Sociale Rritet numri i bebeve me probleme kardiake

Rritet numri i bebeve me probleme kardiake

294
SHPËRNDAJE

Numri i bebeve që lindin me anomali kardiake në vendin tonë është rritur ndjeshëm.

Ndonëse ende nuk ka një regjistër kombëtar, përllogaritet që 8 në 1000 fëmijë lindin me probleme në zemër. Shefja e shërbimit të Pediatrisë në QSUT thotë se një ndër shkaqet e këtyre anomalive është lindja e nënës në moshë të madhe.

Prof. Ac. Numila Kuneshka shprehet: “Keqformimet e zemrës përbëjnë gjysmën e të gjithë defekteve të të gjithë organeve të tjera të marra së bashku. Ka rëndësi diagnostikimi i hershëm i tyre. Këta pacientë, të cilët dekada më parë nuk arrinin adoleshencën, sot rriten dhe janë në gjendje për të krijuar familje”.

Për të rritur cilësinë e diagnositikimit të këtyre anomalive gjatë shtatzënisë, në Tiranë kanë mbërritur 4 profesorë të njohur nga Franca dhe Italia për të prezantuar metodat bashkëkohore të ndërhyrjeve. Maternieti “Mbretëresha Geraldinë” pritet të shndërrohet në pikë referimi për qendra të mëdha të trajtimit të këtyre problemeve.

Prof. Ac. Eliona Demliaj, drejtoreshë e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, thotë: “Po nis një projekt në bashkëpunim me qendrat kryesore të Europës përsa i përket trajtimit të anomalive kardiake të fetusit. Ky projekt do të ndihmojë për diagnostikim dhe trajtim të këtyre anomalive”.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se me një fond prej 4.5 milionë eurosh po pajisen me aparatura diagnostikuese të gjitha maternitetet e vendit.

20 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)