Ish-antarja e Byrosë Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, Liri Belishova është ndarë nga jeta, dje, në moshën 92-vjeçare. Ajo ka qenë një nga drejtueset kryesore të Partisë Komuniste. Liri Belishova ka qenë ndër të vetmet komuniste që ka kërkuar falje për bashkëpunimin me diktatorin Enver Hoxha dhe ka rrëfyer shumë nga krimet që kanë ndodhur në periudhën e luftës dhe pas saj. Liri Belishova lindi më 19 tetor 1926, në Belishovë të krahinës së Mallakastrës.


Shkollën fillore pesëvjeçare e mbaroi më 1937 në Ballsh. Më 1938 fitoi bursë që të ndiqte studimet në Institutin “Nana Mbretneshë” në kryeqytetin e Mbretërisë. Belishova u bashkua me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe humbi një sy. Gjatë viteve 1946 dhe 1947 ajo ishte kryetare e Shqipërisë e Rinisë Popullore (Rinia Popullore). Vdekja e bashkëshortit të saj, Nako Spiru, në vitin 1946, një vetëvrasje e supozuar, çoi në shkarkimin e saj nga roli i saj dhe ajo u dërgua nga Tirana në Berat për të dhënë mësim. Pas rehabilitimit të Nako Spirus, si rezultat i ndarjes Jugosllave-Shqiptare, më 1948, Belishova u rehabilitua gjithashtu dhe u bë anëtar i Politbyrove të Partisë së Punës të Shqipërisë nga viti 1948 deri më 1960.


Liri Belishova më pas ishte martuar me Maqo Çomon, ministër i Bujqësisë për disa vite nën udhëheqjen e Partisë së Punës. Që të dy u dënuan pasi mbajtën një qëndrim pro Nikita Hrushovit, kur udhëheqësi sovjetik dënoi krimet e Stalinit. Belishova u internua dhe kaloi një pjesë të mirë të jetës së saj në internim deri në ndryshimin e sistemeve në vitin 1991. Kush është Liri Belishova, si shkëlqeu dhe u dënua nga PPSH-ja Liri Belishova ka mbaruar institutin femëror Nëna Mbretëreshë dhe që aty spikati për zgjuarsinë dhe aftësitë e saj organizative. Ajo së bashku me Nako Spirun ishin dy drejtuesit kryesorë të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë dhe u përpoqën për ta ngritur rolin e kësaj organizate në nivelin e homologeve të saj në Europën Lindore. Madje u përpoqën të lidhin marrëveshje me të gjithë këto organizata homologe dhe me grupe të tjera intelektuale të rinisë, të cilat ishin evidentuar në vendin e tyre si p.sh në Çekosllovaki.


Pas vdekjes së bashkëshortit të saj Nako Spiru, ajo vazhdoi veprimtarinë politike pavarësisht se me oshilacione dhe pas Kongresit të parë të Partisë së punës në vitin 1949 ajo u zgjodh Sekretare e Komitetit Qendror të partisë . Ka qenë një nga gratë më aktive e më ambicioze në karrierën e saj. Bëri shkollën e partisë në Bashkimin Sovjetik me rezultate të shkëlqyera dhe në vitin 1960 ajo shkoi në Kinë si anëtare e një delegacioni parlamentar të Republikës së Shqipërisë. Aty asaj ju desh të përballej me divergjencat që kishin lindur mes PK-së së BS-së dhe asaj kineze për një varg çështjesh ideologjike të cilat dalë nga dalë po shndërroheshin në probleme të lëvizjes ndërkombëtare komuniste.


Në këtë moment filloi dhe katastrofa personale e Liri Belishovës. Ndërkohë që Liri Belishova ishte në Kinë, në Bukuresht zhvillohej një konferencë ndërkombëtarë mes përfaqësues të partive komuniste të vendeve të traktatit të Varshavës ku merrnin pjesë edhe partitë komuniste italiane dhe franceze. Në atë konferencë delegacionin e PPSH e udhëhiqte Hynsi Kapo. Liri Belishova në dallim nga Kapo nuk arriti për shkak të largësisë së madhe gjeografike të kishte kontakte të vazhdueshme me udhëheqjen e PPSH.


Ndërsa Kapo komunikonte drejtpërdrejt me Hoxhën nëpërmjet radiogramesh tre deri në katër herë në ditë, Belishovës i mungonte kjo pasi nga Kina, Vietnami, Mongolia dhe Koreja s’mund të lidhej me radiograme me Shqipërinë. Kjo mungesë kontakti ndikoi negativisht në triumfin e një opinion në Byro se Liri Belishova nuk po mbante qëndrimin e duhur revolucionar të PPSH. Edhe pse Belishova ishte larguar nga Shqipëria me një frymë ku mbizotëronte dashuria me BS-në, ngjarjet politike ndodhën aq shpejt në Bukuresht, Kinë e Moskë, sa kur ajo u kthye në atdhe, qëndrimi i Shqipërisë ndaj BS-së kishte ndryshuar katërçipërisht.


Në mbledhjet e pleniumit dhe byrosë që u organizuan në Tiranë, Belishova u kritikua për oportunizëm, mungesë vigjilence, deri në ambicien e saj se ajo kishte dashur t’i zinte vendin Hoxhës duke përfituar nga simpatia e udhëheqësve sovjetikë deri tek Hrushovi për të. Më pas në 1961 ajo u internua bashkë me bashkëshortin e saj Maqo Çomon dhe me fëmijët e saj, një kalvar të tërë internimesh në Cërrik, ku i vdiq edhe vajza e saj Drita Çomo, 20 vjeçe. Ajo 30 vjet i kaloi në internim.


Ajo ishte këmbëngulëse se s’kishte bërë asnjë tradhti ndaj partisë dhe se ishte është dënuar pa të drejtë. Pas rënies të regjimit, Belishova ishte ndër të paktët ish drejtues komunistë të kupolës që ka shfaqur pendesën e saj për egërsinë e regjimit për instalimin e të cilit ajo kontribuoi edhe vetë, por që njëkohësisht u bë edhe viktimë e këtij regjimi.



24 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)