Kulturë Virgjil Muçi merr trofeun e çmimit Kadare

Virgjil Muçi merr trofeun e çmimit Kadare

116
SHPËRNDAJE

Virgjil Muçi fituesi i çmimit Kadare 2018 i është dorëzuar trofeu me një shumë prej 10 mijë eurosh në një ceremoni të organizuar në Universitetin Europian të Tiranës ku merrnin pjesë personalitete të letrave shqipe. Muçi u vlerësua nga juria me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave” me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri.

Autori është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm.

Virgjil Muçi u lind në Tiranë më 18 gusht 1956. Veprimtaria e tij letrare e artistike është tejet e gjerë dhe e larmishme. Autor i më se 10 librave që rrokin një krijimtari që zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë dhe së fundi, edhe në lëmin e kritikës letrare. Ky është i vetmi çmim privat që ndahet në Shqipëri e në rajon me shpërblimin financiar 10 mijë euro, ku romani i shkrimtarit Virgjil Muçi fitoi pas një përzgjedhjeje në fazën finale, nga konkurrimi i sivjetmë i 32 veprave në dorëshkrim. Prurjet për çmimin Kadare kanë qenë të konsiderueshme, dhe në këto katër edicione kanë hyrë në garë më shumë se 105 autorë.

Virgjil Muçi u shpall fitues i Çmimit Kadare për vitin 2018 në “Ditët Letrare të Razmës”, një aktivitet i përvitshëm tashmë i kthyer në traditë për të katërtin vit radhazi, i cili u organizua nga Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Komunikimit të Universitetit Europian të Tiranës. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve janë lexuar dhe fjala përshëndetëse e dy ish fituesve të këtij çmimi në vite Musa Ramadanit dhe Shkëlqim Çelës.

“Proverbin anglez “Two is company, three’s a crowd” do të doja ta përshtasja duke ia ndryshuar kuptimin fillestar në një formë urimi: “Dy janë shoqëri, tre një turmë, katër traditë”. Ose në një pamje më gjeometrike: dy pika bëjnë një vijë, tre një prirje, katër një drejtim të themeluar. Çmimi i katërt Kadare, i fituar nga Virgjil Muçi them se është një çast kur sasia nis e mëton të bëhet cilësi. Kjo jo domosdoshmërisht në kuptimin e cilësisë së veprës letrare – cilësia e veprës letrare është një ngjarje tejet e ndërlikuar, që si një kalë i egër nuk i nënshtrohet parashikimit dhe ndonjë lloj matrice – por të institucionalizimit të domosdoshëm të prodhimit letrar.

Ashtu si shteti ka nevojë për heraldikë, prodhimi letrar ka nevojë për tempuj konceptualë. Ata vërtet kanë rrezikun e sëmundjes “mainstream and establishment”, por dobia prej e tyre e tejkalon çdo risk. Për më tepër, duke vazhduar me proverbin anglez, katër bëjnë traditë, por ende jo një dinasti. Le t’i gëzohemi pra momentumit të Çmimit Kadare, i cili nuk e zhgënjen emrin e madh që mbart, sepse po bëhet një pikë e fortë pivotale për dhënien zemër autorit shqiptar”, thuhej ndër të tjera në përshëndetjen e Çelës.

“Çmimi “Kadare” që jep UET, për veprën më të mirë në dorëshkrim, për fituesit, nuk është vetëm përkrahje, shpalim i vlerave letrare e artistike, por edhe përgjegjësi etike e estetike, një detyrim moral e letrar ndaj lexuesit, që t’i ofrojnë vepra të cilat do t’i mbajë mend gjatë, ashtu si vetë veprat e Kadaresë. Shpresoj se edhe kësaj radhe, me gjithë (s)provat që mund t’iu kenë dalë rrugës, jam i bindur se juria ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, pavarësisht pse për secilin autor dorëshkrimi është i shenjtë”, thuhej në përshëndetjen e Musa Ramadanit.

8 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)