Opinion DISA PYETJE PËR TË KUPTUAR DRAMËN SHQIPTARE!

DISA PYETJE PËR TË KUPTUAR DRAMËN SHQIPTARE!

222
SHPËRNDAJE

Cili është Qëllimi i vërtetë i Vettingut?
Çfarë është “Government by Judiciary”?
Ku dallon kolonizimi nga neokolonizimi?

“Turrmat duhet të mbahen në gjendje eksitimi që të humbasin reflektimin” 
Le Bon.

Nga Ledian DROBONIKU

Foto ilustruese

Historia e politikanëve të tranzicionit i ngjan një buletini të bandave mafioze. Listat e pushtetit kriminal shtohen çdo ditë e prapë njerëzit eksitohen me kriminelin e radhës. Ata shpresojnë se largimi i kriminelëve varet nga lufta mes bandave. Por kjo luftë forcon e nuk dobëson bandat. Deri sa të ketë plaçkë për grabitje e popull për nënshtrim, bandat do vijojnë të kontrollojnë territorin e jetët e skllevërve.

I vetmi shpëtim realist mbetet rimarrja e territorit nga populli. Kalimi i pushtetit nga kthetrat e bandave e lobeve në duart e vetë popullit. Kjo nuk bëhet me llafe e sllogane, por beteja për aprovimin e instrumentave të qartë juridikë që mundësojnë demokracinë pjesëmarrëse dhe ushtrimin e sovranitetit popullor.

Por a ndihmon vettingu në zgjerimin e demokracisë, rritjen e pushtetit të popullit sovran mbi shtetin e vet?
Jo! Pushteti ishte dhe mbetet po brenda pallatit oligarkik.
Reforma e Vettingut (shih shprehjen në gjuhën e perandorisë së radhës) nuk ka për synim as vendosjen e drejtësisë dhe as demokracisë.

Neokolonizimi, ndryshe nga kolonizimi klasik, nuk kryhet direkt por me ndihmën e një oligarkie lokale. Ajo lejohet të vjedhë, mjafton të kontrollohet që të realizojë ato politika në favor të lobeve të huaja: dhurimin e sektorëve strategjikë e pasuritë kombëtare, fundosjen në borxhe, rritje taksash e nënshtrim të popullit me varfëri e propagandë. Nëse një liderrr bëhet i padurueshëm për popullin, ai ndryshohet me një “të ri” që loja të vijojë.

Ky kontroll i oligarkisë lokale nga lobet globale, është i shumëllojshëm: kontroll financiar i pasurive të tyre duke kontrolluar fluksin financiar, përgatitje e rekrutim i figurave me ojf e kanalet transnacionale, kontroll politik i partive të tyre, kontroll mediatik npj oligopoleve të importit dhe shantazhet npj shërbimit inteligjent totalisht nën kontroll të të huajve.

Por përsëri ekziston rreziku që POPULLI të organizohet jashtë kanaleve të sistemit e mbështesë një platformë demokratike e njerëz të pastër patriotë për interesin kombëtar. Format e kontrollit primar nuk do pinin më ujë.
Ky është rasti i Presidentit Brazilian, Lula i cili bëri reforma sovraniste duke nxjerrë nga varfëria 40milion brazilianë e zgjeruar pushtetin e popullit. Ndaj tij u inskenua një proçes e u largua nga politika dhe pse miliona njerëz kishin rrethuar gjykatën e lartë.

Kundër pushtetit të popullit ekziston dhe një teori si kalë troje. Kjo quhet qeverisja me anë të gjyqēsorit (Goverment by judiciary). Kjo teori lindi në SHBA si nevojë e kontrollit të pushtetit qendror ndaj autonomisë së vetë shteteve federale. Praktikisht Gjykata e Lartë merrte indirekt kompetencat e pushtetit legjislativ apo ekzekutiv. Gjykata është një pushtet që i shpëton kontrollit të popullit e qarkut demokratik.
Të njëjtën metodë ka ndjekur dhe Gjykata e Luksemburgut duke tkurrur sovranitetin e shteteve në favor të mekanizmave të tregut dhe lobeve globale.

Por ShBA po përdor këtë teori jo vetëm për konsum të brendshëm por dhe jashtë saj për kontroll efikas ndaj qeverive të huaja. Npj një grupi të ngushtë, praktikisht kontrollohen politikat dhe politikanët e çdo shteti.

Ndryshe nga kontrolli politik me fushata e militantë, ky kontroll ka pak shpenzime dhe i fshihet kontrollit tê popullit. Praktikisht ndaj cilido që del nga rreshti ekzistojnë dosjet dhe “çekiçi i ligjit” si i korruptuar apo inkriminuar.
Kundër zbatimit të ligjit (edhe pse selektiv) askush nuk kundërshton dot dhe çfarëdo lideri të zgjedhë populli, ai do jetë peng i shantazhimit.
Populli do kërkojë të zgjedhë njerëz të pastër por ata do pengohen që në fillim, do kërcënohen apo inskenuar çdo lloj akuze.

E rëndësishme që kasta të kontrollohet e askujt mos ti shkojë ndër mend të realizojë politika sovraniste. Prandaj dhe lejimi i inkriminimit të saj është funksional ndaj këtij lloj regjimi shantazhues e antidemokratik.

Turrmat do vijojnë të eksitohen e kasta do u ofrojë pa fund këtë show tragjikomik.

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)