Sport Chelsea kërkon finalen për të shpëtuar sezonin

Chelsea kërkon finalen për të shpëtuar sezonin

88
SHPËRNDAJE

Chelsea synon finalen e dytë radhazi në FA Cup, teksa ekipi i Antonio Conte-s do të përballet në ‘Wembley’ me Southampton-in, në gjysmëfinalen e dytë të edicionit të 137 të Kupës së Anglisë. Pas titullit të fituar që në tentativën e parë në ishull vitin e kaluar trajneri italian dështoi për të bërë “double”, kur u mund pikërisht në finalen e ‘Wembley-t’, përpara 90.000 spektatorëve, nga “topcinjtë” e veteranit francez Arsene Wenger me rezultatin 2-1, sidoqoftë këtë sezon 48-vjeçari puljez ka një tjetër mundësi për të tentuar kompeticionin më të vjetër në planet, në rang klubesh.

Shorti është treguar vërtet shumë i mirë me “blutë e Londrës”, që janë dukshëm favoritë, për të siguruar finalen e 13 në Kupën e Anglisë, për më tepër “shenjtorët” po përjetojnë një sezon të tmerrshëm, teksa pozicionohen në zonën e ftohtë, pothuajse të pashpresë, duke pasur parasysh faktin që në Premiership skuadrat e tjera që ndodhen më sipër janë shkëputur dhe ekipit jugor i mbeten vetëm 4 ndeshje për të luajtur deri në mbylljen e kampionatit.

“Blutë” kanë triumfuar 7 herë gjithsej në këtë aktivitet, për herë të fundit gjashtë vjet më parë, kur me italianin tjetër Roberto di Matteo mposhtën në finale Liverpulin e Kenny Dalglish, ndërsa klubi nga Hampshire ka fituar vetëm 1 nga 4 finalet e zhvilluara në FA Cup. Trofeun e vetëm në Kupën e Anglisë “saints” e kanë siguruar 42 vjet më parë, në ‘Wembley’ pas suksesit ndaj Manchester United, ndërsa finalen e fundit Southamptoni e ka regjistruar në vitin 2003, në ‘Millennium Stadium’ të Kardifit, ku ekipi i drejtuar asokohe nga Gordon Strachan u thye në finale 1-0 nga skuadra e Arsenalit.

Këtë radhë “shenjtorët” drejtohen nga një ish si Mark Hughes, pasi ish-sulmuesi i famshëm uellsian ka veshur fanellën e “bluve” për tre sezone në mesin e viteve 90, gjithsesi pavarësisht skualifikimit të spanjollit Marcos Alonso skuadrat kanë diferenca shumë të mëdha, pasi Chelsea ka fituar pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre, ndërsa Southamptoni në krahun tjetër siguroi kualifikimin për në këtë fazë duke eliminuar një kundërshtar si Wigan Athletic, që luan në League One.

22 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)