Kryesoret OSBE, apel partive: Finalizoni reformën zgjedhore pa vonesa

OSBE, apel partive: Finalizoni reformën zgjedhore pa vonesa

126
SHPËRNDAJE

Me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore po zhvillon sot mbledhjen e radhës, në formën e një tryeze teknike pune, përqendruar në disa prej çështjeve të fushatës zgjedhore.

Në fjalën e tij, Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, theksoi edhe një herë rekomandimin për një reformë të plotë dhe në kohë, e cila do të trajtojë të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga tri zgjedhjet e fundit.

“Edhe pse rrezikoj të bie në përsëritje, më lejoni të theksoj edhe një herë që ne rekomandojmë fort një reformë të plotë dhe në kohë, një reformë që trajton të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe, sigurisht, ato të vitit të kaluar, – tha Borchardt. – Mandati i Komisionit të Posaçëm u zgjat së fundmi dhe unë i rekomandoj fort Komisionit ta finalizojë reformën zgjedhore brenda këtij afati të ri. Hapat përgatitorë që Komisioni ka ndërmarrë deri tani, si përcaktimi i objektivave, hartimi i kalendarit të punës dhe dëgjesat me shoqërinë civile, kanë qenë më se të lavdërueshme. Tani është koha për rezultate konkrete. Bashkë me OSBE/ODIHR-in, ne po i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë parlamentit shqiptar në realizimin e reformës”.

Ai u ndal te çështja e blerjes së votës, duke thënë se Prezenca e OSBE-së po i ndjek me shumë vëmendje rastet e denoncuara në prokurori dhe shpreson të ketë më shumë padi dhe vendime gjykate.

“Një nga çështjet që u përmend nga bashkëkryetarët është çështja e shumëdiskutuar e blerjes së votës. ODIHR-i rekomandon që “nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”. Ne po i ndjekim me shumë vëmendje rastet e shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurorinë e Përgjithshme dhe presim me padurim që të ketë më shumë padi dhe vendime gjykate”, – shtoi ai.

Komisioni, me mbështetjen e OSBE-së, do të organizojë tryeza të tjera teknike edhe për çështje si roli i medias në zgjedhje, keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe financat e partive politike.

“E nxis fort Komisionin e Posaçëm dhe pjesëmarrësit e tjerë që të zhvillojnë diskutim të hapur, praktik dhe të orientuar drejt rezultateve, bazuar në gjetjet dhe, si edhe në përvojën e gjerë të secilit prej jush. Duhet të merren vendime të rëndësishme, pa vonesa të mëtejshme. Sikurse e thashë, ne jemi të gatshëm të vijojmë ta mbështesim Komisionin e Posaçëm”, – theksoi Borchadt.

20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)