Kryesoret Audio-përgjimi, Xhafaj: I manipuluar! Po shantazhohem nga interesat e krimit

Audio-përgjimi, Xhafaj: I manipuluar! Po shantazhohem nga interesat e krimit

210
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj për të parën herë doli përpara mediave për të sqaruar akuzat që Partia Demokratike ka lëshuar në drejtim të tij përgjatë një jave.

Ministri deklaroi se nuk ka asnjë grimcë të vërtete në akuzat e PD-së, pasi “që prej vitit 2002 vëllai ka jetuar në Shqipëri dhe nuk ka pasur asnjë lloj problemi me ligjin në territorin e Shqipërisë”.

“Audio-përgjimi i servirur është një sajesë e plotë. Mashtrim, nga fillimi deri në fund. Manipulim dhe i keq madje. Opozita ka rënë viktimë e të tjerëve. Edhe këtë rast tregoi se sa ligësi prodhon dhe sa e etur për pushtet me çdo kusht është”, tha Xhafaj.

“Ruajna zot nga kjo rracë e papërgjegjshme”, tha ministri duke shtuar se në këtë rast opozita ka paraqitur një material që sipas tij ia kanë dorëzuar bandat e krimit, por që s’është i vërtetë.

“Opozita ra pre e grupeve kriminale dhe shpifësve ordinerë. Veprimi është tipik mafioz. Kjo përbën një shantazh kundër institucioneve publike. Ka një orkestrim me një qëllim të caktuar. Interesat meskine të kësaj opozite janë bërë bashkë me interesa të grupeve të caktuara kriminale brenda sistemit të kalbur të drejtësisë. Po bashkëpunojnë edhe me djallin vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë nga pushteti”, deklaroi Xhafaj.

Ai më tej i kërkoi Prokurorisë që të kryejë veprime të shpejta për të gjetur ata që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin maksimal të tyre.

Me një gjuhë të ashpër, Xhafa i drejtoi opozitës edhe një mesazh që theksin e kishte te llogaridhënia përballë ligjit dhe “kokat” që do të prihen nga ngritja e institucioneve në kuadër të reformës në drejtësi.

“Dua t’i garantoj të gjithë këta se edhe nëse unë do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, kolegët e mi dhe partnerët tanë ndërkombëtarë nuk mundet të zhbëhet më. Shumë shpejt edhe SPAK dhe BKH do të jenë në funksion. Kështu krimi do të humbasë terren. Unë jam këtu për ta përmbushur këtë proces. Askush nuk më shantazhon, askush nuk më pengon në arritjen e qëllimeve të mia”, theksoi ministri i Brendshëm.

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)