Kryesoret Tsipras: Jemi ende në gjendje lufte! Me Shqipërinë zhvillime në qershor

Tsipras: Jemi ende në gjendje lufte! Me Shqipërinë zhvillime në qershor

953
SHPËRNDAJE

Dje u takua me Edi Ramën në Samitin e Sofjes, ku tregoi edhe njëherë se do të mbështesë pa kushte Shqipërinë në proceset integruese.

Gjatë natës iu desh të diskutonte gjatë me Zoran Zaev për emrin e ri të Maqedonisë, por në mendje Aleksis Tsipras ka pasur edhe negociatat për detin dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme me Shqipërinë, të cilat i cilëson si të vështira.

“Negociatat me Shqipërinë ishin më të vështira se me Maqedoninë, na kanë marrë më shumë kohë”, është shprehur Tsipras për mediat, por pa fshehur entuziazmin se në Qershor me shumë mundësi do të kemi një marrëveshje për ndarjen e kufirit detar.

“Jemi në rrugë shumë të mbarë, nuk dua të them i sigurt, por jam shumë optimist se do të kemi zhvillime pozitive për këto çështje brenda Qershorit”, ka theksuar Tsipras.

Në vijim kryeministri grek ka pranuar se Shqipëria dhe Greqia janë ende në gjendje lufte, për shkak të ligjit të famshëm të trashëguar nga Lufta e Dytë Botërore, por sipas Tsipras kjo nuk i ka penguar aspak negociatat.

“Imagjinoni që kemi për të zgjidhur çështje që janë të hapura që nga Lufta e Dytë Botërore. Jemi ende në gjendje lufte. Është çështja e Zonave Ekskluzive Ekonomike, një çështje e rëndësishme si dhe të tjera mes të cilave edhe respektimin i të drejtave të minoritetit grek”, u shpreh ai.

Përsa i përket integrimit, kreu i qeverisë greke tha se “kjo nuk varet vetëm nga zgjidhja e problemeve dypalëshe mes Shqipërisë e Greqisë”. Tsipras nënvizoi se në gjirin e BE-së ka vende që kanë mendime të ndryshme për këtë çështje.

18 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)