Aktualitet Pasuria e Shkëlzen Selimit. Gjyqtari me rrogë shteti bleu karburant 250 mijë...

Pasuria e Shkëlzen Selimit. Gjyqtari me rrogë shteti bleu karburant 250 mijë euro

741
SHPËRNDAJE

Pasi kishte hyrë në gjyqësor në vitin 1999, Shkëlzen Selimi deklaron se ishte i varfër, pasi zotëronte nga ajo kohë deri në 2003 vetëm 1/4 e një apartamenti të kohës së Enverit, në Krujë, me sipërfaqe 57 metra katrorë, që vlente 16 milionë lekë të vjetra.

Por, vit pas viti dhe në kohë rekord, me rrogën e tij dhe të bashkëshortes që është 800 mijë lekë, Shkëlzen Selimi dhe Rilinda Selimi u bënë bashkëpronarë të një karburanti me vlerë 250 mijë euro. Pika e karburantit u ble gjatë kohës që Shkëlzen Selimi ishte gjyqtar në Vlorë.

Por si e krijoi pasurinë çifti Selimi? Deklarata e pasurisë së Shkëlzen Selimit lë të kuptosh se çifti nuk ka patur fare shpenzime, as për ushqime dhe as për veshje për sa kohë kursimi vjetor nga rroga e gjyqtarit Shkëlzen Selimi dhe puna jashtë orari, sipas tij, shkon 10 milionë vetëm për të. Rritja ekonomike e çiftit Selimi nis në vitin 2005, atëherë kur deklarohet se bashkëshortët e drejtësisë shqiptare kryejnë lëvizjen e parë, duke marrë një kredi 45 mijë euro për të blerë një apartament në Vlorë me sipërfaqe 98 metra katrorë, së bashku me garazhin.

Megjithëse dihet se çmimi i një shtëpie me qira në Vlorë varion nga 150 deri në 200 mijë lekë, çifti Selimi ia ka dalë mbanë që ta japë këtë apartament me qira 500 euro në muaj. Pa kaluar shumë kohë, çifti “kursimtar” e shlyen kredinë. Jo vetëm kaq, në vitin 2013 apartamenti dhe garazhi shiten me dyfishin e vlerës, pra 70 mijë euro. E ndërsa shet shtrenjtë, gjyqtari Shkëlzen Selimi nga ana tjetër blen lirë. Ai deklaron se ka blerë në vitin 2013 një Citroen të përdorur që kushtonte 420 mijë lekë.

Është i njëjti vit kur çifti Selimi bën edhe hapin e madh në biznes, kur Shkëlzen Selimi firmos kontratë me rezervë pronësie për këtë pikë karburanti, vlera e të cilit është 250 mijë euro dhe në të cilin atij i takon 1/4. Për këtë pikë karburanti Shkëlzen Selimi pohon se ka marrë kredi 66 milionë lekë. Por, edhe kjo kredi si e para u shlye nga të ardhurat e kursimet personale brenda një viti, si edhe nga të ardhurat që fitoi nga dhënia me qira e pikës së karburantit.

E gjithë kjo pasuri e cila shkon në disa qindra milionë lekë është krijuar me pagën e dy gjyqtarëve. Top Channel disponon të gjitha deklarimet e pasurisë së gjyqtarit Shkëlzen Selimi dhe në asnjë prej tyre ai nuk ka vendosur se ku banon në Tiranë, sa e ka blerë shtëpinë në qendër të kryeqytetit në pallatin fare pranë Gjykatës së Lartë, ku banojnë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por nuk deklaron as pagese qiraje.

13 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)