Kryesoret Dalja e tezës së maturës, Ministria: Prokuroria të nisë hetimet; Reagon Boçi

Dalja e tezës së maturës, Ministria: Prokuroria të nisë hetimet; Reagon Boçi

392
SHPËRNDAJE

Ministria e Arsimit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka kërkuar hetimin në lidhje me daljen e tezave të Maturës Shtetërore. MASR kërkon vënien para ligjit të përgjegjësve.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u informua nga rrjetet sociale dhe mediat online lidhur me publikimin e disa fotove nga Testi i Matematikes qe u zhvillua në të gjithë vendin nga ora 10:00 -12:30. Konkretisht nga adresat në Facebook  e një qytetari dhe të një deputeti janë postuar,  foto te testit te matematikës, ndërsa testimi po zhvillohej në të gjithë vendin.

MASR garanton publikun se ka marre çdo masë qe parashikon ligji për të garantuar fshehtësinë dhe integritetin e testeve të maturës në fazën e hartimit dhe shpërndarjes ne 38 DAR dhe ZA, 206  mjediset ku zhvillohet provimi për 37 mijë maturantë të cilët mbikëqyren nga rreth 4300 administratorë dhe monitorues.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve e konsideron shkelje te rendë të ligjit Nr.69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në RSH” dhe të akteve nënligjore, kopjimin e plotë apo te pjesshëm si dhe shpërndarjen dhe publikimin e testit.

Për këtë arsye i  kërkojmë organit të prokurorisë të fillojë hetimin e menjëhershëm të dy rasteve të bëra publike online, duke mundësuar vënien përball ligjit të shkelësve, kushdo qofshin ata”, njofton Ministria.

Boçi: Ministrja thërret Prokurorinë për interesa personale

Pas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, ka reaguar edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi. Në një postim në Facebook, ai thekson se ministrja është vetë përgjegjësja kryesore e daljes dhe qarkullimit të testeve të maturës shtetërore.

Postimi i Luçiano Boçit

Ministrja e vënë prej kohësh nën akuzë për grabitjen e të dhënave personale të nxënësve dhe të prindërve për qëllime të ngushta politike, thërret sot në ndihmë prokurorinë për interesa personale.

Në detyrën si ligjvënës ne mbrojmë interesin publik dhe qytetar dhe interesi i fëmijëve tanë është interesi më i lartë.

Në emër të tij ne kemi denoncuar dhe do të denoncojmë publikisht çdo rast abuzimi, shkelje të ligjit dhe shpërfillje ndaj mundit, sakrificës dhe djersës së tyre.

Ministrja e di mirë se është ajo vetë përgjegjësja kryesore si titullare e institucionit, e daljes dhe qarkullimit të testeve të maturës shtetërore.

Ministrja mban përgjegjësi të plotë ligjore që testi u fotografua në sallë dhe u shpërnda nëpërmjet telefonit,
te ndaluar sipas ligjit.

Ministrja e di mirë se ështē ajo përgjegjësja që ka degraduar Maturën në mall online dhe ka shkelur me këmbë punën disa vjeçare të nxënësve e prindërve.

Është ajo që trafikon testet e maturantëve për të mbuluar shkatërrimin që ka mbjellë në arsim.

Është ajo që e ka shndërruar arsimin në një magazinë pa inventar nxënësish, ku nuk fiton më i miri, më i përgaturi, por më i shkathti e i shpejti.

Është ajo dhe Rama i saj që tallen çdo ditë me maturantët, rininë e prindërit e tyre, me të ardhmen e shpresën e tyre.

Përgjegjësit ligjorë dhe moralë të kësaj katrahure janë Rama dhe Nikolla.

Më mirë të kishe heshtur zonja Ministre!

Dita e gjykimit po afron….!

 

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)