Kulturë “Të kesh” apo të “jesh”, kjo është çështja…

“Të kesh” apo të “jesh”, kjo është çështja…

447
SHPËRNDAJE

Luan Rama

“Të kesh apo “të jesh”, shkruante shumë vite më parë filozofi dhe psikoanalisti modern amerikan me origjinë gjermane Erich Fromm në veprën e tij me të njëjtën titull “Avoir ou ëtre”. Të duket si një pyetje hamletiane bërë në dekoret e Elsinor-it, por shoqëria moderne ngjan se nuk do ti kthehet pas pyetjes ekzistecialiste të Shekspirit. Të ngjan se thelbi shoqërisë së sotme shqiptare është kthyer në problematikën shqetësuese dhe tepër të ngutëshme të shtruar nga Fromm : “Të kesh apo të jesh”? Sigurisht, një çështje që i drejtohet një shtrese të caktuar, sepse fshatarët e Lekbibajt apo të Breglumit, ata të maleve të Librazhdit apo Pilurit, nuk shqetësohen shumë për këto pyetje ekzistenciale pasi ata janë të ndërgjegjshëm se në jetën e tyre modeste e të paqtë nuk kanë pse të vuajnë që të kenë më shumë, madje kjo pyetje nuk i mundon, se sa më larg të jenë prej atyre që “kanë”, aq më shumë ata përjetojnë jetën normale dhe nuk cfiliten në dilemën e madhe të kryeqytetasve “sa kam”? “sa do të kem”, “sa do të kenë pasardhësit e mi”?

Të kuptohemi, kur Fromm ngre këtë pyetje, ai kishte parasysh jo shtresat popullore, ata që krijojnë vlerat materiale e shpirtërore, por ata që drejtojnë, që janë në ingranazhet e shtetit dhe të piramidës (apo piramidave, siç i provuam në fillimet e frikshme të demokracisë) dhe që janë përfaqësues e përfaqësojnë masa njerëzish, ata që e kanë vënë vetveten në “pararojë” dhe që vetëquhen “elitë”, të zgjedhur të popullit, deputetë, ministra…Pra sa më shumë ngjitesh në këtë shkallë shoqërore, aq më shumë dilema bëhet më e madhe. Individi shkëputet nga “të qënit” dhe afiniteti i ndjenjave njerëzore e solidare dhe integrohet kështu në qerthullin e e vrullshëm të etjes së madhe: “sa kemi”, “sa do të kemi”, “si mund të kemi”? …

”Po unë sa do të kem?” Madje Fromm, në analizën e tij na risjell dhe një shprehje të Marksit, i cili në shkrimet e tij theksonte se “sa më shumë të kemi aq më shumë e prishim jetën tonë”. Në fakt, në historinë njerëzore dhe zhvillimin e ndërgjegjes së njeriut, dy kategori duket se kanë bashkëjetuar dhe luftuar ndaj njëra tjetrës: “të kem”, diçka organike e qënies, që kur njeriu shpiku mjetin e parë të punës, duke e konsideruar si pronë të tij dhe “të jem”, pra ekzistencën e tij njerëzore dhe zhvillimin e ndërgjegjes për ta shkëputur individin nga makthi i kërkesës “të kesh” në mënyrë që “të jetë”, duke krijuar njëkohësisht heronjtë mitologjikë dhe referencat se si duhet së pari të “jenë” dhe pastaj “të kenë”, apo siç bënë hebrenjtë që krijuan “sabat”-in, një ditë të javës për të qënë të gjithë njëlloj, të pasur dhe të varfër në të njëjtën gjendje shpirtërore, të purifikuar nga ideja e kamjes.

Sot, duke ndjekur evolucionin e shoqërisë shqiptare, duke analizuar gjithçka që ndodh me këtë pseudo-elitë politikanësh, deputetësh, ministrash që na drejtojnë dhe që rrallë u kanë shpëtuar afereve, e kupton se shumica e tyre, janë personazhe ekzistencialistë, që e lidhin ekzistencën e tyre vetëm me fenomenin “të kesh” (të kesh pushtet do të thotë të kesh para dhe anasjelltas, të kesh para, do të thotë të kesh pushtet) dhe jo “të jesh”(njeri i zakonshëm, i thjeshtë, njeri i idesë, përçues i ideve të emancipimit).

“Të kesh” sot në Shqipëri është shprehje e pushtetit dhe sinonim i tij, ndërsa “të jesh” është diçka që atyre që kanë nuk u intereson. Ata kanë dalë nga kjo sferë dhe janë të huaj për të, pasi “të jesh” do të thotë të jesh me dinjitet, të jesh vetvetja, sovran, të jesh social e solidar, të jesh humanist dhe jo i tjetërsuar nga paraja. Nuk është fjala për të bërë apologjinë e varfërisë dhe idealizuar atë që s’ka, por për të jetuar normalisht, si gjithë të tjerët, pa krijuar një shoqëri tepër të polarizuar dhe të ndarë mes oligarkësh dhe të varfërish, siç konstatojmë ndasinë e madhe të shoqërisë shqiptare ku bashkëjetojnë skamja e pikëllueshme në fshatra dhe kamja në tryezat e “të zgjedhurve”. Por ç’ndodh realisht në Shqipëri?

Përse kaq shumë afere që ndjekin njëra tetrën? Përse kaq kërkesa për Komisione Hetimi për pasuritë e qeveritarëve, deputetëve, politikanëve? Dhe kur aferet zbulohen në dritë të diellit, përse ky sulm i politikës ndaj individit, kundërshtarit, biznesit të ndershëm, punës së talentuar që sjell tëm ira material për shoqërinë dhe atë që i krijon. Duket se Shqipëria jeton ende në delirin e afereve dhe skandaleve që kanël indur që në dekadën e pare pas ndryshimeve politike, afere që lidhen me paranë dhe pushtetin, pasi aty ku është pushteti, atje gjejmë dhe sozinë e tij, paranë. Afere ditën dhe natën…dhe përsëri ditën. Konvejeri merkantil funksionon pareshtur. Ai ecën herë pa zhurmë e herë me një zhurmë çjerrëse dhe cinike. Por dhe kur ingranazhet kërcasin para kamerave televizive dhe në faqet e gazetave, kur ingranazhet e këtij konvejeri ngecin e frenojnë, ata vajisen sërrish për të ndjekur aferin e rradhës: tender, pallat, tokë e dhënë nën dorë, mashtrime, fallsifikime, zhdukje personash fizikë.

“Sa mijë?” – thotë deputeti, ministri? – Do të kontrollojmë pasurinë! – thonë kundërshtarët! – Do të hetojmë – klith opozita! Një komision hetimi! Të hetojmë! Poshtë hajdutët ! – klith media. Dhe komisionerët që mblidhen bëjnë gjoja sikur hetojnë, pasi hetimet asnjëherë nuk përfundojnë. Në Shqipëri blihet gjithçka : mund të blesh një deputet, një ministër. Sa bën? – pyet biznesmeni…dhe çështja mbyllet. Blihet deputeti dhe komisioni bashkë! Gjithshka blihet ! Ndërkohë që gazetat paralajmërojnë krijimin e një komisioni të ri hetimi! Trumpetat bien plot zhurmë: Do të hetojmë! Kjo është parulla e ditës. E kështu të ngjan se paraja transformohet në një buldozer të madh e të rëndë që ecën gjithnjë përpara dhe merr me vete gjithçka. Dhe habija është se ky bulldozer nuk ka buldozerist, një machinist që ta drejtojë.

Eshtë një buldozer modern, automat, i drejtuar nga një etje e përgjithshme e elitës sonë pushtetare, e kësaj sfere që mendon vetëm “të ketë” dhe jo “të jetë”; të ketë sa më shumë, madje gjithnjë e më shumë, për vete, për fëmijët, për nipërit e mbesat, për historinë!Veç të ketë! Një etje e pangopur që ka krijuar personazhin modern që nuk mund ta mendonte Balzaku dhe bashkëkohësit e tjerë të tij, pasi “të kesh”, sot është kthyer në një sindromë. Mjeksia njeh shumë sindroma që shkaktohen nga virusë të fuqishëm, herë-herë vdekjeprurës. Por sindroma e parasë dhe e pushtetit është akoma më e tmerrshme dhe e vështirë për tu kuruar, sepse ky virus modern pushton jo thjesht një organ, por trurin dhe shpirtin. Sindromë totale! Paraja dhe pushteti janë kthyer sot në një “modus vivendi” ku paraja është kusht i mbërritjes në pushtet, i fitimit të pushtetit dhe i mbajtjes me çdo kusht të tij dhe kur piramidat bijen. “Nuk e lëshojmë pushtetin ! – thërresin gjithnjë mbajtësit e pushtetit. Dhe ndërkohë njerëzit e thjeshtë, kur dëgjojnë në media dhe replikat e nxehta në gjirin e politikës, me të drejtë pyesin: nga dolën gjithë këto pasuri, pallate, automjete, miliona në bankë, të deklaruara dhe të pa deklaruara, të dërguara në bankat e vendeve të huaja, gjer në fund të botës, të fshehur nën emra të tjerë, kushërinjsh apo “besnikësh”… Ja pse Evropa na konsideron vend i paradokseve, vend i çudirave.

Populli shqiptar është një popull i urtë: ai është lodhur nga revolucionet, prej “veluri” apo të “portokajtë”… Eshtë velur nga ngjyrat. Mjaft më me revolucione! Një disfatizëm, në të cilin përfitojnë paraja dhe pushteti, kjo elitë demagoge që gjoja mendon për popullin, ndërkohë që mendon vetëm për vete. Kështu ata vazhdojnë të majmen, të fryhen, të bëhen prepotentë dhe autoritarë, ideologë të lirisë dhe të së Drejtës, të shfaqen para kamerave si apologjistë të demokracisë dhe lirisë, të anullojnë kontrata me botën ku s’mund të kenë pjesë dhe të hartojnë të reja ku të jenë pjesë e tyre, paçka se bota i hedh në gjyq për mos-respekt të së drejtës ndërkombëtare. Dhe atëhere bëjnë presion përmes politikës duke anashkaluar ligjin, duke shkelur Kushtetutën dhe duke i thirrur himn progresit të Madh. Dhe kjo bëhet gjithnjë në emër të anti-korrupsionit.

Ç’ironi! Shteti ka vendosur megafonin e anti-korrupsionit që ta dëgjojë gjithë bota, ndërkohë që korrupsioni flë në një shtrat me të. Dhe nuk është çudi që një ditë prej ditësh, qeveritarët e djeshëm ta na dalin “sh.p.k”. Term magjik i evolucionit të shoqërisë shqiptare. SH.P.K. Në librin e tij “Të kesh apo të jesh – një zgjidhje nga e cila varet e ardhmja e njeriut“, filozofi dhe psikanalisti amerikan Erich Fromm i referohet Frojdit për të analizuar më mirë psikologjinë dhe atë çka ndodh në botën e atyre që jetojnë për “të pasur” dhe në funksion të “parasë”. “Një nga zbulimet më domethënëse të Frojdit dhe që lidhen me shprehjen “të kesh” – shkruan Fromm, – është faza analo-erotike që kalojnë fëmijët para se të bëhen adoleshentë, faza kur fëmijët shohin me kënaqësi anusin kur nxjerrin fekalet. Frojdi e shihte këtë si një aspekt shumë të rëndësishëm të raportit simbolik që ekzsiston midis parasë dhe fekaleve, midis floririt dhe fëlliqësisë. Koncepti i tij mbi karakterin anal, si një karakter që ende nuk ka arritur pjekurinë, është një kritikë e ashpër e tij kundër borgjezisë së fundit të shekullit XIX-të, ku cilësitë e karakterit anal përbënin normën e sjelljes morale, e konsideruar si “natyrë njerëzore”. Por për Frojdin, personi i cili i është përkushtuar tërësisht parasë është një i sëmurë mendor dhe shoqëria, ku shumica kanë një karakter anal, është një shoqëri e sëmurë.”

E solla shëmbullin e filozofit Fromm pasi referenca e tij për Frojdin dhe karakterin anal të një shoqërie të sëmurë më përafrohet shumë me atë çka përjeton një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe pikërisht ajo e të ashtuquajturës “elite e pushtetit”, “elitë vendim-marrëse”, që e sapo dalë nga tranzicioni i gjatë politik dhe mbijeton veçse në sajë të binomit “para-pushtet”, elite që vuan nga karakteri anal frojdist, në kënaqësinë e nxjerrjes së fëlliqësisë: aty janë aferet, “hetimet”, përgjimet, shantazhet, milionat, prapaskenat, gjyqtarët që s’pranojnë të gjykojnë edhe pse ligji u a kërkon,, pra gjithçka që përbën botën e tyre. Ja pse sot, ajo për çka duhet të luftojmë nuk duhet të jetë sllogani “të kesh”, por “të jesh”, të jesh njeri, të jesh i denjë dhe ti shërbesh shoqërisë dhe shtetit, të jesh shëmbull pune dhe eksperience për tjetrin, shëmbull i kurajos dhe humanizmit.

“Të jesh!”… Mjerisht, në demokracinë virtuale (dhe jo reale) që ne jetojmë, utopistët mungojnë, ose dhe kur shfaqen për një çast, përballë presionit të parasë dhe të pushtetit, përballë presionit të “demokracisë së partive”, japin dorëheqjen. Por të paktën, nuk vuajmë shpirtërisht, pasi nuk kemi para, pallate, aksione, toka… Jeta për Gandin, edhe pse lider i madh, ishte një shtëpi e thjeshtë, një rrobë, një rrogoz për të fjetur por shumë humanizëm dhe mendim për të ardhmen shoqërore ? “Të kesh” apo “të jesh”? Kjo është çështja ! Dhe këtë zgjedhje secili duhet ta bëjë së pari vetë dhe pastaj të gjithë bashkë!… Cuditërisht, kur kthehemi nga varrezat, pasi kemi përcjellë një mik,një shok, të gjithë ndjehemi ata që realisht jemi…

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)