën, me rëndësi shtetërore dhe nacionale, se cila sharje është më e rëndë: ta quash dikë kriminel, apo ta shash me shprehjen tradicionale, gati fëmijërore “ma hangësh…”.

Përfundimi im, i asokohe, sado që nga kjo perspektivë edhe mund të duket naiv, ishte se është më e rëndë t’i ti thuash dikujt kriminel. Në një shtet normal ku krimi është i dënueshëm, mund edhe të kesh edhe pasoja serioze ligjore, nëse i thua dikujt kriminel, pa fakte dhe dëshmi.

Ndërkohë, e dyta, pra ta shash dikë me “ma hangësh…”, mbetet në domenin e (jo) edukatës personale të një individi. Nuk e kapë ligji, këtë sharje, nëse nuk turpërohet vet, s’ke çfarë i bënë. Veç me kanun…!

Plot merita, për këtë atmosferë publike, ekzotike dhe erotike, janë mediat publike, dhe ato “publiko-private”, të cilat që nga paslufta i servilosen politikës, sikur të ishin “roptë” e saj. Epo, kur politika të shajë” roptë”, ti shaja mediat e saj. E sheh si vlon, kazani, pastaj. Veç shfleto portalet, dhe rrjetet sociale dhe kënaqu. Pastaj, këndoje refrenin e këngës së poqarit:

“Vazoja nga dora se ç’më ra

dhe m’u bë njëzet e pesë copë

m’erdhi rrotull deti Marmara …”

Nuk ka mbet rrugë tjetër, veç se opozita, duket të ndjek shembullin e poçarit. Duhet, të shkojë e të përqafojë, secilin që e shanë, e ti thotë : “Shaj shqip, vëlla! Shaj, prapë! Në parlament, në rrjete sociale, në telefon. Shaj me nënë, me babë, me fëmijë në djep. Shaj, me të gjallë e të vdekur! Me “rob”, shaj, përmblidhe me një fjalë!

Tash, edhe opozita, është shpesh, paturpësisht agresive, deri në ndjellje lotësh dhe shpesh përplot dhunë, ndërsa pozita ka zgjedhur të jetë paturpësisht vulgare, duke i shndërruar foltoret e parlamentit, në rrugë qorre të politikës kosovare, ku me fjalor rrugaçësh, po shahen kundërshtarët politik, dhe krejt kjo pastaj bartet edhe në rrugë, kafene, në rrjete sociale, nëpër universitete, akademi, biblioteka… Veç në shtrat, duket se jo, sepse nataliteti me të cilin krenoheshim, dikur, ka ra dukshëm.

Në parlament, në vend se të debatohet për tema politike, dhe për probleme reale, debatohet për tema “madhore”, se kush e shau këndë, apo kush ja jep kujt, e kush ja merr kujt. Pastaj kjo përflitet edhe komentohet nëpër media, sikur lajm sensacional. Mjafton të keni parasysh imagjinatën e bujshme popullore, për deputetët e vet milioner, të cilët ende nuk janë mësuar me pasurinë dhe fuqinë e tyre politike. Bill Gates, për shembull ka kohë që e ka kuptuar se pasuria nuk është gjithçka. Zukerberg, sapo ka filluar, të kuptojë. Këta tonët, tek duhet të mësohen …!

Nejse, llafi ka të bëjë me klasën tonë politike që jeton nga aktrimi, në parlament. Pra, duhet kohë. Duhen gjenerata! Duhet shtet, e shtet nuk ka! Duhet ligj, e ligje, nuk ka! Deputetët nuk i votojnë ligjet, të cilat e rrezikojnë këtë parajsë për të pangopurit, dhe të papërgjegjshmit.

Sa për popullin, mos u brengosni. Populli do të e mbijetojë. Populli, pa e lëvizur as qerpikun, ndërron kanalin, nga ai publik, në kanalet e koduara, dhe pas disa pompave, kthehet shpejt në bankat e parlamentit, te pornopolitika, pa e vërejtur fare dallimin.

Ky është veç kulmi i një koncepti, vulgar, të debatit politik. Në historinë tonë më të re parlamentare, ishte periudha e vezëve, kur fitonte ai që gjuante më saktë me vezë , pastaj pasoi periudha e gazit lotsjellës, prej pafuqisë për me ndalë vendimmarrjen arbitrare, e cila për tema nacionale vendoste pa përfillur vullnetin e opozitës.

Përfundimisht, kryesisht prej pafuqisë për të argumentuar erdhi edhe periudha e sharjeve, ku pozita, doli të jetë më e kualifikuar dhe shante më fëlliqtë, kështu që doli fituese disa herë.

Por, po mbyllim, me kaq. Teksti, i këngës së poçarit, mbyllet, mirë! Ndoshta kështu do të duhej të mbyllej edhe histeria e vulgaritetit, në parlament. Apo ndoshta kjo nuk ishte kënga e duhur, për të hapur dhe mbyllur këtë kolumne. Megjithatë, ndërkohë që ju po e vlerësoni, tashmë, unë po e “këndoj” për ju edhe njëherë, refrenin, të cilin ja rekomandoj opozitës:

“Vazoja nga dora se ç’më ra

dhe m’u bë njëzet e pesë copë

m’erdhi rrotull deti Marmara …

më shaj shqip edhe njëherë ”

19 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)