Politikë Rama raporton në mbledhjen e Sigurisë, Meta: Luftë narkotrafikut dhe krimit

Rama raporton në mbledhjen e Sigurisë, Meta: Luftë narkotrafikut dhe krimit

451
SHPËRNDAJE

Pas mbledhjes së Grupit parlamentar socialist biseduan për 45 minuta kokë më kokë në Kryeministri, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa shkuan së bashku në zyrën e Presidentit Ilir Meta, ku u zhvillua takimi që korrespondonte me mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, e caktuar që dy javë më parë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka pasur për çështje kryesore diskutimi gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së vendit për vitin 2018, për të cilat ka informuar kryeministri Edi Rama.

Ndërkohë, për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve; luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; për emergjencat civile; sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale; si dhe mbrojtjen kibernetike kanë raportuar anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti Meta ka theksuar rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe forcimin e kontrollit të kufijve, e më tej ka shprehur mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës, pa kompromis, kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Sipas Metës, raportet e DASH-it, BE-së dhe agjencive partnere të specializuara këto çështje të rëndësishme janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe anëtarësimin në BE.

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)