Opinion ME SYTË MBI JU, RINGRITJA E KOMBIT NË DORËN TUAJ

ME SYTË MBI JU, RINGRITJA E KOMBIT NË DORËN TUAJ

255
SHPËRNDAJE

Bajram PEÇI

Në ç’periudhë historike kombi ynë ka qenë i ngritur dhe rrinte në këmbë denjësisht? Rilindasit tanë, ata që u përpoqën deri me jetët e tyre të sillnin Shqipërinë e kombin si vlerë, shihnin të tillë epokën e Skënderbeut. Dhe kanë pasur të drejtë! Është mbase e vetmja periudhë, rezistenca ndaj agresionit osman, që Europa na ka parë si faktor, por ajo qëndron si kohë ende jo shumë e njohur, aq sa për shumëkënd prej bashkëkohësve të mi tingëllon e largët. Më pas Shqipëria e robëruar dhe e ndodhur nën peshën shtypëse të një feudalizmi thellësisht të prapambetur, u end pa identitet, e mospërfillur.

Kombi dhe trojet u copëtuan, u fitua pavarësia, që pasoi me dy luftra dhe…erdhi komunizmi! Ka pasur të tillë në Europë, ngase njihnin vetëm “Këndin e Emulacionit Socialist”, që nuk ngurronin të lëvdonin periudhën që quhej “e socializmit”, për thërrmimin e së cilës do mjaftonte edhe një “anije e ëmbël” emigrantësh që ankoronte në brigjet perëndimore.

Demokracia, e vendosur si sistem, ndërsa i la njerëzit të preknin lirinë, ja bëri të mundur shpejt të krijojë ndarje të tilla klasore e hendeqe të pakalueshme të pasurish e të varfërish, para të cilave simboli i korruptimit të shtetit komunist, ish “blloku i udhëheqjes”, s’duket të jetë më shumë se një lojë fëmijësh. Ç’mund të bëjë një skajshmërisht i varfër me lirinë, përse i duhet ajo, përpos se të rriti krimin?! Shqipëria që kemi sot, me karikaturën demokratike dhe pasigurinë sociale, me grabitjen që ju bë pasurisë publike, me partizimin e administratës shtetërore, është edhe produkt i organeve të drejtësisë, ndihmesa e të cilëve ka rendur në krye të shëmbëlltyrës së keqe. Por, shpresa vdes e fundit!

Ndërsa lexoja ato çka Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, znj. Natasha Mulaj, u kish thënë kolegëve dhe përfaqësuesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit e duke parë vendimet e deri tanishme të organit të pashembullt që pastron sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit, shoh se vjen natyrshëm e piqet një ndërgjegje komunitare më kërkuese, një ndjeshmëri e grupit e panjohur më parë.

Po shihet një vullnet për të na ngritur nga nëpërkëmbja, që “drejtësia” i bëri kombit. Ripërtëritja e ngrehinës juridike, nëse do vazhdohet me këto ritme, të pandikuar nga ndërhyrjet e politikës apo kujtdo qoftë, është e sigurt se do rrisë besimin, do përmirësojë ndjeshëm realitetin, do pakësojë urrejtjen dhe do përmirësojë harmoninë e shoqërisë shqiptare, që për fat të keq, sot, jo vetëm nuk është e pranishme, por ndodhet në caqet më të ulëta.

Është koha kur shqiptarët e lidhur pas këtij vendi, me dëshirën për ta parë atë të kthyer në normalitet e jetë dinjitare, duhet të shtrëngojnë hapësirat mes “supeve”, për të mos lejuar, siç dëshirojnë,  kthimin në pikën zero të reformës në drejtësi. Orvatjet nuk po rreshtin, nga dita në ditë e nga muaji në muaj. E gjithë kjo zallamahi e madhe që ngrihet nga kundërshtarët kundër pushtetit administrativ, duke mobilizuar çdo “babale” që endet mes nesh, ka në thelb veçse pushtetin gjyqësor, për një kohë të gjatë peng i politikës. Ende ata shpresojnë se ka kohë që të zhbëjnë reformën, ndonëse tashmë ka marrë formën ligjore kushtetuese.

Shumëkush prej kundërshtarëve mund edhe ta kish menduar se ndodheshin para një operacioni të thellë “kirurgjikal”, do hiqeshin pjesë tumorale, do pastrohej trupi i drobitur i Shqipërisë, por shumica nuk e kish pandehur, edhe pse “kolegjalisht” organizimet e tyre ankimuan reformën ligjore. S’jua merrte dot mëndja se legjislativi ynë do ngrinte formacione kolegjale me pushtet të tillë, që do tromakste tërë shpurën e vjetër. Natyrisht, atë të korruptuarën. Heqje e të korruptuarve nga sistemi kupton njëherësh edhe heqjen e mbështetjes për ata që kanë bërë krime penale dhe kanë mbetur të pa ndëshkuar.

Veting-u, si strukturë e paparë kund më parë, si një përvojë e sapo nisur, si pastrim fizik e moral, (që besoj se do hyjë shpejt në tekstet e juriprudencës botërore) ishte një gjetje që do lejojë nesër gjyqtarin e prokurorin ta shohim si përfaqësues të bashkësisë, të trupit qytetar. Këtu ishte qelbur gjithçka dhe as që mendohej se do vinte ndryshimi përmes masave të pjesshme.

Ata që e ideuan platformën “operacionale”, të huaj apo shqiptarë qofshin, u qofshim falë! Kishin menduar fillimisht “ta liberalizonin” paksa procesin, duke u kërkuar gjithë pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë, që do kalonin në hetim të thelluar, të dorëhiqeshin vullnetarisht nga detyra, çka presupozonte se nga ky moment ata liroheshin nga hetimi. Kush e bëri këtë zgjedhje, thjesht u tregua i/e zgjuar. Mëkatarë apo të ndershëm, le të rrinë të qetë si qytetarë, si çdokush mes nesh.

Të tjerët, ata që nuk besuan dhe vazhdonin të ndiqnin të përgjëruar këshillat e premtimet e Bashës, Berishës, Bylykbashit e Spahos, ndonëse e dinin mirë se me ç’ndotje ishin pëgërë në shpërdorim të detyrës, pranuan t’u hetohen ato dosje apo ato pasuri në zotërim, të dukshme e të raportuara në kërkesë të ligjit. Zgjodhën vetë të shporren, por tashmë duke kaluar përmes portave të ferrit.

Mënyra më e mirë që populli të mund të ndihmojë në pastrimin e qelbit është mbrojtja e kuadrit ligjor të vetingut, e strukturës në tërësi. Te anëtarët e Vetingut tani shihet mëshirimi i vendit, i drejtësisë. Të mëshirosh një vend, një atdhe është krenari është e denjë për ato vende të denja që ju janë besuar. Është kjo trupë, që s’ka lidhje me pasojat shoqërore të të hetuarve dhe të larguarve, por si sjellje vendimmarrëse ka lidhje me dinjitetin kombëtar.

E larguan vendin gjithnjë e më shumë nga ajo që deshëm në lëvizjen demokratike. Të dënuar të mos lëviznim, të mos shikonim botën, të mos shijonim stinët, të mos deheshim me aromën e jetës, braktisëm të bindur, pothuajse të gjithë, sistemin që na ndrydhi dhe, për të keqen tonë e zëvendësuam atë me një diktaturë tjetër terrori, me korrupsionin. E shkuara, për fat të keq, është ende në mesin tonë. Ringritja e kombit është e mundur, deri sa strukturat e reformës në drejtësi do vazhdojnë të punojnë me kaq përgjegjësi si deri tani.

Mëshirimi i atdheut në të vërtetë, duhej të ishte punonjësi i organeve të drejtësisë. Këtë privilegj e vlerë morale, shumë prej tyre, me vetëdashje e zëvendësuan me vlerën materiale, me pasurinë. “Pasuria, nginjia, nuk kanë kufij, – thoshte Soloni. -… ata që sot kanë më shumë lakmojnë dyfishin”. Pasuria të zbulon cenet, të deformon vullnetin, nuk shihet si mjet jetese dhe arrin formën e marrëzisë kur nxjerr nga duart e gjyqtarit, simboli i shtetit, padrejtësinë. Drejtësia u fut në marrëdheniet shoqërore falë një shndërrimi moral të elitës: në vend që të kërkojë pasuri, më i miri (gjyqtari, prokurori) kërkon shtetin, drejtësinë. Besimi i popullit te drejtësia ishte rrënuar me kohë, pas viteve të para të demokracisë. Ligjet u panë si pezhishka merimangash, të dobtit e të vegjlit ngecën në to, kurse të pasurit e të fuqishmit i bëjnë ato copa-copa. Pak a shumë kjo është Shqipëria sot dhe në një shtet që nuk qeveriset mirë dallimet mes të pasurve e të varfërve do jenë të dukshme e të thella.

Nuk mund të ketë një shtet të denjë e të pavarur kombëtar, pa një drejtësi të pastër e të pavarur. Kjo kërkon që puna e nisur të thellohet deri në pastrimin total. Edhe më e re, më e fuqishme do ringrihet sistemi i drejtësisë. Ajo pak liri që i lipset njeriut e që na dhanë ndryshimet demokratike në fillim të viteve ’90, duhet garantuar nga një sovran, që për mua do jenë, tani e ngaherë, organet e vetingut. Ndaj i kemi sytë mbi ju.

11 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)