Botë Haley: Hamasi, jo Izraeli fajtor për dhunën në Gazë

Haley: Hamasi, jo Izraeli fajtor për dhunën në Gazë

261
SHPËRNDAJE

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, të martën i doli në mbrojtje përgjigjes izraelite, duke fajësuar Hamasin për trazirat e djeshme në kufirin e Izraelit me Gazën.

“Ditët e fundit, terroristë të Hamasit, me mbështetjen e Iranit, kanë nxitur sulme ndaj forcave të sigurisë dhe infrastrukturës izraelite”, – tha zonja Haley në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të martën, për situatën e krijuar.

Amb. Haley i hodhi poshtë thëniet se dhuna e kishte burimin tek hapja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem.

“Dhuna nuk e minon perspektivën e paqes. Për disa, hapja e ambasadës ishte shkaku i dhunës. Por le të kujtojmë që organizata terroriste Hamas ka vite që nxit dhunën, shumë kohë para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin për zhvendosjen e ambasadës.”

Haley shtoi se ambasada “reflekton vullnetin e popullit amerikan dhe të drejtën tonë sovrane për të vendosur mbi vendin ku duhet ngritur ambasada jonë, një e drejtë që gjithsecili në këtë dhomë e kërkon për vendin e vet.”

Një numër i madh udhëheqësish të vendeve arabe e dënuan këtë veprim: kryeministri libanez Saad Hariri e cilësoi atë një veprim “provokues”, ndërsa Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se e hëna ushte “një ditë turpi”.

Qeveria turke tha se do ta thërriste ambasadorin e vet në Shtetet e Bashkuara, “për konsultime” lidhur me veprimin e hapjes së ambasadës.

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)