Kulturë Një angleze e mahnitur nga Skënderbeu

Një angleze e mahnitur nga Skënderbeu

499
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar çel ditën e martë, datë 08 maj 2018 ora 11.30, ekspozitën “Jehona përmes shekujve-Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me koleksionin e Patricia Nugee, i cili përbëhet nga 37 libra unikë.

Kjo ekspozitë, mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve, çelet në kuadër të “Javës së Europës” dhe Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare.

Disa vite më parë anglezja Patricia Nugee ka prezantuar në Qendrën Kulturore të ushtrisë këtë koleksion të rrallë me vepra mbi Skënderbeun. Në koleksion janë botime të rralla nga autorë si Lavardin,Jean de Bussieres, Plutarku, Frank Bardhi e Marin Barleti. Nisur nga pasioni I saj mbi historinë Patricia prej vitesh nisi një hulumtim mbi jetën e Skënderbeut, për të blerë më pas çdo libër që fliste mbi jetën e tij. Sot ky koleksion I cili vlen shumë, është një pasuri që e sjell jetën e heroit tonë përmes rrëfimeve tepër interesante. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve.

Sot keni një koleksion të madh librash mbi Skënderbeun. Si u njohët fillimisht me të?

Ka ndodhur shumë vite më parë. Unë punoja në një librari të madhe në Londër, ku kishte libra antikuarë nga e gjithë bota. Një ditë erdhi një klient dhe më pyeti nëse kishim libra mbi Skënderbeun. Unë i thashë që nuk kishim. U bëra kurioze të dija kush është Skënderbeu dhe fillova kërkimet mbi të. Kur mësova se cila ishte figura e Skënderbeut, m’u duk mjaft interesante dhe s’u ndava kurrë më prej tij. Përveçse interesant, ai më shfaqej gjithnjë dhe më i rëndësishëm. Kështu unë bleva librin e parë për të. Libri i takonte vitit 1595. E më pas dalëngadalë, unë bleva libra të tjerë sa herë gjeja botime për të.

Kushtonin shumë librat?

Jo. Kur unë fillova të blija, ishin çmime të përballueshme. Më saktë deri në vitet 1980-1990 ata kushtonin pak, ndërsa pas këtyre viteve kushtojnë një ‘djall e gjysmë’. Edhe me çmime të larta kam blerë dy syresh. Përpiqem të mos humbas ankandet ku di që mund të ketë libra për të, por njëherë edhe e kam humbur.

Prej sa vitesh i koleksiononi këta libra?

Ka më shumë se 30 vite, më shumë se kaq. Janë libra që nuk gjenden shumë lehtë. Kur kam blerë librin e parë ka qenë shumë emocionuese. Kur merresh me koleksionim, duhet të kesh kujdes sepse ndonjëherë nuk janë vërtet libra të vjetër.

Sa libra keni ju për heroin shqiptar?

Libra që janë shkruar përpara vitit 1800, kam rreth 36. Këtu kam sjellë një pjesë të koleksionit tim. Janë libra të shkruar në gjuhë të ndryshme për Skënderbeun dhe nga autorë të ndryshëm. Secili prej autorëve jep dimensionet e tij të mëdha dhe përcjell historinë e luftës së tij. Emrat e autorëve që unë sjell janë Marin Barleti, që ka edhe veprën më të vjetër, 1510; Frang Bardhin origjinal me “Fjalorin” e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet “Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë” 1709; Giovanni Maria Biemi me “Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe” 1742; “Ritrati et logi di capitani illustri”, Giulio Rosio 1646; “Scanderbeg: or love and liberty” i Thomas Ëhincap 1747; Jean de Bussieres me “Scanderbeg, poem” 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini 1652; por kam edhe një libër të Plutarkut, ku mes 20 personalitetesh të grekëve e romakëve ndër të tjera vë edhe jetëshkrimin e Skënderbeut. Ky i takon vitit 1657.

Cilët janë më të vjetrit?

Libri më i vjetër është ai i Marin Barletit, “Scanderbeg. Historia de vita et gestis”, i vitit 1510.

Keni lexuar ndonjë prej tyre?

Jo, janë latinisht dhe unë nuk di latinisht. Unë mundem të lexoj frëngjisht, italisht, spanjisht, por vetëm kaq.

Çfarë dini për Skënderbeun?

Jo edhe aq shumë. Unë nuk jam historiane apo studiuese, jam thjesht koleksioniste. Di që ka qenë një prijës mjaft i rëndësishëm dhe i vetmi që ka mundur të sprapsë turqit. Ai vdiq shumë i ri. Mbase ai do të kishte ndryshuar të gjithë Europën dhe pse jo, do t’i kishte mundur turqit sërish. Ata ishin në Shqipëri për 500 vite dhe nuk e lejuan vendin të zhvillohej. Jo vetëm që ju vranë, por dhe nuk u kujdesën për vendin, ndërtuan vetëm disa ura apo disa xhami. Kaq! Nuk lejuan shkollat, nuk lejuan as gjuhën.

Ju keni ardhur disa herë në Shqipëri…

Po kam ardhur disa herë. Kur vij, qëndroj në shtëpinë e Ilir Kadisë, të cilin e njoh prej kohësh dhe kam një raport të mirë me të gjithë familjen e tij.

E njihni historinë e Shqipërisë ndopak?

Di disa gjëra, por edhe po mësoj çdo ditë ndonjë gjë të re.

A ka ardhur ndokush t’ju kërkojë ta blejë koleksionin tuaj?

Po, kanë ardhur. Por unë nuk i shes. Ato janë koleksioni im dhe nuk ia jap asnjërit. Një ditë ai do të kthehet në Tiranë, kur unë të mos jem më.

Ju kanë ofruar para?

Po, shumë para, por unë ndërroj mendje.

Ju njihni shumë shqiptarë, studiues e shkrimtarë. Kanë ndikuar ata në marrëdhëniet tuaja me vendin tonë?

Mbase po. Kam takuar njëherë Moikom Zeqon dhe i ka pëlqyer shumë koleksioni im. Këtë koleksion e kam dërguar në shumë ekspozita, si në Universitetin e Kembrixhit, në BBC Londër, në Shkup, Prishtinë, Ulqin, Kalabri etj.

Keni menduar të shkruani kujtimet tuaja, mbase edhe të flisni për këtë pasion tuajin?

Jo, nuk dua t’i shkruaj kujtimet. Shumë vetë e bëjnë këtë, por mua nuk më pëlqen. Ka qenë një ndër gjërat më të bukura që kam bërë në jetë, koleksionimi i këtyre librave. E them këtë sepse kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe kam mësuar gjëra shumë interesante. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Unë vij edhe për pushime këtu, e jo vetëm kur kam aktivitete. Kam takuar edhe kryeministrin Berisha dhe i kam folur si burri-burrit (qesh). Ai kishte një sens të madh humori. Mua më pëlqejnë shumë ushqimet shqiptare.

E keni vizituar Kalanë e Krujës?

Po, kam qenë atje dhe më ka pëlqyer shumë, ashtu si edhe Pazari i Krujës. Kishte objekte tradicionale shumë të bukura dhe kam blerë disa gjëra.

Si koleksioniste që interesoheni për Skënderbeun, si i shihni studimet e viteve të fundit, që në një farë mënyre hedhin baltë mbi të?

Ju e keni fjalën për librin e Oliver Shmit. Epo, kam marrë vesh se ka qenë hapur një debat i madh për librin e tij. Mendoj se s’ka thënë asgjë me mend. Jam e lumtur që jam këtu dhe falënderoj Arben Imamin që e bëri të mundur çeljen e kësaj ekspozite me rastin përvjetorit të Kuvendit të Lezhës.

7 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)